Firma mbi flamurin kombëtar në prag të shënimit të 28 Nëntorit, më 2018; vendosje e shuplakave të duarve mbi të në formë betimi; dhe buzëqeshje të mëdha në fytyrat e të dyve. Ky, me gjasë, është momenti më i freskët kur dy liderët e dy shteteve shqiptare mund të kujtohen për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri.
Nga ajo kohë, tash e një vit e gjysmë, marrëdhënia e Ramës ende kryeministër i Shqipërisë dhe e Haradinajt, deri para pak javësh kryeministër i Kosovës, është përcjellë me akuza, fyerje e në fund edhe me padi.
Në kohën kur liderë të vendit dhe të huaj po flisnin gjithnjë e më shumë për ndarje ose edhe për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë, kryeministri i atëhershëm Haradinaj vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe në fund të nëntorit 2018. Me këtë, bisedimet Kosovë – Serbi u ndalën, e më vonë Haradinaj, në disa raste, potencoi se kjo taksë ndali planin për ndarje të Kosovës.
Ngadalë, Haradinaj fitoi “armiq” të brendshëm e të jashtëm, për të cilët fliste, por me kujdes dhe pa emra.
Kështu ishte deri në Samitin e Berlinit, në fund të prillit 2019.
Aty, sipas Haradinajt, ai ishte i vetëm në mbrojtje të taksës. Akuzoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se i kishin bërë presion para liderëve perëndimorë për heqje të taksës. Thaçi e tejkaloi me lehtë situatën, kurse Rama u ndal më shumë. Dhe, këtu nisi sherri i vërtetë mes dy kryeministrave.
Shpërthimi në Berlin

Haradinaj, pas Samitit të Berlinit, foli gjerë e gjatë.
“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhur edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Edhe presidenti, edhe Edi Rama, më shumë bënin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin që me respektu qëndrimin e kancelares Merkel dhe të Macronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humbë. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Macron. Unë u kam thënë që ai vendim është marrë nga zori”, pati deklaruar Haradinaj në intervistat e shumta.
Haradinaj tha se priste që edhe Rama e Thaçi të kishin qëndrime të përafërta me të.
Por, thotë se u zhgënjye.
“Kur të thotë presidenti yt dhe kryeministri i vendit tjetër, i bie që veç ti po e pengon këtë proces. Kjo nuk është në rregull”, pati thënë ai.
I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës. Pos akuzave ndaj Haradinajt, ai foli edhe për mundësinë e lëshuar nga Kosova, sipas të cilit, ishte ofruar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Si rregull, udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t'i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë ‘burra të mirë’ para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar”, tha Rama. “Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kanë nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kanë kërkuar me shumë durim kryeministrit Haradinaj, jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë”, pati thënë Rama duke pohuar se i ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës në dy momente që ta pranojë këtë kërkesë.
Padia e Ramës ndaj Haradinajt në ditën kur u shënua Masakra e Reçakut

Fërkimet mes tyre vazhduan në ditët e javët në vazhdim. Sa nëpërmjet rrjeteve sociale e sa nëpërmjet intervistave që dy udhëheqësit jepnin.
Si pasojë e këtyre, Rama vendosi të padisë Haradinajn për shpifje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Padinë, avokatët e tij e dorëzuan më 15 janar 2020, në ditën kur u shënua 21-vjetori i Masakrës së Reçakut.
Rama foli pak për thelbin e padisë.
“Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë”, pati thënë më herët Rama.
Haradinaj, pak kohë pasi u bë publik lajmi për padinë ndaj tij, doli me një status në Facebook, ku shkroi: "Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë".
Tërmeti bashkoi të gjithë shqiptarët, por jo edhe Ramën e Haradinajn
Marrëdhëniet e tyre nuk ishin përmirësuar as kur Shqipëria u godit nga tërmeti në fund të nëntorit 2019. Tërmeti i fuqishëm që goditi Durrësin më rrethinë, la rreth 50 të vdekur, shumë të plagosur e mijëra shtëpi të rrënuara apo të dëmtuara.
Qeveria e Kosovës në krye me Haradinajn, ofroi ndihmë në kohë rekorde. Nisi njësitet e specializuara të FSK-së, dhuroi 500 mijë euro, e ndërkohë shumë kosovarë nisën aksione për mbledhjen e ndihmave për t’i dërguar në zonat e prekura. U përfshinë edhe shumë biznese.
Rama në vazhdimësi falënderonte të gjitha shtetet që po i dilnin Shqipërinë në ndihmë.
Te rasti i Kosovës, shmangi Haradinajn.
E, Haradinaj, më vonë, tha se Rama as nuk ia hapi telefonin kur e mori pas tërmetit.
“Është bërë e pamundur për t’u lidhur me Kryeministrin. Një numër që mban ai (Rama v.j.) nuk di si ta arrish në telefon. Unë e kam provuar kryeministrin dhe ka qenë vështirë, ai s’mban fare telefon dhe s’ka një person që mund të komunikosh në të tillë situatë me të”, u shpreh Haradinaj për “ABC News”.
Përplasja e madhe për Mini-Schengenin
Ideja për një zonë të lirë mes vendeve të Ballkanit, për qarkullim të njerëzve dhe mallrave, është quajtur Mini-Schengen. Dhe si iniciativë ka nisur në Serbi. Deri më tash janë mbajtur tri takime për këtë nismë, por kryesisht kanë marrë pjesë krerët e shteteve si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. I pari është mbajtur në Serbi, i dyti në Maqedoni dhe i treti në Shqipëri.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë, duke thënë se nuk ka interes të marrë pjesë në një organizatë me kryeqendër Beogradin. E ka quajtur edhe Jugosllavi të re.
E kjo iniciativë nuk kaloi pa përplasur Haradinajn e Ramën.
Në takimin e mbajtur në Durrës, për Mini-Schengenin ballkanik, kryeministri Rama tha se Kosova u vetëpërjashtua dhe kjo është në dëm të saj. Haradinaj u përgjigj për këtë dhe për një deklaratë tjetër të Ramës, se “nëse Haradinaj do të dëgjonte presidentin francez Emmanuel Macron për të hequr taksën, tani Kosova do të kishte liberalizimin e vizave”.
“Nëse Ramës po i dhimbsen kosovarët, t’ua heqë atë taksën e Kukësit dhe atëherë i kishim besuar edhe të tjerat”, u përgjigj Haradinaj.
Në komunikimin e Ramës me gazetarët pas konferencës së zhvilluar mes Aleksandër Vuqiçit e Zoran Zaevit, Rama nuk u kursye ndaj Haradindajt, duke përdorur për të epitet të rëndë.
“Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri. Gënjen nga padija apo me qëllim nuk kam arritur ta zbuloj. Por është një gënjeshtar. Nuk pati kusht për Kosovën”, tha Rama.
Konflikti vazhdon edhe pasi njëri nuk është kryeministër

Haradinaj ka disa javë që nuk është kryeministër. Ai është pasuar nga Albin Kurti.
Por, edhe pa ndonjë pozitë institucionale, Rama ka vazhduar ta thumbojë. Rasti i fundit është ky i së dielës, kur kryeministri i Shqipërisë uroi Kurtin për heqjen e pjesshme të taksës ndaj Serbisë dhe akuzoi Haradinajn se po mundohet ta përbaltë atë.
“Albin Kurti është në rrugën e duhur. Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit. Do t’i duhet të përballet me etiketën e ‘tradhtarit’ po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës”, ka shkruar Rama në Twitter. Më pas, po në Twitter, ka kritikuar direkt Haradinajn, për kritikat që i ky i fundit ka bërë ndaj Kurtit për heqjen e taksës.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë. Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës”, ka shkruar tutje Rama.
E, Haradinaj reagoi menjëherë, por ai zgjodhi Facebookun.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit (Sergey, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë v.j.). Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, ka shkruar Haradinaj.
Marrëdhënia e tyre është dëshmi se sa shumë gjëra mund të ndodhin brenda një viti e gjysmë, nga “betimi mbi flamur” në nëntorin e 2018-s e deri më sot.