Arbëri

Ngarkesa në rrjet lë pa rrymë për shumë orë Ferizajn

llamba

Foto: Ilustrim

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se i gjithë ky qytet po përballet me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike. Këtë e ka quajtur të pashembullt, ndërkohë ka kërkuar masa të menjëhershme nga Qeveria e KEDS-i.

Aliu përmes një postimi në Facebook ka shprehur se kjo situatë nuk ka ndodhur më parë e se vetëm të mërkurën i gjithë Ferizaji është pa rrymë mbi pesë orë.

“Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani. Në terr familjet, në terr mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë festat me familjarët e tyre në vendlindje, në terr bizneset që po humbin mijëra euro çdo orë nga dëmet që sjell mungesa e energjisë elektrike”, ka shkruar ai.

Aliu ka pyetur se kush do t’i paguajë dëmet e shkaktuara familjeve e bizneseve në Ferizaj si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.

“Ndonëse përgjatë 7 viteve, Komuna e Ferizajt ka siguruar investime milionëshe në kapacitete të energjisë elektrike, siç është Nënstacioni 110/35/10 kV që do të përurohet më 31 Dhjetor, prapë ferizajasit, përballen me terr”.

Ai ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga Qeveria, Ministria e Ekonomisë, KEDS/KOSTT “që Ferizaj të trajtohet barabarësisht, që reduktimet e energjisë elektrike të kësaj përmase enorme, pa orar e pa arsye të qëndrueshme të marrin fund”.

E, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, i ka thënë KOHËS se Komuna e Ferizajt po vazhdon të jetë sfidë për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike që po arrin mbi 1400 megavatë për orë. Kjo, ka thënë ai, ditët e fundit ka çuar në ngarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it në disa vende në Kosovë, e në disa raste ka çuar edhe në djegien e tyre.

“Nuk bëhet fjale për reduktime apo ndalesa të energjisë por për ngarkesë të madhe në rrjetin elektrik dhe të transmisionit, duke e sfiduar sigurinë e furnizimit me energji për disa rajone. Aktualisht rajoni Ferizajt, po vazhdon të përballet me njësi të tillë për shkak të këtyre ngarkesave dhe mbingarkesës janë shfaqur si në transmision edhe në anën e operatorit të sistemit të shpërndarjes ku po paraqitet nevoja për tejkalimin e këtyre ngarkesave për të shmangur dëme të mëdha në pajisjet kyçe”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se nënstacioni në Ferizaj pritet të përfundojë shpejt, e se kjo mund të ndihmojë në tejkalimin e kësaj situate për këtë rajon.  

Rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës sfidohen po ashtu nga e njëjta problematikë e ngarkesës së madhe në rrjet.

Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka apeluar qytetarët ta kursejnë rrymën pasi ka thënë se ngarkesa e madhe po e rrezikon rrjetin dhe po detyron që në disa vendbanime të ketë reduktime. Thirrje për kursim pati bërë edhe KESCO një ditë më parë.

Është kërkuar që të shmanget përdorimi i pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut të kërkesës, sidomos ata që përdorin për ngrohje janë këshilluar ta shfrytëzojnë në mënyrë më racionale.