Komuna e Pejës serish ka planifikuar që një shumë të madhe të investimeve kapitale ta orientojë në asfalt për tri vitet e ardhshme. Saktësisht një e treta e shumës për shpenzime kapitale është planifikuar për asfaltim të rrugëve. Kështu figuron në dokumentin preliminar të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2022 – 2024, dokument ky i cili i paraprinë planifikimit final të buxhetit.
Me këtë dokument preliminar të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2022-2024, që u shqyrtua të mërkurën në takimin e rregullt të Kuvendit Komunal dhe pastaj u miratua me shumicën përbërëse të këshilltarëve të pushtetit LDK/PDK, investimet kapitale për tri vitet e ardhshme janë planifikuar të jenë 32 milionë e 200 mijë euro. Prej tyre 9.5 milionë euro në vitin 2022, 10.6 milionë euro në vitin 2023 dhe 12.1 milionë euro në vitin 2024.
Prej shumës së përgjithshme prej 32 milionë e 200 mijë euro, vetëm për asfalt janë planifikuar të investohen rreth 9 milionë euro. Prej kësaj shume për asfaltimin e rrugëve të qytetit, janë ndarë një milionë e 580 mijë euro, derisa për rrugët në fshatra, përfshirë edhe trevën e Rugovës, mbi 7 milionë e 300 mijë euro.
Për investime kapitale në bujqësi, me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2022-2024 janë planifikuar 2 milionë e 800 mijë euro. Për kanale të ujitjes 1 milion e 350 mijë euro, 700 mijë euro për participim me donatorë dhe bujq për zhvillimin e bujqësisë për tri vitet e ardhshme dhe 750 mijë euro për tri vitet e ardhshme për ndërtimin e pendëve.
Për zhvillim ekonomik, kryesisht për projekte të turizmit, janë planifikuar për tri vitet e ardhshme 600 mijë euro investime kapitale. Për kanalizime në qytet e fshatra për vitin 2022 janë planifikuar 150 mijë euro, 250 mijë për vitin 2023 dhe 680 mijë për vitin 2024, gjithsej 1 milion e 80 mijë euro.
Për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në fshatra për vitin 2022 nuk është paraparë asnjë cent. Ndërsa për vitet 2023 e 2024 gjithsej 2,1 milionë euro.
Këto janë disa nga investimet e planifikuara nga pushteti aktual i Pejës LDK/PDK me këtë kornizë buxhetore për tri vitet e ardhshme, e cila para se të miratohej nga pozita, shkaktoi reagime të ashpra nga këshilltarët e subjekteve opozitare në Kuvend, pikërisht për shkak të dallimit të madh të shumave të parapara për shpenzime në asfalt përballë shumave të planifikuara për investime kapitale në bujqësi apo zhvillim ekonomik.
“Veç asfalt ka pas këto katër vjet dhe prapë asfalt. Çdo ditë flisni si pushtet se bujqësia duhet zhvilluar e përkrahur. Çka keni bërë për bujqësi?”, ka reaguar këshilltari i pavarur Gezon Berisha, i cili tha se do të votojë kundër kësaj kornize buxhetore.
Ndërsa këshilltari i AAK-së, Nazmi Krasniqi, kërkoi prej ekzekutivit që një shumë e mjeteve të parapara për asfalt të orientohet për kanalizime dhe për zhvillimin e bujqësisë.
“Nuk ka zhvillim të mirëfilltë të bujqësisë me dhurimin e 15 pulave apo 10 deleve. Të orientohen edhe në ndërtimin e kanaleve të ujitjes. Pastaj ende ka vendbanime që nuk kanë ujësjellës dhe nuk po shoh në këtë dokument mjete të planifikuara për këtë qëllim. Duhet të orientohen investimet nga komuna në ujë të pijshëm, kanalizim dhe bujqësi. Dhe ta lëmë anash pak asfaltin dhe të orientohen investimet në projekte jetike për qytetarët”, u shpreh Krasniqi. Edhe këshilltari i VV-së, Bashkim Lajçi, kritikoi ekzekutivin se për çdo vit po sjellin dokumentin me përmbajtje të njëjtë të investimeve të planifikuara.
“Janë kryesisht ‘copy-past’ këto planifikime buxhetore të kornizës afatmesme buxhetore nga vitet e kaluara. Duhet turizmit dhe bujqësisë t’i kushtohet më tepër rëndësi”, u shpreh Lajçi.
Me këto ankesa e kërkesa të opozitarëve u pajtua drejtori i Financave Jeton Abazaj, duke pohuar se duhet të shkohet me investime në fushat që i potencuan këshilltarët e opozitës.
“Dashtë e pa dashtë asfalti po përfundon dhe me siguri mandati i ardhshëm ka me qenë i fokusuar në kategori tjera, e jo vetëm në asfalt. Por ju kisha lut me votu si dokument dhe vazhdojmë më tutje”, iu drejtua Abazaj këshilltarëve opozitarë, por pa sqaruar pse ende figurojnë shuma aq të larta për asfalt dhe të ulëta në për bujqësi, ujë të pijshëm, kanalizime, turizëm.