Arbëri

Në vitin e parë të pandemisë Kosova çoi 4 milionë euro në paga e mëditje të deputetëve

Kuvendi i Kosoves

Rreth 4 milionë euro të buxhetit të shtetit kanë shkuar në paga dhe mëditje të ligjvënësve, gjatë vitit të parë të pandemisë. Ndonëse deputetët arkëtuan deri në 38 mijë euro pagë vjetore, ata përmbushën agjendën legjislative të këtij viti vetëm në shkallën 11 për qind

Në Kuvend është bërë pak punë në vitin e parë të pandemisë, por deputetët kanë realizuar shumë të hyra. Në paga dhe mëditje të ligjvënësve, e edhe të stafit politik mbështetës, kanë shkuar 4 milionë euro gjatë vitit 2020.

Mbështetur në të dhënat që Kuvendi ia ka ofruar KOHËS, pas një kërkese për qasje në dokumente publike, në paga dhe shtesa të deputetëve janë harxhuar 3 milionë e 115 mijë euro.

Më së shumti të ardhura ka realizuar Vjosa Osmani, e cila në kohën më të gjatë të vitit ka qenë kryeparlamentare. Ajo ka marrë 38,322.59 euro.

Deputetët e tjerë që kanë realizuar nga 30 deri në 37 mijë euro gjatë vitit janë: Fikrim Damka, Arbërije Nagavci, Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Slavko Simic, Bedri Hamza, Albert Kinolli, Hekuran Murati, Fatmire Kollçaku dhe Rasim Demiri.

Në xhepin e deputetëve të tjerë kanë shkuar diçka më pak se 30 mijë euro.

Krahas ligjvënësve, gjatë vitit të shkuar në Kuvend ka qenë i angazhuar edhe një staf politik prej 94 personash. Një pjesë e tyre ka qenë e rekrutuar nga kryeparlamentari, disa u kanë shërbyer anëtarëve të Kryesisë e të tjerë kanë qenë të angazhuar nga grupet parlamentare. Pagat e tërësishme të tyre i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 659 mijë euro.

Ka nga ta që kanë siguruar të ardhura vjetore më shumë se 20 mijë euro: Adnan Rrustemi, Bekim Kupina, Erim Berisha, Jakup Krasniqi, Ndue Ukaj, Stevan Petroviq dhe Valmir Klaiqi.

Kuvendi në kohën më të madhe ka qenë në pauzë gjatë vitit kur janë bërë shpenzime të këtilla.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili e monitoron punën e Kuvendit, në vitin 2020 deputetët kanë mundur t’i kalonin vetëm 11 për qind të projektligjeve të listuara në agjendën legjislative.

“Puna e Kuvendit gjatë vitit 2020, gjegjësisht puna e legjislaturës VII, ngjashëm sikurse legjislatura VI, është karakterizuar me përmbushje të dobët të agjendës legjislative, si dhe me mungesa të theksuara të kuorumit që kanë pamundësuar vendimmarrjen”, ka thënë Agnesa Haxhiu nga KDI-ja. “Për një vit vetëm 17 projektligje janë miratuar e që kanë qenë të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Dhe në fakt, të gjitha këto janë votuar edhe nga opozita, në disa raste vetëm nga një pjesë e opozitës, sepse shumica parlamentare nuk ka arritur që të miratojë asnjë ligj pa ndihmën e opozitës për shkak të brishtësisë së numrave të shumicës”.

Në vitin e pandemisë deputetët kanë realizuar edhe mëditje, për vizitat zyrtare që i kanë bërë.

Për më shumë se gjysmën e mëditjeve si mbulesë janë shfrytëzuar vizitat në Shqipëri e Turqi. Ndërkaq shpenzimet më të mëdha janë bërë për disa nga vizitat e realizuara në Shtetet e Bashkuara, në Francë e Belgjikë, si dhe në Dubaj.

Ndërkaq të gjitha mëditjet e marra nga stafi politik mbështetës i deputetëve janë arsyetuar me vizita në Shqipëri dhe në Maqedoni.