Ky çift i moshuar nga Prizreni ka ardhur në Klinikën e Mushkërive në QKUK për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Shkak i kësaj vizite të tyre në këtë klinikë është bërë keqësimi i gjendjes shëndetësore, si pasojë e ndotjes së ajrit që po vazhdon në Kosovë, raporton KTV.
Thonë se ditëve të fundit, pasi janë të diagnostikuar me sëmundje kronike, atyre u është vështirësuar jashtëzakonisht frymëmarrja nga ajri i ndotur.
Ndërsa, familjarët e pacientëve të shtrirë në Klinikën e Mushkërive kërkojnë që institucionet të marrin masa për ta ulur sado pak ndotjen e madhe të ajrit.
E brenda këtij muaji, sipas mjekëve të kësaj klinike, është rritur numri i personave që kanë kërkuar trajtim ambulator, shkaku i ajrit të ndotur.
Nga mbi 50 persona që vijnë për kontroll nga problemet me mushkri, më shumë se gjysmës së tyre u është keqësuar gjendja shëndetësore për këtë arsye.
Rukije Mehmeti, drejtoreshë në Klinikën e Mushkërive thotë se nga ndotja e madhe e ajrit nuk rrezikohen vetëm pacientët me sëmundje kronike, por edhe personat me shëndet të mirë.
Në botë llogaritet se nga sëmundja e mushkërive, vetëm brenda vitit, vdesin rreth 3 milionë njerëz, ndërsa në Kosovë, ky numër shkon deri në 200 pacientë, tregojnë mjekë në QKUK.
Shkaktar kryesor i ajrit të ndotur llogaritet të jetë Korporata Energjetike e Kosovës dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, sikurse edhe djegia e derivateve nga veturat e vjetra.