Arbëri

Dështim në marrëdhënien kontraktuale me BE-në

Qeveria e Kosovës ka dëshmuar mungesë progresi në zbatimin e MSA-së, marrëveshje e vetme kontraktuale që e ka me Bashkimin Evropian.

Në dy çerekët e parë të vitit 2020 nuk është punuar fare në jetësimin e planit për ta zbatuar MSA-në; në çerekun e tretë janë zbatuar vetëm 21 nga 59 masat që ishte planifikuar të ndërmerreshin, kurse asnjë të dhënë nuk ka për çerekun e katërt.

Në kabinetin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, i cili mbulon fushën e procesit të integrimit evropian, kanë thënë se tek në muajin e ardhshëm mund të ofrojnë informacione.

“Raporti vjetor do të publikohet në shkurt 2021 me të gjitha detajet”, kanë thënë në këtë kabinet. “Në mungesë të një drafti fillestar, për shkak të zhvillimeve me pandeminë dhe ndërrimeve të qeverive, ende nuk ka të dhëna përfundimtare për pyetjet e gazetarëve”.

Me pezullimin e implementimit të Planit Kombëtar për zbatim të MSA-së për gjysmën e parë të vitit, si dhe me ngathtësinë që e ka demonstruar në gjysmën e dytë, Qeveria ka dëshmuar mungesë vullneti edhe për të ecur drejt BE-së, thonë në shoqërinë civile.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), e shpreh këtë drojë.

“Ne konsiderojmë që kjo ka dëmtuar progresin e Kosovës në përmbushjen e obligimeve të saj karshi MSA-së, por gjithashtu tregon mungesë serioziteti dhe vullneti politik në rrugën drejt integrimit evropian”, thotë Loxha. “Duhet rikujtuar që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është e vetmja marrëveshje kontraktuale e nënshkruar me BE-në deri më tani dhe njëkohësisht dokumenti më i rëndësishëm me përafrimin e Kosovës me BE-në”.

E ndonëse Qeveria nuk ka një pasqyrë për shkallën e përmbushjes së MSA-së deri në fund të vitit 2020, ajo tashmë ka hartuar një draft-program për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, e i cili përcakton reformat afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2021. Shumë nga këto reforma ishte paraparë të përmbusheshin në vitet paraprake.