Arbëri

Nëntë muaj zvarritje për ngritjen e Bursës për energjinë elektrike Shqipëri-Kosovë

Ngritja e bursës së përbashkët të të dyja shteteve ka tejkaluar çdo afat ligjor, ndërkohë që nga data 1 janar 2022 do të nisë edhe dalja në treg të lirë e bizneseve të lidhur në tensionin 20 KV, që sipas të dhënave zyrtare vetëm në Shqipëri janë rreth 7.500. Ngritja e bursës shqiptare të energjisë nënkupton listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, çka do të rrisë konkurrencën, si dhe do të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjitha bizneset që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Nga ana tjetër, pritet që tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët

Tiranë, 26 dhjetor - Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike Shqipëri - Kosovë (ALPEX) nuk ka rihapur ende tenderin për ngritjen e një prej instrumenteve më të rëndësishëm për sektorin elektro-energjetik, duke krijuar vonesa të tjera në këtë drejtim.

Kjo zvarritje ndodh, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një muaj nga vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Përmes një vendimi të datës 22 nëntor, KPP-ja pranoi disa prej ankesave të kompanisë sllovake “Sfera”, për tenderin e bursës së energjisë, që pretendonte se kërkesat e tenderit ishin diskriminuese dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Autoriteti kontraktues, që në këtë rast është Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike – ALPEX, ishte e detyruar të kryente modifikimet përkatëse në dokumentet e tenderit, çka më pas duhet t’i hapte rrugën zhvillimit të tenderit për ngritjen e bursës së energjisë.

Ngritja e saj ka tejkaluar çdo afat ligjor, ndërkohë që nga data 1 janar 2022 do të nisë edhe dalja në treg të lirë e bizneseve të lidhur në tensionin 20 KV, që sipas të dhënave zyrtare vetëm në Shqipëri janë rreth 7500. Ngritja e bursës shqiptare të energjisë nënkupton listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, çka do të rrisë konkurrencën, si dhe do të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjitha bizneset që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë.

Nga ana tjetër, pritet që tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët, ndërsa prodhuesit do të kenë mundësi të shesin e blejnë, duke u bërë pjesë e platformave rajonale të tregtimit të saj.

Mst: Bursa duhej të ishte funksionale në 3-mujorin e parë të 2022-s

Në fakt, vetëm pas finalizimit me sukses të bursës, do të mundësohet ngritja e Platformës Elektronike e Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda të njëjtës Ditë për Operimin e Tregut të Organizuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas deklaratave të autoriteteve në Shqipëri e Kosovë, bursa do të ishte funksionale në 3-mujorin e parë të këtij viti, por ngritja e këtij instrumenti të rëndësishëm po pasohet nga vonesa të njëpasnjëshme. Pas procedurës së parë të hapur të muajin mars, tenderi për ngritjen e Platformës Elektronike të Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës u rihap më 21 qershor, por sërish nuk ka arritur të përfundojë me një operator fitues, pasi është anuluar për shkak se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk është në përputhje me kërkesat e Dokumenteve Standarde të Tenderit. Hapja e tenderit erdhi pas përzgjedhjes së aksionarëve të bursës, ku përfshihen operatorët e sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërkohë që, në dokumentet që shoqëronin tenderin, theksohej se volumet e transaksioneve në këtë bursë janë vendimtare për funksionimin e tregjeve të ditës në avancë dhe brenda ditës. Ndaj, si rrjedhojë, të dyja vendet janë zotuar t’i detyrojnë palët dominuese në tregjet e tyre të energjisë elektrike që të tregtojnë pjesë të energjisë së shitur ose të blerë, nëpërmjet bursës. Fillimisht tregu i ditës në avancë dhe brenda ditës do të krijohet me minimalisht dy zona kontrolli, që janë Shqipëria dhe Kosova, duke zbatuar në të ardhmen projekte për bashkimin me tregje të tjera potenciale. Historia e krijimit të bursës së energjisë daton që në vitin 2005 në Athinë ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan memorandumin me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, ndërsa themelimi u bë në fund të vitit 2020 pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë mes operatorëve të të dyja vendeve. Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar më 21 tetor marrëveshjen për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike.

Kryetarët e Enteve Rregullatore dhe administratorët e të dy operatorëve të Sistemit të Transmetimit nënshkruan në Tiranë marrëveshjen mbi bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Aktualisht kjo marrëveshje është e para e këtij lloji midis vendeve të rajonit dhe do të shërbejë si bazë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në rajon. Marrëveshja do të jetë bazë për marrëveshje të tjera të njëpasnjëshme, kushte dhe metodologji që do të miratohen për vënien në jetë të tregut të përbashkët energjetik nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.

Mst: Përkrahja nga SHBA-ja

Pas marrëveshjes të nënshkruar për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, ka reaguar ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim. Përmes një postimi në “Twitter”, ambasadorja shkroi se ky bashkëpunim është i barabartë me fuqi më të madhe negociuese dhe i barabartë po ashtu me çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie.

“Shqipëria dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen për t’i bashkuar tregjet e energjisë elektrike. ‘Bashkim’ = fuqi më e madhe negociuese = çmime më të ulëta dhe më pak ndërprerje energjie. Si pjesë e mbështetjes së SHBA-së për sigurinë energjetike dhe integrimin rajonal, USAID-i do të punojë me Shqipërinë dhe Kosovën për të krijuar shkëmbimin e forcave dhe për të lëvizur energjinë elektrike”, shkroi ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Kriza botërore dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike kanë shtuar nevojën për bashkimin energjetik Kosovë - Shqipëri për të arritur në një treg funksional dhe likuid. Specialistë të fushës së energjisë vlerësojnë se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në treg, që do të ketë ndikim edhe në çmimet e energjisë, por do të nxisë edhe efikasitetin e energjisë. Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në tregjet e energjisë elektrike, si dhe në ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta.

Mst: Si e sheh kryeministri Rama bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri

Në konferencën për shtyp, të mbajtur pas mbledhjes së përbashkët të qeverive më 26 nëntor në Elbasan, pyetjes së grupit KOHA lidhur me faktin se si Shqipëria e Kosova po përballen me një krizë energjetike, si dhe çfarë po bëjnë dy qeveritë për ta përballuar këtë sfidë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u përgjigj: “Po marrim një sërë masash dhe po investojmë për diversifikimin, me parqet fotovoltaike, po investojmë me sjelljen e gazit të lëngshëm përmes TEC-it të Vlorës, që do të vihet në funksion së shpejti, në bashkëpunim me qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kompaninë amerikane, po investojmë për Skavicën dhe patjetër që është e domosdoshme që të thellojmë bashkëpunimin me Kosovën në këtë aspekt për dy arsye. E para, sepse thellimi i bashkëpunimit me Kosovën dhe unifikimi i tregut të energjisë na jep mundësi që të balancojmë, pra na jep mundësi që, kur ne kemi më shumë sesa na duhet, nga pikëpamja e reshjeve dhe burimeve të drejtpërdrejta që vijnë nga reshjet, ne t’ia kalojmë Kosovës dhe Kosova e ka më të thjeshtë nga kjo pikëpamje, sepse duke e pasur energjinë kryesisht nga termocentrali, termocentrali fiket e ndizet”.

Sipas tij, interkonjeksioni është një gjë e madhe që tanimë është realitet.

“Ka një ndërveprim të vazhdueshëm mes institucioneve përkatëse, që lidhen me prodhimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë dhe e ardhmja e do këtë gjë. Arsyeja tjetër është që, duke pasur përpara një kohë shumë të vështirë dhe një sfidë shumë të madhe sa i përket kushteve të reja që do vendosen mbi vendet që kanë energji që buron nga qymyri dhe taksës së karbonit, që është rrugës, duke ardhur drejt nesh dhe gjithë vendeve, atëherë Shqipëria del me një avantazh natyral për shkak se e ka të gjelbër dhe në këtë funksion, sinergjia me Kosovën e pas 10 vjetëve, duhet të përgatitet që sot, në mënyrë që Kosova të mos ta vuajë në mënyrë dramatike taksën e karbonit, që është rrugës për të gjitha vendet që e bazojnë prodhimin e energjisë te karboni”, tha Rama.