Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti, për katër vjet i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se “ai që synon të përçajë shqiptarët, s’mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe e as në krizë”.
“Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare. VV-ja është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm. Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues. Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh. Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh edhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, të dielën e ka ftuar zyrtarisht kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takim.
Në letrën drejtuar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa orare për takimin eventual.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ftesa të tilla për konsultime për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë së re, siç ka marrë vesh KOHA, nuk u janë përcjellë edhe dy subjekteve të tjera politike: Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Reagime ndaj ftesës ka pasur edhe nga zyrtarë tjerë të LDK-së.
Jehona Lushaku-Sadriu, që është zgjedhur si deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka thënë se “Kurti është dëshmuar si përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare”.
“Albin Kurti ka dëshmuar se ishte përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare. Qasja e tij arrogante dhe përjashtuese ka dëmtuar komunikimet normale politike ndërpartiake në vend. Tani, kur si parti fituese nuk arrin të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet joshumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit. E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së. Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
E Paris Guri, që po ashtu është zgjedhur deputet në legjislaturën e ardhshme, i ka thënë Kurtit “t’i lë filmat”.
“Përçarësi më i madh i popullit, pasi që s’la kënd pa e sharë, ofenduar e etiketuar, tani po mundohet ta gjejë fajin e dështimit të tij te PZAP. Nëse e kishe pasur me të vërtetë luftën me Listën Serbe, do të kishte qenë shumë e thjeshtë: Përmes Ministrisë së Brendshme e kishe shpallë organizatë terroriste; Nuk ishe koordinu me Radoiçiqin; Dhe, krejt e fundit, nuk e kishe pritë në zyrë Adem Hodžën. Lej filmat zotëri!” – ka shkruar Guri.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se po qeveris me arrogancë e me konfrontim, duke thënë se Kurti nuk kërkoi asnjëherë bashkëpunim të sinqertë me partitë opozitare.
Xhaferi ka shkruar në Facebook të hënën se shqiptarët patën mundësi unike për bashkëpunim kombëtar, por sipas tij, “Kurti në vend që ta shfrytëzonte këtë kapitull të rrallë, zgjodhi përçarjen”.
Sipas deputetit të LDK-së, thirrjet e Kurtit për unitet “janë të vonshme dhe të pambështetura”.
“Me opozitën, ai nuk kërkoi asnjëherë bashkëpunim të sinqertë. Bashkëqeverisja në demokraci nuk është shenjë dobësie, por pjekurie politike – një pjekuri që Kurti as nuk e kultivoi, as nuk e dëshmoi. Sot, thirrjet e tij për ‘unitet’ janë të vonshme dhe të pambështetura. Nuk mund të kërkosh solidaritet, kur ke ndërtuar karrierën mbi ndarjen. Një qeverisje që ndërtohet mbi dominim dhe arrogancë, nuk mund të prodhojë stabilitet. Dhe një lidership që refuzon të bashkëpunojë, nuk mund të pretendojë legjitimitet për të udhëhequr procese të mëdha shtetërore”, ka thënë ai.
Xhaferi shtoi se kryeministri Kurti e ktheu “përjashtimin në normë politike”.