Arbëri

Në UP po mbahen zgjedhjet e përgjithshme

Foto: Koha

Në 14 njësi akademike të Universitetit të Prishtinës të mërkurën janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme.

Të gjitha njësitë akademike kanë votuar për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Fakulteteve, si dhe anëtarëve të Senatit nga radhët e personelit akademik.

Po ashtu, personeli joakademik i UP-së dhe Administrata Qendrore kanë votuar për zgjedhjen e 2 përfaqësuesve të tyre në Senatin e UP-së.

Sekretari në Fakultetin e Edukimit, Milaim Mazreku, ka thënë se procesi ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë problem, raporton KOHA.

Ai ka treguar se për shkak të pandemisë i kanë marrë edhe masat për respektim të distancës, si dhe kanë siguruar dezinfektues në salla.

Ndërkaq, kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Florent Muçaj, ka bërë të ditur se nëse në raundin e parë kandidatët nuk marrin shumicën e votave, atëherë brenda 24 orëve duhet mbahet raundi i dytë.

Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të hapet konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës, ndërsa votimi do të bëhet më 29 korrik.

Ditë më parë në Universitetin e Prishtinës kanë përfunduar edhe zgjedhjet studentore, por për shkak të numrit të madh të studentëve ky proces është realizuar online.

Strukturat që pritet të marrin besimin në zgjedhjet e përgjithshme në UP, zyrtarisht do ta marrin detyrën më 1 tetor.

Zgjedhjet e përgjithshme në UP është dashur të përmbyllen më 15 maj, por ishin shtyrë deri tash për shkak të pandemisë.