Arbëri

Neziri: Armiqësimi me Kosovën nuk është në interesin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Xhelal Neziri

Xhelal Neziri

Xhelal Neziri, analist politik nga Maqedonia e Veriut, ka thënë se armiqësimi me Kosovën nuk është në interesin e qeverisë aktuale maqedonase.

Ka pasur zëra në rritje që kur VMRO-DPMNE mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut se mund të ndryshohet qasja ndaj Kosovës. Por Neziri nuk beson se ka tendenca të tilla.

“Nuk besoj se ka tendenca të përkeqësimit të raporteve me Kosovën pasi nuk do të ishte në vetë interesin e Maqedonisë së Veriut. Me të vetmin vend që ka suficit tregtar Maqedonia është Kosova. Bën më së shumti eksport. Armiqësimi me Kosovën nuk është në interes të kësaj qeverie dhe nuk do të ishte as në interes të ekonomisë maqedonase. Marrëdhëniet e mira me Serbinë janë një lloj tradite e politikës maqedonase”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Nezirit, kjo qeveri testin e vërtetë do ta ketë nëse do të bëjë ndryshimet kushtetuese. Kjo, siç thotë analisti, do të përcaktojë se në cilën anë është qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Hristijan Mickoski e që pjesë e saj është edhe koalicioni shqiptar VLEN.

“Do të jetë e rëndësishme për këtë qeverisje votimi i ndryshimeve kushtetuese që është obligim nga marrëveshja me Bullgarinë. Këto ndryshime të Kushtetutës janë kusht për t’i hapur kapitujt e parë të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Këtu do të shihet se nga cila anë është kjo qeveri”, ka shtuar Neziri.

Analisti Neziri ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po shfrytëzon momentumet politike për ta rritur ndikimin në Maqedoni të Veriut.

Dështimi për shkarkimin e kryeparlamentarit të Maqedonisë, Afrim Gashi, Neziri ka thënë se ishte tentim i partisë Levica për të marrë vëmendje, por që nuk gjeti asnjë mbështetje.

“Ishte tentim i partisë Levica për të marrë vëmendje, e cila njihet për qëndrimet ekstreme anti-shqiptare dhe nuk e fsheh përkrahjen për Rusinë. Është parti kontroverse e ekstremit të majtë, e cila nuk gjen asnjë parti me të cilën mund të bashkëpunojë për të arritur qëllimet politike. Dhe në këtë rast nuk pati asnjë mbështetje nga partitë e tjera politike. Levica nuk ka vota për ta shkarkuar kryeparlamentarin. E ka bërë për t’u dukur se janë partia kryesore opozitare”, ka deklaruar Neziri.

Në interpelancën për shkarkimin e Gashit të thirrur për të martën në mbrëmje [sot] nga partia Levica, 72 deputetë votuan kundër dhe 21 pro.

Levica kishte kërkuar shkarkimin e Gashit nga pozita e kryekuvendarit pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit. Në incident qe përfshirë sigurimi i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Vetë Gashi ka thënë se nuk është pishman që ka ndërhyrë pasi pretendon se ka shmangur një tragjedi të madhe.

Fillimisht kishte pasur përplasje mes ekipit të presidentes Osmani dhe sigurimit të aeroportit të Shkupit. Më pas, ka ndërhyrë edhe sigurimi i Kuvendit. Incidenti kishte ndodhur më 1 gusht.