Disa burgje e qendra paraburgimi i kishte vizituar nëpër Kosovë, shkaku i angazhimeve në Komisionin për Legjislacion, por njërën prej tyre e kishte shmangur qëllimisht deri tani.
Dhe me t’u emëruar ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në vizitën e saj të parë zyrtare, erdhi në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, e shoqëruar edhe nga drejtori i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, raporton KTV.
Pasi pa disa prej hapësirave të qendrës si kuzhina e biblioteka, interesimi i saj ishte për një qeli të vetme: atë A3, ku kishte qëndruar Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pasi doli nga aty, Haxhiu është ndalur për disa minuta edhe tek një prej dyerve që gjendet në këtë pavijon, e që lidh ndërtesën me objektin e Policisë, për të cilën është shkruar së fundmi.
Haxhiu, ka thënë se Ministria që ajo drejton, nuk do të kursejë ndihmën për institucionet, në këtë rast Prokurorinë Speciale, në hetimet për vdekjen e Deharit, por edhe të vrasjeve të pasluftës.
Edhe drejtori Thaçi, theksoi nevojën që rasti të marrë epilog.
Ministrja Haxhiu ka folur edhe për deklaratat nga PDK-ja e Kadri Veselit, për inicimin e një komisioni hetimor parlamentar për rastin Dehari, por porosia e saj për Veselin ka qenë që t’i mbajë duart larg rastit.
Haxhiu bëri të ditur se ka pranuar edhe dy raporte nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, që lidhen me rastin Dehari, e të cilat është duke i analizuar.
Përveç rastit Dehari, në vizitë janë diskutuar edhe kërkesat dhe sfidat e Shërbimit Korrektues, si dhe nevoja për një ligj të veçantë.