Arbëri

Ngordhje masive e peshqve në Lumëbardhin e Pejës nga ndotja e ujit

Derisa Shoqata e Peshkatarëve thotë se lumi po ndotet nga derdhja e betonit. Përfaqësuesi i ndërmarrjes që ndërton mure mbrojtëse anash Lumëbardhit mohon akuzat. Inspektorati komunal nuk ka hapur fare rast, por të hënën Prokuroria në Pejë ka nisur hetimet

Me mijëra trofta autoktone në Lumëbardhin e Pejës kanë ngordhur nga një ndotje e ujit. Për këtë ndotje dhe ngordhjen masive të peshqve shoqata e peshkatarëve “Trofta” pretendon se ka ndodhur nga derdhja e betonit në lumë. Peshqit e ngordhur në numër të madh shihen gjithkah në ujërat e cekëta të Lumëbardhit përgjatë rrjedhjes së tij, prej ndër Patrikanën e deri poshtë në qytet.

Peshqit e ngordhur që ende shihen në lumë, sipas rojës qendrore të peshkimit në nivel të Kosovës, Zenel Muriqi, janë vetëm disa nga mijëra peshq që kanë ngordhur, të cilët pastaj i ka bartur lumi rrjedhës së tij. Kjo katastrofë e ngordhjes masive të peshqve në Lumëbardhë, sipas tij, ka nisur dy ditë më parë nga derdhja e betonit në lumë.

“Më datën 21 gusht kam ardhë si zakonisht që bëj kontroll dhe kam hasur në peshq të ngordhur dhe peshq që po ngordhnin. Shkaku ka qenë derdhja e betonit në Lumëbardhë. Lëngu i betonit ka rrjedhë nëpër Lumëbardhë dhe ka ardhë deri te kjo katastrofë, me një fjalë me thanë”, thotë për KOHËN, Zenel Muriqi, nga Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës. Ai tregon se nga vendi ku është derdhur betoni e të poshtë lumit nuk ka shpëtuar asnjë peshk.

Në një pjesë të lumit ndër vendin ku është derdhur betoni, shtrati i lumit ndër ujë duket sikur të ishte betonuar. KOHA ka siguruar pamje nga shoqata e peshkatarëve “Trofta” e Pejës, në të cilat, siç pretendon kjo shoqatë, shihet derdhja e betonit në lumë edhe nga pastrimi i cisternës së betonit.

Image

Mirëpo, operatori i kontraktuar nga komuna “Mel Engineering”, që është duke punuar në atë pjesë të lumit, ka mohuar pretendimet e shoqatës së peshkatarëve të Pejës. Përfaqësuesi i kompanisë “Mel Engineering”, Naim Mahmutaj, ka treguar për KOHËN se në afërsi të lumit janë janë duke ndërtuar disa mure mbrojtëse, derisa në shtratin e lumit janë duke kryer punime për zhvendosjen e gypit të ujësjellësit, që është i vendosur ndër një urë e këmbësorëve mbi lumë dhe vendosjen e tij trup lumit. Mahmutaj tregoi për KOHËN se për ta vendosur gypin nën ujë është dashur të shtrohej beton dhe ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë rrjedhur beton nga konstruksioni që është mbushur me beton për vendosjen e gypit të ujit, por ai ka mohuar që është derdhur beton qëllimisht në lumë, apo siç pretendon Shoqata e peshkatarëve në Pejë se e kanë pastruar cisternën e betonit. Mahmutaj pohoi se për betonimin e atij bazamenti janë ndërmarrë gjitha masat mbrojtëse të lumit.

“Megjithëse është dashtë me punua me një pjesë të betonit, ne i kemi vendosur edhe gypat të cilët e kanë larguar ujin e pastër por ka qenë e pamundshme krejt ujin me dislokua. Nuk ka qenë e qëllimshme. Absolutisht nuk ka qenë e qëllimshme. Jemi munduar të gjitha masat mbrojtëse të lumit me i ba, por nuk e përjashtoj mundësinë që ka pasë mundësi edhe me rrjedhë ndonjë sasi, jo e betonit, por e betonit që ka mund me rrjedhë nëpër dërrasa dhe elemente të ndërtimit në atë pjesën andej”, pohoi Mahmutaj.

Këtë ndotje të Lumëbardhit me pasojë të ngordhjes së mijëra peshqve në Inspektoratin Komunal të Pejës pohojnë se nuk kanë njohuri se kush e ka shkaktuar. “Në Inspektorat i kemi parasysh pasojat që janë shkaktuar nga ndotja e ujit. Kemi informata që kanë ndodhur, mirëpo nuk e dimë se kush e ka bërë. Por besoj që në bashkëpunim edhe me organet e tjera, me Policinë dhe me Prokurorinë, mundemi edhe përmes kamerave të lokacionit përreth, me mund me ardhë deri te e vërteta”, tha Leotrim Murtezaj, drejtor i Inspektoratit Komunal në Pejë.

Por, pavarësisht pasojave të shkaktuara në lumë, Inspektorati Komunal nuk ka iniciuar asnjë kallëzim në prokurori për të zbuluar shkaktarin. Hetimet për këtë rast Prokuroria Themelore e Pejës i ka iniciuar vetë të hënën, bazuar në videoincizimet e plasuara në rrjete sociale për ndotjen e Lumëbardhit dhe ngordhjen e peshqve. “Prokurori i shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të njëjtit të marrin veprime hetimore në drejtim të veprës penale keqtrajtimi i kafshëve, ndotja e ushqimit dhe ujit të shtazëve. Me ç’rast janë duke u zhvilluar hetimet nga njësitet përkatëse policore, dhe shpresojmë që kjo çështje penale brenda pak kohe të marrë epilog”, tha për KOHËN Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

Sipas shoqatës së peshkatarëve “Trofta” në Pejë, ky është rasti i dytë në katër vjetët e fundit që ka ndodhur ngordhje masive e peshqve nga derdhja e betonit në Lumëbardhë.