Arbëri

Ngecjet në dialog vlerësohen negative për politikën e jashtme

Ndikimi i dialogut në politikën e jashtme, ka qenë temë diskutimi mes përfaqësuesve të pushtetit e opozitës. Në publikimin e analizës për këtë çështje, nga Instituti Demokratik i Kosovës, u tha se status-quoja në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është e dëmshme për vendin, derisa e njëjta ndikon në përfaqësimin e jashtëm të vendit.

Ngecjet në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që të mos jetë e qartë koha kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare, u tha në diskutimin për ndikimin e dialogut në politikën e jashtme.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, i cili prezantoi edhe analizën e bërë për këtë çështje, tha se situata aktuale nuk është shpresëdhënëse për Kosovën.

“Në njërën anë kemi në Serbi zëra gjithmonë të shtuar dhe qëndrim se asnjëherë nuk do të ketë njohje të Kosovës, në anën tjetër në Kosovë kemi anashkalim të paktën deklarativ të kësaj teme dhe polarizim të skajshëm që e ka vënë procesin e dialogut në status-quo. Në një status-quo e tillë do të humbin të dyja palët, ndonëse është më e qartë se humbës më i madh do të ishte Kosova”, ka thënë Cakolli.

Pjesë e prezantimit të raportit nga Instituti Demokratik të Kosovës, ishin edhe përfaqësues të partive në opozitë e asaj në pushtet.

Nga opozita, thanë se ngecjet në procesin e dialogut dëmtojnë Kosovën edhe Serbinë dhe se bisedimet mes dy shteteve ndikojnë në politikën e jashtme të tyre.

“Status-quoja nuk është e mirë për të dyja palët, por aq më tepër për Kosovën, për shkak se ne jemi në një situatë tjetër, pasi nuk kemi liberalizim të vizave, pastaj ju keni përmendur në raport edhe se mungesa e një marrëveshjeje finale pengon në anëtarësime të Kosovës në organizata ndërkombëtare, s’po flasim vetëm për kohën sa kishte moratorium, por në vazhdimësi”, ka thënë Shqipe Mjekiqi nga LDK-ja.

“Politika jonë e jashtme në raport me BE-në ka qenë dhe vazhdon të jetë ngushtë e lidhur me atë se çfarë është arritur, çfarë po bëhet dhe çfarë mund të arrihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër ne në vazhdimësi kemi provuar dhe duhet të vazhdojmë të provojnë që të ndajmë objektiven në anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar me palët e treta”, është shprehur Bernard Nikaj nga PDK-ja.

Por, nga Vetëvendosje thanë se suksesi i dialogut nuk varet prej Kosovës dhe se janë duke punuar në reformimin e përfaqësimin e jashtëm të vendit.

“Përveç dialogut çfarë ka ndikuar në politikën tonë të jashtëm, duhet përmendur se ne nuk kemi pasur ambasada të përgatitura që të shtyjnë tutje agjendën e Kosovës, ambasadat tona janë udhëhequr prej njerëzve që kanë qenë fytyra politike të partive në pushtet që shumicën e rasteve i kanë shërbyer partive politike dhe interesave të tyre private”, ka thënë deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.

Rëndësia e dialogut për politikën e jashtme u përmend edhe nga ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Tomas Kolly.