Përparim Rama e përjetoi vetëm përkohshëm këmbimin e parcelës djerrinë në Badoc, që e ka në pronësi ish-klienti i tij, Rrahmani Haradini, me një pronë komunale te “Prishtina e Re”, aty ku është planifikuar të vendoset administrata shtetërore e ku lejohen edhe ndërtime të larta.
Mësymja për këtë ndërrim prone u shemb këtë të enjte, ndonëse në dhjetorin e vjetëm propozimi i tij u miratua në Kuvendin e Komunës që e udhëheq.
Brenda periudhës gati njëmujore, prej kur KOHA raportoi për skandalin, u aktivizuan institucione qeveritare, gjykata dhe shoqëria civile. U shemb edhe koalicioni qeverisës në kryeqytet, menjëherë pasi asamblistë të Partisë Demokratike që bashkëqeverisnin me Lidhjen Demokratike, që i përket Rama, bënë bashkë votën me kolegët e tyre të Lëvizjes Vetëvendosje për ta anuluar vendimin.
Pushteti lokal i Prishtinës zgjodhi që zëshëm ta mbrojë propozimin e kryetarit Rama.
E, vetë Rama, më 21 dhjetor kur i bindi kryesisht asamblistët e LDK-së që të votojnë pro ndërrimit të pronës komunale me një parcelë ku nuk lejohet ndërtimi, prezantoi një shkresë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të cilën tha se ishte leje për këtë këmbim. Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e demantoi.
Rama dhe zyrtarët e kabinetit të tij arsyetuan nevojën për këmbim të pronës. Thanë se prona në Badoc posedonte nga Komuna kushtet e ndërtimit e pastaj Ministria e Mjedisit anuloi të drejtën për të ndërtuar në këtë pjesë. Dhe, sipas versionit të pushtetit lokal në kryeqytet, për t’i ikur përballjes në arbitrazh, procesi i këmbimit nisi në 2021-n, disa muaj para se Rama ta merrte mandatin.
E në seancën e Kuvendit Komunal, në të cilën u anulua vendimi, ai sulmoi KOHËN, ndërsa gjetjet e raportuara i cilësoi shpifje. Tentoi edhe t’i frikësoi asamblistët që u mblodhën për t’ia rrëzuar vendimin.
“Edhe njëherë po deklarojmë si qeverisje, se ne kemi vepru në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së Pushtetit Lokal për këmbim të pronave. Ju lutem, ju e dini saktë çka thotë Manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent. Secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, tha Rama.
Kërcënimi s’ua ndryshoi mendjen asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e as atyre të Partisë Demokratike, që në këtë moment formalisht ndodheshin në koalicion me Lidhjen Demokratike.
Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së, tha se paralajmërimi i Ramës për pasojat nuk duhet të trajtohet seriozisht.
“Ne jemi të bindur që Komuna, interesi publik, nuk i ka borxh personit privat dhe kjo do të dëshmohet. Ne jemi shumë kureshtarë që ta shohim këtë çështje edhe sa i përket gjykatës. Ne sot morën një vendim që anulon vendimin e kaluar, por kjo nuk do të thotë që anulohen proceset e tjera që me kureshtje presim epilogun përfundimtar të tyre”, deklaroi Retkoceri.
Edhe shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, tha se duhet shpërfillur kërcënimin e kryetarit dhe vlerësoi se ish-klientët e Ramës nuk mund ta fitojnë rastin në Arbitrazh.
“Nuk ka materie të mjaftueshme për Arbitrazh apo gjëra të tilla. Nga analizat të cilat i kanë bërë ekspertët e Lëvizjes Vetëvendosje në leminë e juridikut, nuk ka bazë për Arbitrazh, për shkak që pronarëve ju ka anuluar një e drejtë, pra e drejta e ndërtimit, por ata vazhdojnë të jenë pronarë të tokës. Domethënë, nuk u është marrë toka. Po flas gjithmonë për këtë këmbimin e dytë. Këmbimi i parë tashme është ekzekutuar dhe të gjitha veprimet për këmbimin e parë janë të pamundura që t’i anulojë asambleja. Ndërsa për vendimin e dhjetorit, materialisht e as formalisht, në vlerësimin e ekspertëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka substancë për veprime nga pala”, tha ai.
INPO është organizatë joqeveritare që monitoron punën e komunave. Në këtë organizatë thanë se vendimi duhej anuluar.
“Mua me vjen mirë që ka pasur një reagim nga ana e medias për ta shpërfaqur këtë skandal. Me vjen mirë që edhe organizata e Shoqërisë Civile janë përfshirë në këtë debat me qëllimin e vetëm për ta ruajtur interesin publik siç ka qenë rasti me IKD-në, ku ka ushtruar mjetet juridike në dispozicion dhe ka atakuar me padi këtë vendim për të cilën gjykata vendosi për masën e përkohshme, por edhe në anën tjetër, edhe involvimi i organizatës INPO në argumentimin e shkeljeve ligjore edhe të dhënies së alternativave se si mund të ruhet interesi publik dhe njëra nga to ishte shfuqizimi i vendimit nga ana e Kuvendit”, deklaroi Albulena Nrecaj nga kjo organizatë.
Vendimi i dhjetorit u anulua. E, para se të votohej për këtë, Rama e edhe asamblistët e LDK-së lëshuan sallën.
Ka muaj që koalicioni qeverisës në kryeqytet ndodhej në krizë. Tri seanca paraprake të Kuvendit Komunal, PDK-ja i bojkotoi, përfshirë atë të dhjetorit kur u mor vendimi për t’i ndërruar me pronë komunale parcelat e ish-klientit të kryetarit.
Në kohën kur presioni publik për vendimin u rrit, Rama shkarkoi një nga drejtorët e PDK-së. E, kur nënkryetarja e Komunës nga radhët e së njëjtës parti tha se ky përbënte revansh për mosmbështetjen për vendimin rreth pronave, Rama e shkarkoi edhe atë.
Në PDK insistuan se pikërisht këmbimi i parcelave është arsyeja për t’i ndarë rrugët e bashkëqeverisjes në kryeqytet me LDK-në.
“Ne në letrën e kryetarit, z.Uran Ismaili, drejtuar kryetarit Përparim Rama janë të evidentuara qartë, çështjet të cilët na kanë ndarë përfundimisht neve nga qeverisja në Prishtinë. Një nga ta ka qenë edhe komunikimi. Çështja e Badovcit ka qenë qëndrimi i yni qysh nga viti 2020, duke thirrur seancë për ndalimin e ndërtimeve në Badovc. Në vitin 2021 nuk kemi përkrahur këmbimin e pronës se parë me këta persona fizik sepse kemi menduar edhe atëherë që ka qenë i pamjaftueshëm argumenti që po jepet për interes publik, në një zonë ku janë dhënë therra dhe ku janë marrë tokë në një zonë më Plan Zhvillimor dhe me Plan Rregullues në koeficiente të ndërtimit dhe kjo ka qenë qëndrimi jonë konsistent edhe kohëve të fundit ku e kemi bërë publik pasi çështja është bërë meidatike dhe qëndrimi ynë”, tha Retkoceri.
PDK-ja nuk e ka ngritur publikisht problemin e vendimit për këmbim të pronave përpara se të raportojë KOHA.
Megjithëkëtë, në këtë parti thanë se ka pasur edhe probleme të tjera gjatë bashkëqeverisjes me LDK-në.
“Ne në fillim të dhjetorit e kemi bërë edhe një qëndrim publik tonin se mungesa e një komunikimi me të madh, tentimi për të fshehur ndërtimin e materialeve nga partneri i koalicionit nuk ka qenë sinjal i mirë për ne dhe e kemi bërë të qartë që Partia Demokratike dega në Prishtinë nuk është makinë e votimit që të vije në seancë dhe të votojë materiale të cilat janë ndërtuar fshehurazi dhe kjo ka lenë të kuptojë shije jo të mirë për transparencën në materiale, rregullore, vendime që në një kohë patën nisur të kthehen në numër shumë të madh për shkak të moskalimit të ligjshmërisë. E edhe për Badovcin ne kemi dalë i kemi thënë këto qëndrime, e këto qëndrime nuk kanë qenë të pritshme e as të pëlqyeshme nga kryetari Rama që mund ta kuptojmë deri diku, sidomos pas seancës së fundit, por mendoj që kjo çështje duhet të zgjidhet në kanalet ligjore dhe në vendet e tjera”, shtoi shefi i asamblistëve të PDK-së.
As në Vetëvendosje nuk kanë folur për këmbimin e pronave përpara publikimit të skandalit, përpos në seancën kur vendimi është miratuar falë edhe asamblistëve të kësaj partie, prezenca e të cilëve në sallë siguroi kuorumin për vendimmarrje.
E, pas publikimit të skandalit, të dyja partitë bënë garë për t’i marrë meritat, në përpjekjen për ta anuluar vendimin.
Në Vetëvendosje thanë se, pas anulimit të vendimit, kryetari Rama mund të jetë në siklet, meqë shtruan hipotezën se ai mund të ketë borxhe të pashlyera ndaj ish-klientëve biznesmenë.
“Në dy paraqitjet e tij televizive, z. Rama shihet që është në një gjendje jo të pëlqyeshme. Në natën e parë ai tha shumë të pavërteta që veçse e fundosin atë çfarë ai ka mbrojtur vazhdimisht. Ndërkohe, edhe në Kuvend foli shumë të pavërteta të cilat në mënyrë shumë të qartë dhe me fakte ja demantoi asamblistja jonë, Nora Kelmendi dhe nuk e di cili është zori dhe halli i kryetarit në këtë rast, nuk e di pse duhet me u panikavë nëse asamblistët mendojnë dhe vendosin që ky vendim nuk është në të mirën e qytetit dhe e anulojnë si të tillë. Përparim Rama nuk mundet me marrë vendime pa Asamble, dhe kur asamblistët të vendosin që të mos behët këmbimi kryetari nuk ka nevojë të sikletavet përpos nëse ka ndonjë obligim personal ndaj personave në fjalë”, deklaroi shefi i asamblistëve të VV-së.
Edhe aktivistë të shoqërisë civile, por edhe eksponentë në opozitë, thanë se Rama ishte në konflikt interesi kur i propozoi Kuvendit Komunal ndërrimin e pronës komunale, me parcelën e një biznesmeni me të cilin vetë kishte punuar.
“Fatkeqësisht, ky është një nga skandalet më të mëdha me menaxhimin e pronës publike në Komunën e Prishtinës dhe flet për një mungesë totale të integritet në vendimmarrje të dy organeve të Komunës së Prishtinës, pra të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të komunës si organ qeverisës. Flet për lehtësinë e marrjes së vendimeve pa pasur haber se çka po votojnë dhe çka po këmbejmë në këtë rast. Domethënë, është për keqardhje që Kuvendet Komunale janë shndërruar në makineri votimi, pa ditur se për çka po ngrehën duart por në anën tjetër është shumë shqetësuese që një kryetar komune me shumë lehtësi, pa bërë analiza të mirëfillta ligjore dhe pa argumentuar interesin publik propozon Kuvendit këmbimin e pronave publike me ato private dhe duke e ditur që potencialisht mund të gjendet në situata të konfliktit të interesit me peronat që ka propozuar këmbimin e pronës. Kjo do të thotë është një skandal i llojit të vet”, tha Nrecaj nga INPO.
As Rama dhe as zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për pretendimin që lidhet me konfliktin e interesit, dhe nuk kanë folur as në paraqitje publike që i kanë pasur.
Opozitarët thanë se është i dukshëm konflikti i interesit në këtë rast dhe shprehën pritjen që këtë ta konfirmojë edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
“Tashmë duke u bazuar në deklarimet e z. Rama në 2-3 ditët e fundit, e kam krijuar përshtypjen që ai e ka kuptuar se sa thellë është puna dhe besoj që e ka të qartë që është e pashmangshme që ai duhet të jap përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur. Ai e pranoi vet në një emision televiziv që e ka pasur klient edhe pse i ngatërroi vitet, por është i pashmangshëm konflikti i interesit në këtë rast që është vepër penale e që do të duhej të merren organet e drejtësisë. Ne e kemi bërë kallëzimin penal në Agjencinë Antikorrupsion. Na është konfirmuar që e kanë pranuar kallëzimin tonë. Akoma nuk kemi marrë një përgjigje. Secilin veprim që po e ndërmerr ekzekutivi është si pasojë e asaj që e kanë kuptuar se sa thellë janë zhytur në këtë rast”, deklaroi Sveçla.
Krahas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me çështjen janë marrë edhe shumë institucione, menjëherë pas publikimit të hulumtimit nga KOHA.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e kishte vlerësuar si të ligjshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Pas transmetimit të hulumtimit, kjo ministri e rishqyrtoi vendimin.
Më pas, Ministria e Financave vendosi që këmbimi i pronave të pezullohet.
Para vendimit të të dyja ministrive, Instituti i Kosovës për Drejtësi e çoi çështjen në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Disa ditë më vonë, Gjykata vendosi masë të përkohshme, efekti i së cilës është pezullimi i zbatimit të vendimit.
Por, të njëjta veprime nuk janë ndërmarrë edhe për këmbimin e parë që është kryer në 2021-n, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, përpara se të shpalleshin zgjedhjet lokale. Atëkohë, Komuna është drejtuar nga Shpend Ahmeti, ndërkaq kontrata mbi ndërrimin e pronave është firmosur nga pasuesi i tij, Përparim Rama.
Edhe Ahmeti nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me propozimin për këmbimin e pronave, që tashmë është realizuar.
Albulena Nrecaj vlerëson se as në vitin 2021, por as tash, nuk është argumentuar interesi publik.
“Për me i zbardhë informatat prapa kësaj, për shembull kush i ka propozuar zonat që janë përzgjedhur? A ka pasur zona të tjera që kanë qenë në propozim të këmbimit? Cili është interesi i komunës që është boshti kryesor apo kriteri që mundëson këmbimin e pronave? Nuk është arsyetuar nëse komuna ka interes atëherë cili është ai interes? A ka komuna mjete për me realizu atë projekt? Sot për shembull me i pyet edhe anëtarët e Kuvendit Komunal cili është interesi e çfarë përfiton komuna nga ky këmbim, nuk është që dinë me të tregu”, tha Nrecaj.
E në PDK thanë se është vepruar në mënyrë selektive, kur është vendosur vetëm për këmbimin e pronave të ish-klientit të kryetarit Rama.
“Ne kemi rastin e shumë qytetarëve të Prishtinës që u është pamundësu me vite të tëra realizimi i të drejtave pronësore sepse kanë kaluar rrugë, kanë qenë të planifikuara unaza, shkolla, çerdhe dhe qysh do të ju përgjigjet komuna këtyre personave ndërsa këmben prona të tjera. Edhe pse arsyetohen që i ka obliguar Ministria, tashmë ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se komuna vendos që kujt donë t’i këmbejë prona, dhe ky këmbim fillon me fillimin e interesit publik të komunës së qytetarëve dhe jo të personave privat”, deklaroi Retkoceri.
Rama dhe kabineti i tij nuk u kanë dhënë përgjigje shumë pyetjeve.
Por, në seancën për anulimin e vendimit për ndërrimin e pronave, një ish-gazetare që tani udhëheq drejtorinë e Pronës në Prishtinë, shfrytëzoi foltoren e Kuvendit Komunal për ta sulmuar KOHËN.
“A është interes publik, dezinformomi i publikut? Kur ju bashkuat kandarit të dezinformatave për procesin, pse grupi mediatik që ngriti këtë çështje nuk iu përmendi si shkaktar të miratimit të kësaj pike”, tha drejtorja e Drejtorisë së Pronës, Doruntinë Maloku.
Pas raportimit të KOHËS u shembën përpjekjet e pushtetit lokal në kryeqytet për ta ndërruar pronën komunale te “Prishtina e Re”, që ka vlerë dhjetëra milionë euro, me atë në Badoc ku nuk lejohen ndërtime, por që është në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.
Bashkë me këtë, LDK-ja humbi partnerin kryesor të koalicionit, duke ngelur minorancë në Kuvendin Komunal.
Përderisa Rama do të punojë i vetëm, Antikorrupsioni dhe autoritetet e drejtësisë do të punojnë në dosjen e tokave që u synua të këmbeheshin.