Arbëri

Nesër në “Dardani” nis punën minibiblioteka e parë në kryeqytet

Organizata ETEA njofton se nesër (më 5 nëntor) në orën 15 e 30 minuta do të mbahet ceremonia e hapjes së minibibliotekës së parë në kryeqytet, në parkun e vjetër të Lagjes Dardania.

Sipas njoftimit, minibiblioteka do të jetë e qasshme 24 orë në 7 ditë të javës dhe pas hapjes do të jetë pronë e lagjes dhe nën kujdesin e banorëve të lagjes. Ajo do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave dhe / apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” është mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë. Këtij projekti iu bashkua edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuar me libra dhe mjete financiare.