Nga e premtja ka hyrë në fuqi marrëveshja në fushën e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, ka thënë se përmes kësaj marrëveshjeje, mbrohen të drejtat shoqërore, gjë e cila do të shërbejë, jo vetëm për të tashmen, por edhe për brezat e ardhshëm në të dyja vendet.
“Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës nisën në vitin 2020 dhe kaluan me sukses të gjitha proceset e nevojshme. Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për të çuar përpara këto marrëveshje që garantojnë trajtim të barabartë për qytetarët dhe sigurojnë njohjen e viteve të punës”, ka thënë Hado, ditën kur marrëveshja ka hyrë në fuqi.
Me 111 vota pro, dhe pa asnjë kundër apo abstenim, Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar me 10 mars të këtij viti Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Kosovën, për sigurimet shoqërore.
Marrëveshja parasheh mundësinë e përfitimit të pensioneve nga shtetasit e Shqipërisë që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit nga Kosova, të cilët punojnë në Shqipëri dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të të vetëpunësuarve dhe punëdhënësve.
Shqipëria dhe Kosova nënshkruan më 1 dhjetor të vitit 2021 marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore. Në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dyja vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindje, përkatësisht lehonisë; nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar; si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.
Vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur, si nga ana e shtetasve të Shqipërisë që punojnë në Kosovë, ashtu edhe nga ana e shtetasve të Kosovës që punojnë në Shqipëri.
Marrëveshja mundëson që të ketë eksportim të pensioneve dhe bashkim të periudhave, në mënyrë që të sigurohet një pension sa më dinjitoz për të gjithë personat që kanë pasur mundësinë të punojnë në të dy anët e kufirit.
“Mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre”, kishte deklaruar kreu i shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta pas dekretimit të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes.
Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës për këtë marrëveshje kishin nisur dy vjet më parë dhe kanë kaluar në dy runde.