Arbëri

Nga 10 në 45 euro, çmimi mujor i parkingut të madh i papërballueshëm për administratën publike

Me vite për parkimin e veturave të tyre në parkingun e madh me laura, që gjendet prapa “Pallatit të Rinisë”, kanë paguar nga 10 euro. Mirëpo nuk do të paguajnë këtë shumë tash e mbas. Kjo ndodh pas rregullores së re të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.

Zyrtarët publikë që punojnë përreth asaj zone, duke përfshirë edhe rreth 50 policë të stacionit “Qendra”, tanimë për parking mujor do të paguajnë 45 euro.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqir, ka thënë se edhe pse tanimë policët kanë filluar pagesën për parkim, për ta kjo gjë është e papranueshme.

Duke shtuar që shteti nuk ua heq transportin policëve, ata duhet të sigurojnë vetë ardhjen në punë dhe obligimi për parkim me këtë shumë të madhe për ta është i papërballueshëm, duke pasur parasysh pagat e policëve.

“Edhe ne kemi pasur njohuri për rregulloren e re të ‘Prishtina Parkingut’ me të cilën nuk jemi pajtuar, realisht ne kemi filluar një dialog me kryeshefin z. Sokol Havolli. Ne kemi kërkuar që së paku ta kemi çmimin e njëjtë të cilin e kemi pasur më herët. Ndoshta do të duhej që të ishte edhe komplet pa pagesë, zyrtarët policorë që udhëtojnë larg nuk u paguhet udhëtimi, që është edhe kjo kërkesë e jona. Në këtë kohë edhe derivatet kushtojnë shumë edhe po ta paguaj 45 euro parkingun duke marrë parasysh edhe shpenzimet e tjera ditore ne punë, nuk e di se çfarë do të mund të kursejë ai zyrtar për familjen e tij”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri, edhe pse tha që nuk kanë hasur në mirëkuptim të plotë nga kryeshefi i ‘Prishtina Parkingut’, ai u shpreh optimist për zgjidhjen e këtij problemi.

Në të kundërtën, do t’i drejtohen kryetarit Përparim Rama.

“Ne po shpresojmë që do të kemi një përgjigje pozitive nga kryeshefi apo nëse jo nga ai, atëherë ne kërkesën do ta adresojmë te kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, z. Rama. Ne shpresojmë që të kemi mirëkuptim sepse kryetari Rama vitin e kaluar ka liruar nga pagesa në linjat e autobusëve urbanë zyrtarët policorë, po ashtu edhe muajin e kaluar ka bërë edhe lirimin e pagesës për po të njëjtit zyrtarë policorë për kontrolle mjekësorë te QMF-të e kryeqytetit”, ka thënë Zeqiri.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje për këtë çështje edhe nga kryeshefi Sokol Havolli, mirëpo ai nuk ka pranuar që të deklarohej.

Ajo që e ndihmoi votimin e kësaj rregulloreje më 21 dhjetor të vitit të kaluar ishte edhe opozita.

Edhe pse u votua nen për nen rregullorja, asamblisti i LVV-së, Feim Osmani, e ka pranuar që rregullorja ka të meta.

“Unë edhe vetë jam prononcuar duke thënë që kjo nuk është rregullorja më e mirë e mundshme. Me aq sa kemi pasur mundësi të intervenojmë, ato të meta që janë po shpresoj që në të ardhmen do të rregullohen. Ministria e Drejtësisë e ka dhënë një opinion që ka të bëjë me shqiptimin e gjobave ato sipas ministrisë duhet të kalojë në kompetencat e Drejtorisë së Inspektoratit. Ne jemi duke e analizuar komplet rregulloren dhe nëse vjen prapë në votim ne do ta shqyrtojmë”, ka thënë ai.

Rregullorja thotë që parkimi mujor në zonën I, në parkingun me laurë, sipas nenit 1.1.3, bart kosto prej 45 eurosh në muaj ose 450 euro në vit.

Vetëm nga parkimi i rreth 50 zyrtarëve policorë në muaj në këtë parking ”Prishtina Parking” fiton 2. 250 euro në muaj.

Aktualisht, sipas Zeqiri, një kadet për shërbimin në Policinë e Kosovës paguhet 450 euro, kurse një polic i ri 490 euro.