Disa iniciativa gjyqësore janë në zhvillim, nëpërmjet të cilave pensionistët synojnë të marrin shumën mbi pensione, konform inflacionit që është shënuar ndër vite. Disa pensionistë thonë se avokatëve do t’u takojë 10-përqindëshi i shumës që mund ta marrin me padi, e avokatët theksuan se punën do ta bëjnë gratis.
Mbi 5 mijë pensionistë kanë dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Financave për kompensim të pensionit sipas indeksit të kostos së jetesës, bënë të ditur në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës. Në këtë organizatë thanë se veprimi u ndërmor me iniciativën e një grupi avokatësh.
Një njoftim për përgatitje të dokumenteve për padi, qëndron i varur edhe në zyrën e Shoqatës së pensionistëve invalidorë të punës në Komunën e Prishtinës.
“Këtë fushatë e kanë iniciuar avokatët, sepse janë ankuar pensionistët në mënyrë individuale që pensionet nuk janë rritur qe kaq vite. Njerëzit e kanë këqyrë ligjin mbi skema pensionale dhe nenin 13 dhe 14, ku në mënyrë taksative thuhet që Qeveria vit për vit duhet ta bëjë vlerësimin e indeksit të kostos së jetës dhe konform indeksit të kostos së jetës duhet t’i ngritë pensionet”, ka thënë Nijazi Gashi, përfaqësues i Lidhjes së Pensionistëve.
Procesi ka përfunduar me një marrëveshje mes Lidhjes së Pensionistëve dhe avokatëve, për të bërë padi kolektive.
Por, këtë javë, Ministria e Financave kërkoi nga përfituesit e skemave pensionale që të mos autorizojnë persona të cilët i ka quajtur të papërgjegjshëm, për t’i kërkuar mjetet nëpërmjet gjykatës.
“Sipas informatave që kemi siguruar, persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë qytetarët dhe përfituesit e skemave pensionale që informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit”, thuhet mes tjerash në reagim. “Andaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, ftojmë përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë te palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre”.
Megjithatë, Ministria nuk tregoi nëse do t’ua alokojë shumën pensionistëve, konform inflacionit ndër vite. KOHA ka adresuar prej ditësh pyetje në këtë institucion, por nuk ka marrë përgjigje.
Se gjatë procesit ka persona që përfitojnë, e pohuan edhe në Lidhjen e Pensionistëve.
“Kemi informata që për shembull në Obiliq janë duke u marrë nga 5 euro, nga një kryetar që tanimë nuk është kryetar se ai e ka humbur të drejtën me qenë kryetar”, ka thënë Nijazi Gashi.
E disa nga pensionistët u ankuan në avokatët.
“Avokatët veç për me marrë pare vazhdimisht, ata në çdo vend hyjnë. Unë nuk jam i njoftuar për atë iniciativë, veç e di që avokatët i mbrojnë ata të shtrembërit, të drejtit nuk i mbrojnë. Edhe për me ju dalë një fitim më i madh, ata vazhdimisht bëjnë iniciativa të tilla”, ka thënë pensionisti Bajram Baliu.
E, në Shoqatën e pensionistëve invalidorë të punës në Prishtinë – ku ndodhet njoftimi për inicimin e padive – treguan se avokatët do ta fitojnë 10-përqindëshin e shumës që sigurohet nëpërmjet procesit gjyqësor.
“Drejtori i organizatës së invalidëve të punës së Kosovës më ka thënë me e çitë (njoftimin v.j.), me urdhër të tij jam duke e vendosur. Urdhrin më duhet me e zbatu. Avokati nuk merr kurrgjë hiç, por nëse fiton diçka nëpërmjet padisë, prej aty e merr 10-përqindëshin. Ashtu kam informata”, ka thënë Muhamet Qyqalla, përfaqësues i kësaj shoqate.
KOHA ka kontaktuar me avokatin Zahir Hamza, i cili tha se me dy kolegë të tij e ka ndërmarrë nismën për padi. Ai theksoi se në bazë të marrëveshjes që të premten e ka nënshkruar me Lidhjen e Pensionistëve, për punën e tyre nuk do të kompensohen avokatët.
Bazuar në Ligjin për skemat sociale, harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit, duke rritur shumën për aq sa është rritur inflacioni.
“Varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave, me vendim të veçantë, do të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”, thuhet në nenin e 13 të ligjit. “Harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së jetesës të vitit paraprak”, vijohet në të 14-in.
Në Kosovë jepen pensionet bazike të moshës në vlerë 100 euro, si dhe pensionet kontributpaguese, që sillen rreth 200 euro. Ndonëse shumat e tyre janë vendosur prej vitesh, ato nuk rriten në baza vjetore konform kërkesës ligjore.