Trotuaret e papastruara nga bora dhe ngricat në Prishtinë po vështirësojnë lëvizjen, duke detyruar qytetarët të ecin në rrugë përkrah veturave. Ata kanë shprehur shqetësime për mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet komunale
Sigurinë për të ecur, qytetarët në Prishtinë u detyruan ta kërkojnë në rrugë përkrah veturave, pasi trotuaret mbetën të pakalueshme nga ngricat.
Bora dhe temperaturat e ulëta, që kanë arritur deri në minus 5 gradë, kanë shkaktuar ngrica në shumë trotuare, të cilat nuk ishin të pastruara të dielën.
Qytetarët janë shprehur të shqetësuar se kjo situatë po e vështirëson lëvizjen dhe po rrezikon sigurinë e tyre.
“Duhet të pastrohen, pak kripë ia qet. Duhet t’i pastrojnë për fëmijët por jo vetëm për fëmijët por edhe për të moshuarit. Trotuaret sidomos duhet të pastrohen, jo vetëm rrugët. Është e vështirë të ecësh, por ndoshta Komuna nuk ka pasur mundësi gjatë vikendit”, ka thënë një qytetar.
“Për fëmijët, pleqtë dhe gratë shtatzëna katastrofë, më keq s’e di më… se po shihet me sy. Se di çka është bërë këtu. Unë sot erdha, mezi kam ecur, po duhet shumë të ruhemi se u rrëzuaka njeri këtu”, ka thënë një qytetar tjetër.
Në Komunën e Prishtinës janë arsyetuar se reshjet e mëdha e ngricat u kanë krijuar sfida të vazhdueshme.
Por në një njoftim është thënë se procesi i pastrimit të rrugëve e trotuareve ka filluar menjëherë pas reshjeve të para.
“Procesi i pastrimit ka filluar menjëherë pas reshjeve të para dhe po vazhdon intensivisht sipas një plani të detajuar për t’u siguruar që të gjitha zonat të jenë të kalueshme dhe të sigurta për qytetarët. Megjithatë, reshjet dhe ngricat kanë krijuar sfida të vazhdueshme, prandaj ekipet tona janë në terren gjatë gjithë kohës për të menaxhuar situatën”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti pritet të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje bore në disa zona në ditët në vijim.
Temperaturat minimale do të lëvizin mes minus 5 dhe minus 2 gradë Celsius.