Arbëri

Negocimi mes partive për pozitën e presidentit, përcaktues për stabilitetin e institucioneve

Krahas negociatave për formimin e qeverisë së re, njohësit e zhvillimeve politike po e shohin si temë kyçe edhe zgjedhjen e presidentit. Mandati i presidentes aktuale përfundon në prill të vitit të ardhshëm. Nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri atëherë, Qeveria do të jetë jetëshkurtër, meqë moszgjedhja e presidentit imponon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pa kompromis mes partive më të mëdha politike për zgjedhjen e presidentit, qeveria e ardhshme nuk do të mund të mbijetojë më shumë se një vit, thonë njohësit e zhvillimeve politike.

Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri në prill 2026 dhe Kushtetuta e parasheh që një muaj më herët duhet të nisë procedura për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërtën, vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Politologu, Artan Muhaxhiri, thotë se deri më tani nuk ka indikacione se partitë politike po negociojnë lidhur me çështjen e presidentit, por kjo sipas tij, do të jetë e pashmangshme.

Zgjedhja e presidentit të ri, sipas Muhaxhirit, është test i madh për spektrin politik.

“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion se është duke u biseduar për këtë temë, por kjo temë është e pashmangshme e veçanërisht duke e parë situatën jo fort të volitshme mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti... Absolutisht edhe PDK-ja dhe LDK-ja do ta kenë ndikimin e vet, nuk do t’ia falin votat, sepse herën e kaluar ka qenë situatë e jashtëzakonshme, për shkak të dallimit të madh të Lëvizjes Vetëvendosje edhe të marrëdhënies së presidentes Osmani me LDK-në, prandaj edhe kemi ardhur në atë pozitë, por tash është krejt ndryshe, sepse konteksti ka ndryshuar dhe do të duhet që të ketë kompromise të mëdha dhe harmonizime shumë të mëdha në mënyrë që të arrijmë te përfundimi i këtij procesi”, ka deklaruar ai.

Vlerësime të ngjashme japin edhe analistë të tjerë politikë të cilët e shohin të domosdoshme bashkëpunimin mes partive për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit.

“Ne jemi dëshmitarë dhe kemi përvojën dhe rëndësinë që ka zgjedhja e presidentit, po ashtu edhe konfliktet që mund të sjell zgjedhja e presidentit. S’po flas për konflikte të vrazhda por konflikt në kuptimin e asaj që mund të ketë ngërç dhe stërzgjatje të procesit dhe mund të bie qeveria për atë çështje dhe të kemi pas 1 viti prapë zgjedhje... Kur vjen çështja e presidentit cilado që e formon qeverinë mund të ketë probleme, pasi dihet se është një numër prej 81 deputetëve që duhet të jenë prezent”, u shpreh Blerim Canaj, analist politik.

E, analistja Alma Lama ka thënë se një kandidat konsensual mund të ishte i pranueshëm nga palët.

“Mund të zgjidhet një qeveri dhe të bëjë shumicën e thjeshtë që është 61 vota dhe pastaj të pritet momenti tjetër ku kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve. Kjo kërkesë është që të zgjidhet një president konsensual që e pranojnë të gjitha palët, pavarësisht nga numrat. Ajo çka po shohim deri tani nga rezultati i zgjedhjeve është se pa një koalicion nga dy partitë të mëdha është i vështirë që të sigurohen votat edhe me minoritetet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje me rezultatet aktuale i ka fituar 47 mandate, PDK-ja 25 dhe LDK-ja 20.

Sipas këtyre rezultateve, në një situatë ku votohet presidenti i ri, mungesa e deputetëve nga PDK-ja e LDK-ja në seancë e ul numrin e deputetëve në 75, e 80 deputetë janë të nevojshëm për ta bërë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.