Në prani të përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, investitorëve gjermanë dhe qytetarëve të shumtë është hapur sot, në Viti, fabrika e përpunimit të tekstilit “Vitex”. Në këtë fabrikë zyrtarisht e kanë filluar punën 150 punëtorë. Fabrika “Vitex” është hapur në bashkëpunim të biznesmenëve të Komunës së Vitisë dhe të kompanisë gjermane “Wegner Industrie Consulting GmBH”.
Në ceremoninë e inaugurimit të saj, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se hapja e kësaj fabrike kthen në territorin e komunës së Vitisë traditën e dikurshme në prodhimin e tekstilit. Sipas tij, përfaqësuesit e fabrikës po bëjnë çmos që numri i të punësuarve në këtë fabrikë të rritet deri në 500 vetë. Ai po ashtu bëri me dije se po punohet edhe në realizimin e projektit të Zonës Ekonomike me status Park Industrial, duke potencuar se edhe aty do të gjendet vend për këtë fabrikë.
Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se për Kosovën ka rëndësi të veçantë hapja e vendeve të reja të punës. Ndërsa Horst Wegner, investitor gjerman, shtoi se vetëm në fazën e parë janë punësuar 150 persona dhe ky numër do të rritet edhe më tej.
Në këtë fabrikë do të prodhohen produkte të tekstilit për kompaninë gjermane Murk. Këtë e bëri me dije përfaqësuesi i kësaj kompanie, që ishte i pranishëm në inaugurimin e fabrikës.