Arbëri

Ngec jetësimi i projektit “Ditar Digjital” në Ferizaj

Ka ngecur prej vitesh jetësimi i projektit të “Ditarit Digjital” për shkollat fillore dhe ato të mesme në Komunën e Ferizajt. Ekzekutivi pati dhënë zotime e premtime të vazhdueshme për finalizim, teksa për vonesat është arsyetuar me mungesën e trajnimit të mësimdhënësve, si dhe të qasjes së shkollave në internet

Prej disa vjetësh, Komuna e Ferizajt ka ngecur në funksionalizimin e platformës “Ditari Digjital”, për shkollat fillore dhe ato të mesme.

Nëpërmjet platformës, që ishte premtuar gjatë fushatës së vitit 2017 të kryetarit të komunës, Agim Aliu, synohej që prindërve t’u sigurohet qasje nëpërmjet telefonit në arritjet e fëmijëve në mësime. Në komunë arsyetuan ngecjen fillimisht me pandeminë Covid-19, e më pas edhe me mungesën e trajnimit të mësimdhënësve, si dhe të qasjes në internetit nëpër të gjitha shkollat.

E Bahrije Hoxha, drejtoreshë e shkollës së mjekësisë “Elena Gjika”, shprehu optimizmin se projekti, të cilin e kualifikoi të domosdoshëm, do të jetësohet vitin e ardhshëm.

“Shkolla jonë ka qenë në projekt të ‘Ditarit Digjital’, por shpresojmë që në vitin e ardhshëm të fillojmë me këtë projekt, sepse është shumë e domosdoshme për nxënësit për arsyeje se ka shumë elemente që përfshinë kjo platformë duke filluar nga prindërit, mësimdhënësve, Drejtorisë së shkollës, Drejtorisë së Arsimit por edhe më lartë në Ministrinë e Arsimit”, ka thënë Hoxha.

Afrim Llabjani, drejtor i arsimit në Komunën e Ferizajt, tregoi se projektuesit kërkuan që secila shkollë të ketë internet me fuqi të lartë dhe trajnime specifike të mësimdhënësve, porse tha që kjo nuk ka arritur të realizohet.

“Fillimisht jemi duke u përgatitur për shkollën ‘Tefik Çanga’, e cila ka përfituar donacione nga organizata të ndryshme dhe është ndihmuar edhe nga Komuna e Ferizajt. Pastaj do të shohim se si do të rrjedhë situata edhe në ndonjë shkollë tjetër sepse e kemi edhe gjimnazin ‘Kuvendi i Arbërit’, një shkollë e përgatitur në aspektin e mësimdhënësve në nivel profesional, por edhe me mjete të tjera”, ka thënë Llabjani.

Sipas Llabjanit, nëpërmjet platformës që pritet të jetësohet në fund të këtij viti, prindërit do të mund të pranojnë edhe videomesazhe për ngecjet, të arriturat dhe sjelljet e fëmijëve në shkollë.