Arbëri

Ngrihen dilema se zhvillimet në veri e shkatërruan progresin e kufizuar në dialogun Kosovë-Serbi

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas njohësve të çështjeve politike, mund të marrë kah tjetër shkaku i tensioneve në veri. Sipas tyre, ngjarjet e kanë rrënuar progresin e paktë të arritur në këtë proces. Por, në Qeveri insistojnë se dialogu nuk mund të ndikohet nga respektimi i kushtetutshmërisë së çështjeve të brendshme të Kosovës

Tensionet e së premtes në veriun e Kosovës mund të ndikojnë në mënyrën e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, kanë thënë të shtunën njohës të çështjeve politike.

Ata vlerësuan se tensionet që e përcollën aksionin e Policisë – i dënuar nga faktori ndërkombëtar – nuk mund të mbahen të veçuara nga procesi i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Demush Shasha, drejtori i instituti EPIK, thotë se zhvillimet janë pasojë e mungesës së vullnetit për avancim në dialog, ndërkaq thekson se situata aktuale në veri ka shembur progresin e kufizuar në këtë proces.

“Tash, para nesh janë dy skenarë: E para, palët do të takohen urgjentisht në Bruksel dhe dakordojnë hapat për uljen e tensioneve. Kjo do të përfshijë koncesione të dy palëve sa i përket funksionimit të kryetarëve të rijnë të komunave. Kjo më pastaj do të hapë rrugë në kthimin në diskutimet për obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit dhe kanë qëllim normalizimin e marrëdhënieve; Në skenarin pesimist, Kosova nuk do të heqë dorë nga funksionimi i kryetarëve të rijnë të komunave në ndërtesat komunale, gjë që në praktikë do ta pezullojë dialogun dhe do të krijojë kriza të reja në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Shasha.

E Dorajet Imeri, profesor i shkencave politike, ka shprehur mendimin se zhvillimet e fundit në veri përbëjnë një ndryshim të strategjisë së Qeverisë në raport me Serbinë.

“Duhet parë nga një prizëm strategjik që Qeveria e Kosovës ka zgjedhur ta aplikojë atje. As nuk flasim për fillimin e detyrës e as për shtrirje të legjitimitetit, por thjesht flasim për pozicion të ri negociuar që Qeveria e Kosovës që dëshiron ta ndërtojë, sidomos në raport me Serbinë, e cila ka vendosur që t’i bllokojë serbët e Kosovës në pjesëmarrje në zgjedhje”, ka thënë Imeri. “Situata është e atillë, që do t’i kërkojë takim që fillimisht të ulën tensionet dhe këtu pastaj të fillonte gjithçka nga e para – fillimisht për të mbajtur zgjedhjet në veri të Kosovës e pastaj për të vazhduar procesin e plotësimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi”.

E zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se ato që janë veprime të ligjshme nuk mund të ndikojnë në procesin e dialogut.

“Procesi i dialogut mund të ndikohet vetëm nga mospjesëmarrja e njërës palë ose moszbatimi i marrëveshjes së dakorduar, jo nga veprimet e ligjshme dhe kushtetuese në kuadër të çështjeve të brendshme të një shteti. Kosova është e gatshme dhe e vullnetshme për takimet e radhës në Bruksel. Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht dhe haptazi e shkel Marrëveshjen bazike”, ka thënë Kryeziu.

Në komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi procesi elektoral u bojkotua nga partitë dhe qytetarët serbë.