Arbëri

Nga 11 festat zyrtare në Kosovë, gjashtë prej tyre fetare

Janë 11 festa zyrtare në Kosovë, 6 prej të cilave janë fetare. 

Në Maqedoninë fqinje festat fetare festohen vetëm nga grupi të cilit i përkasin dhe të tjerët vazhdojnë të punojnë. 

Në Kosovë është diskutuar që festat fetare duhen larguar nga lista e atyre shtetërore, por prijësit fetarë e mendojnë të kundërtën.

“E gjithë bota duhet të na marrë shembull”, kështu thotë kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim Fazliu, për festat fetare, që sipas të cilit nuk janë të tepërta.

E sipas Don Agim Qerkini, famullitar i Prishtinës, nuk ka festë pa mysafirë, andaj edhe festat fetare në Kosovë janë unike për shkak të urimit dhe mirëpritjes së mysafirëve nga besimet e ndryshme.

Pushim vetëm për besimtarët e fesë së caktuar hoxha thotë se nuk mund të bëhet në Kosovë.

Për famullitarin 6 festa fetare brenda vitit nuk janë shumë, por për bartjen e tyre nga ditët e vikendit në ditë pune mund të bëhet ndryshim. Ai po ashtu shton se Kosovës i mungon edhe një festë e cila duhet t’i shtohet kalendarit të festave zyrtare, ajo e Ditës së Nënës Terezë, si ditë e bamirësisë.

E profesori universitar, Mazllum Baraliu, e quan “fontanë dëshirash” përmbledhjen e ligjit të festave zyrtare. Sipas tij, festa fetare është çështje personale dhe nuk është e nevojshme të përfshihet në festë shtetërore.

Kosova është vend laik ku 96% e popullsisë i takojnë fesë myslimane, 2.2% asaj katolike, e 1.5% ortodokse, por bashkëjetesa fetare gjithnjë ka qenë shembull i shqiptarëve i cili vazhdimisht i ka veçuar dhe bartur brez pas brezi.

Nga festat fetare që festohen nga të gjithë përfshihen Krishtlindjet e Pashkët krishtere dhe ortodokse si dhe Fitër e Kurban Bajrami.