Arbëri

Nëntë muaj punë të Institutit për Krime të Luftës, 15.8 terabajt informacion

Instituti i Krimeve të Luftës për nëntë muaj punë, prej kur është funksionalizuar, ka pranuar dokumentacione të ndryshme nga gjithsej 67 burime. E, sipas kryeministrit Albin Kurti, nëse kjo përkthehet në hapësirë kompjuterike, atëherë bëhet fjalë për 15.8 terabajt informacion. Drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, e vlerësoi si progres modest grumbullimin e materialeve të deritashme

Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë të hënën ia ka dorëzuar Qeverisë raportin 1-vjeçar të dokumentimit dhe hulumtimit të krimeve të luftës.

Kryeministri Albin Kurti pas vizitës në këtë institut e ka cilësuar atë si institucion thelbësor për ruajtjen e së vërtetës historike.

Teksa u ka bërë thirrje qytetarëve të kontribuojnë me dorëzimin e dëshmive të krimeve të luftës nga Serbia, ka thënë se deri më tash është grumbulluar material nga 67 burime të ndryshme. 

“Nëse do t’i rendisim si folldera në këmbë do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo e thënë ndryshe 15.8 terabajt informacion është grumbulluar gjatë këtyre nëntë muajve ku bëjnë pjesë videoxhirime, audioxhirime, fotografi e gjithashtu tekste të ndryshme në një gjatësi prej 189 metrash të këtyre folderëve po të renditeshin në këmbë e të cilët mbahen të sigurt këtu. Janë 67 burime gjithsej prej nga janë grumbulluar materiali dhe dokumentacioni. Këtu bëjnë pjesë ministritë, bëjnë pjesë komunat, organizatat joqeveritare, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarë por edhe koleksionistë të ndryshëm të cilët kanë dorëzuar materialet e tyre”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, Kurti është shprehur se përgatitjet janë komplekse dhe se po zhvillohen jashtë syve të opinionit publik.

E drejtori i Institutit për Krime Lufte, Atdhe Hetemi, ka thënë se gjatë këtyre muajve është shënuar progres në grumbullimin e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Tashmë Kosova e ka një institut, i cili do të shërbejë si pikë grumbullimi i të gjitha materialeve që dokumenton krimet e kryera në Kosovë, gjë që ka munguar. Ne kemi shënuar një progres modest do të thosha, kjo ka ardhur si rezultat i angazhimit tonë edhe si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme që e kemi pasur nga qeveria, ministritë e linjës, komunat e Republikës së Kosovës, organizatat joqeveritare, gazetarët dhe mediat dhe të gjithë të tjerët”, ka thënë Hetemi.

Instituti i Krimeve të Luftës është funksionalizuar më 17 shkurt të këtij viti, me ç’rast ishin dorëzuar dokumentet e para nga kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci.