Arbëri

Në veri mirëpritet heqja e vizave, rritet numri i kërkesave për pasaporta

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe ata të Zveçanit e kanë mirëpritur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Shumë prej tyre, përpos se konfirmuan se janë pajisur me pasaportën e Kosovës, ata e vlerësuan të rëndësishëm lëvizjen e lirë të komunitetit serb në zonën Schengen. Në MPB kanë bërë të ditur se është dyfishuar numri i aplikimeve për pasaportë të Kosovës në katër komunat veriore

Qytetarët serbë të Komunës së Mitrovicës së Veriut janë njoftuar të hënën për procedurat e udhëtimit në zonën Schengen, nëpërmjet fushatës së organizuar nga Qeveria e Kosovës. Qytetarët e kësaj komune kanë thënë se vendimi për lëvizjen pa viza në vendet e BE-së nga 1 janari 2024 ua ka lehtësuar atyre procedurat për udhëtim. Me disa prej të cilëve ka biseduar KOHA kanë konfirmuar se tashmë janë pajisur edhe me pasaportën e Kosovës.

“Tash do të udhëtoj më lehtë. Nuk kemi nevojë të presim për viza. Presim të shijojmë eksperienca të ndryshme në jetë, jam pajisur me pasaportë të Kosovës qysh kur kam qenë 18 vjeçe”, ka deklaruar Ema Laskoviq, qytetare nga veriu i Mitrovicës.

E njëri nga qytetarët e moshuar të kësaj komune ka thënë se nëse do t’i duhet pasaporta ai do të aplikojë për t’u pajisur.

“E kam letërnjoftimin prej kur ekziston. Fillimisht të UNMIK-ut më pas këtë. Pasaportën nuk e kam marrë, por nëse ka nevojë e marrë”, ka thënë ai, pa dashur të identifikohet.

Vendim të rëndësishëm e ka quajtur heqjen e vizave edhe një qytetar tjetër nga komuna e Mitrovicës së Veriut.

“Populli duhet të udhëtojë lirshëm, nuk duhet të bazohemi në probleme politike. Është e rëndësishme të udhëtojnë njerëzit lirshëm pavarësisht a bëhet fjalë për Kosovën, Serbinë apo Malin e Zi. Është vendim i qëlluar”, ka deklaruar ai.

Gazmend Dushi, nga Zyra për Komunikim me Publikun në Kryeministri, ka treguar se është rritur interesimi i qytetarëve për të marrë informatat rreth liberalizimit të vizave dhe se çfarë do të ndodhë pas datës 1 janar 2024.

“ Siç po shihet ka interesim të qytetarëve me marrë informacion rreth liberalizimit të vizave, dhe asaj çfarë të ndodhë pas datës 1 janar 2024. Kryesisht po shpërndajmë broshura në gjuhen serbe dhe angleze. Fushata përfundon këtë javë, nesër vazhdojmë në Leposaviq dhe Zubin- Potok”, ka thënë Dushi.

Kombibusi që barte materialet për informimin e qytetarëve për rregullat e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së vazhdoi edhe në komunën e Zveçanit.

Ditë më parë fushata për liberalizimin e vizave është mbajtur në Prishtinë, e ditët në vijim do të vazhdojë në Zubin-Potok, Leposaviq, Graçanicë dhe do të përfundojë këtë javë në Prishtinë.

Nora Fetoshi, zyrtare për komunikim me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i ka thënë KOHËS se është dyfishuar numri i qytetarëve në katër komunat veriore për t’u pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës, pas vendimit për liberalizimin e vizave.

Të dhënat e siguruara nga KOHA thonë se nga 1 janari 2023 deri më tani, në Komunën e Leposaviqit kanë aplikuar 557 qytetarë, në Zubin- Potok 779, Zveçan 586, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 3879.

Pas një historie të gjatë përpjekjesh, premtimesh e refuzimesh, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023 në Strasburg.