Gjashtë javë kanë mbetur nga fillimi i udhëtimit të qytetarëve pa viza në zonën Schengen. Në Agjenci turistike presin fluks udhëtarësh, por paralajmërojnë edhe shtrenjtim të aviobiletave. E nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës kanë bërë të ditur se janë zgjeruar hapësirat për të përballuar fluksin
Jon Gashi është student i vitit të parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe nuk ka udhëtuar asnjëherë në vendet e Bashkimit Evropian.
18-vjeçari beson se, që nga 1 janari, udhëtimi pa viza do t’i hapë shumë mundësi për vizita të ndryshme.
“Shumë të rinj nuk kanë pasur mundësi me i vizitu shtetet e jashtme me shiju natyrën, ndoshta edhe me vizitu vende që kanë pasur qejf edhe më përpara. Do të thotë vende historike, p.sh. qysh është ku gjendet helmeta e Skënderbeut e këto gjëra. Do të thotë besoj që çdo i ri ka qejf me i pa edhe vetë, jo vetëm në foto”, ka thënë Gashi.
Të gjithë qytetarët kosovarë që kanë planifikuar udhëtimin pas më pak se dy muajve, duhet të kenë dëshmi kthimi, dëshmi për qëllimin e udhëtimit, mjete financiare të mjaftueshme që nënkupton 80 euro për një ditë qëndrimi, si dhe të mos kenë udhëtuar për më shumë se 90 ditë në 6 muajt e kaluar.
“1. Dëshmi e kthimit (bileta e avionit, etj); 2. Qëllimi i udhëtimit (rezervimi i hotelit, letër ftuese ku potencohet adresa e saktë dhe nr i telefonit të ftuesit etj.); 3. Mjete financiare të mjaftueshme (çdo ditë qëndrimi e planifikuar llogaritet 80 euro, dmth nëse planifikoni pesë ditë qëndrimi në zonën Schengen, duhet të keni 400 euro me vete); 4. Të mos keni udhëtuar për më shumë se 90 ditë në 180 ditët e kaluara (tejkalim kohës së lejuar). Sqarim: 180-ditëshi kontrollohet nga data aktuale kur mendoni me hy në zonën Schengen”, thuhet në udhëzuesit, të cilët tash e disa javë po u shpërndahen qytetarëve në të gjitha komunat.
E në agjenci udhëtimi presin rritje të fluksit pas 1 janarit.
“Numri që ka qenë deri tani për pushime në këto shtete ka qenë shumë simbolik, mund të them me disa qindra udhëtarë në të gjithë Kosovën, ndërsa prej janarit ose më mirë me thënë prej vitit të ardhshëm, verës së ardhshme pritet që ky numër të shumëfishohet dhe të arrijë në dhjetëra mijëra udhëtarë”, ka deklaruar Alban Beqiri, drejtor i një agjencie turistike në vend.
Në Aeroportin e Prishtinës kanë njoftuar se për shkak të fluksit të udhëtarëve, që pritet të jetë pas 1 janarit, janë shtuar hyrje - daljet nga 8 në 12, dhe janë zgjeruar hapësirat e terminalit me mbi 2000 metra katrorë.
E, bashkë me rritjen e fluksit pritet të ngrihen edhe çmimet e udhëtimit.
“Gjithmonë dihet që çmimin e përcaktojnë në tregun e lirë kërkesa dhe oferta. Në këtë rast oferta do të rritet shumë, por kërkesa do të rritet po ashtu shumë. Kështu që, nuk e dimë se sa do të jetë proporcioni i këtyre dy faktorëve. Mirëpo, në muajin e parë unë mendoj që çmimet do të rriten, mirëpo gradualisht çmimet do të bien shumë më lirë sesa që kanë qenë këtë vit ose viteve të kaluara”, ka thënë Beqiri.
Në disa agjenci kanë thënë se në pjesën e parë të janarit aviobiletat për në vendet e Bashkimit Evropian dhe të tjerat që nuk janë pjesë e bllokut, por po të zonës Schengen, do të jenë rreth 350 euro në një drejtim. Sipas drejtuesve të agjencive, çmimi do të përgjysmohet në gjysmën e dytë të muajit janar.