As të premten nuk ishte pa punë sporteli për shtetësi në Ofiqarinë e Komunës së Pejës, që pranoi disa kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe një familje disaanëtarëshe, që nuk pranoi të fliste rreth arsyeve. Një mërgimtar tjetër, që aplikoi pas tyre, prapa kamerës tregoi se është i detyruar ta zgjedhë njërën shtetësi, shkaku i ligjit në shtetin ku jeton.
Këta nuk janë të vetmit që janë shënuar këtë vit në librin zyrtar të shlyerjes së shtetësisë së Kosovës.
Shefi i Ofiqarisë në Pejë, Shefqet Thaqi, tregon se nga fillimi i vitit e deri të premten për lirim nga shtetësia kanë aplikuar 56 veta, 16 prej të cilëve vetëm në korrik.
“Tani pothuajse është lehtë ma i theksuar numri i rasteve për aplikim për lirim nga shtetësia e Kosovës. Ndërsa presim që edhe këtë javë dhe muajin gusht kërkesat të jenë ma të shumta”, ka thënë ai.
Kërkesat për lirim nga shtetësia dorëzoheshin prej mërgimtarëve nga disa shtete, por aktualisht, siç tregoi zyrtarja për shtetësi, dominojnë kërkesat e mërgimtarëve nga dy vende evropiane.
“Prej që ka filluar fluksi i mërgimtarëve me ardh, zakonisht e kemi Gjermaninë ndër shtete kryesore që e lypin patjetër me humbë shtetësisë. E një ndër to ka filluar edhe shteti i Norvegjisë. Deri në këtë vit Norvegjia nuk ka pas kërkesa shumë, por tash ka filluar edhe Norvegjia”, ka deklaruar Adelina Kajtazi, zyrtare për shtetësi në Komunën e Pejës.
Numri aktual bashkatdhetarëve tanë në mërgatë që po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, për shoqërinë civile në Pejë nuk është aq i frikshëm sa do të jetë vitet e ardhshme.
Sipas shoqërisë civile në Pejë, kjo ndërlidhet me migrimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve të Pejës, që po ndodh vitet e fundit, të cilët më vonë pritet po ashtu të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.
“Fatkeqësisht është në rritje dhe ka me shku në rritje besoj në vitet tjera, sidomos për pjesën e qytetarëve të cilët tash janë duke migruar jashtë me profesione të ndryshme”, ka theksuar Qenan Bardhaj nga OJQ “Syri i Vizionit”.
Prej vitit 2009, kur ka filluar aplikimi për lirim nga shtetësia, sipas të dhënave në ofiqari, nga shtetësia kanë hequr dorë së paku 3 mijë e 500 mërgimtarë nga Peja.
Por ky numër nuk është real, nisur nga fakti se për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës mërgimtarët aplikojnë edhe në Ambasadat e Kosovës dhe ato të dhëna Ofiqaria e Pejës nuk i posedon.