Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) nëpër komuna të vendit kanë filluar ta zbatojnë rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që pa i testuar fare t’i diagnostikojnë personat e dyshuar se mund të kenë koronavirusin.
E kjo praktikë po zbatohet që nga fillimi i kësaj jave, raporton KOHA.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se marrja e mostrave është ngarkesë shumë e madhe për stafin mjekësor.
Krasniqi shtoi se me rekomandim të IKSHPK-së mjekët do ta diagnostikojnë sëmundjen e ngjashme me COVID-19 derisa, sipas tij, diçka e ngjashme po bëhet edhe në shtetet e tjera.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se kjo praktikë megjithatë nuk është e përshtatshme, pasi që do të rritet edhe më shumë numri i rasteve pozitive.
Andaj, QKMF-ja në kryeqytet është duke aplikuar edhe testimin serologjik.
Edhe QKMF-ja në Fushë-Kosovë ka filluar ta zbatojë këtë metodë të rekomanduar nga IKSHPK-ja.
Sipas IKSHPK-së, duke u bazuar në rekomandimet e OBSH-së, personat pa simptoma duhet të qëndrojnë në vetizolim dhe të testohen vetëm ata me simptoma si dhe ata me sëmundje të rënda kronike, ose ata që ishin në kontakt të ngushtë me një të infektuar.