Arbëri

Nga e diela, rreth 120 qytetarë kërkuan ndihmë në QKMF në Han të Elezit

Rreth 120 persona brenda dy ditësh kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit. Me simptoma vjellje, barkqitje dhe marramendje, banorë të fshatit Gorancë të kësaj Komune, po dyshojnë që janë shkaktuar nga uji i pijshëm. Të hënën ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka marrë mostra për të zbuluar shkakun e këtyre simptomave. Nga Komuna thonë se do t’i presin rezultatet e analizave.

Ruhi Kryeziu së bashku me nënën dhe tri vajzat e tij, një ditë më parë kanë kërkuar ndihmë mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.

Me simptoma të njëjta, vjellje, barkqitje dhe marramendje, nga e diela aty kanë kërkuar ndihmë rreth 120 pacientë, të gjithë nga fshati Gorancë.

Ata po dyshojnë se janë helmuar nga uji i pijshëm, por po presin analizat e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, pasi testimit të mostrave të marra të hënën.

“Ne kemi marr trajtim, simptomat i kemi pasur me barkqitje dhe me vjellje dhe të mëdha jo kështu të vogël, diku trajtim kanë marrë rreth 80 për qind e fshatit... Ne kemi ende ngapak dhimbje në bark, por kemi marrë infuzione, kemi marrë barna dhe po mundohemi që ta trajtojmë”, ka thënë Ruhi Kryeziu, banor i fshatit Gorancë.

Banorët e fshatit Godancë furnizohen me ujë të pijshëm nga një rezervuar i vendosur mbi fshat, e i cili mbushet nga dy burime.

“Ne jemi duke e përdorur një ujë të pijshëm që vije nga dy burime. Njëri është 1000 metra poshtë dhe tjetri 500 dhe këto dy burime bëhen bashkë dhe vije uji në rezervarë dhe furnizohet fshati. Momentalisht i kemi lajmëruar banorët që të mos përdorin atë ujë deri sa të bëhen analizat. Ky ujë përdorët me vite, nuk kemi pasur probleme, por nuk e dimë çka ka ndodhur a prej reshjeve”, ka thënë Shefket Lusnjani – administrator i fshatit Gorancë.

Ka treguar se nga njëri burim që mbushet rezervuari është lëshuar pas funksionalizimit të pompës, para dy javësh, pas një ndërprerjeje që kishte ndodhur afro 4 vjet më parë.

Në QKMF në Han të Elezit mesditën e së hënës kishte më pak fluks të pacientëve, por kryeinfermierja Besjana Bushi-Thaçi, ka treguar se kanë pranuar rreth 40 pacientë deri në atë kohë.

“Që nga dita e djeshme kemi pasur një fluks të madh të pacientëve që kanë kërkuar trajtim në qendrën tonë. Simptomat kryesore të tyre ishin vjellje, barkqitje, marramendje dhe plogështi. Nga dita e djeshme ka shkuar çdo orë e më shumë rritja e kërkesave për shërbime që kanë kërkuar trajtim, ky avaz ka vazhduar edhe më tutje. Ka vazhduar edhe dita e sotme”, ka thënë Besjana Bushi-Thaçi, kryeinfermiere në QKMF në Han të Elezit.

Ajo ka shtuar se nga 120 pacientë që kanë kërkuar ndihmë, dy në gjendje më të rëndë janë referuar për në Spitalin e Ferizajt, ndërsa të tjerët pas trajtimit janë liruar për në shtëpi. Edhe pacientët që janë trajtuar në Ferizaj janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë liruar nga spitali.

E kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi, ka thënë se për rastin është njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, zyrtarët e të cilit kanë marrë mostrat për të bërë analiza.

“Deri para rreth një ore diku rreth 100 persona kanë kërkuar ndihmë, vijnë herë pas here persona, por jo në mënyrë masive, ka rënë numri siç ka qenë nga dita e djeshme në orët e vona të mbrëmjes, ka thënë Ballazhi.

Në terren kanë dalë edhe zyrtarë komunalë të shoqëruar edhe nga Policia e Kosovës.

Javën e kaluar mbi 200 persona në Kaçanik kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të helmimeve, që kanë rezultuar të jenë për shkak të ujit të pijshëm që nuk i ka plotësuar standardet.