Arbëri

Në tokën e rrushit

Vreshtat, rrushi, Rahovec

“Grapeland” është shenja që rrok syrin e mysafirëve shqiptarë e të huaj që përshkojnë rrugët e vreshtave. Pos flamurit kombëtar e atij të Kosovës, ndërmjet “tokës së rrushit” dhe mbishkrimit të bardhë UÇK, është edhe ai i Shteteve të Amerikës. Dhe kur djersa kullon nga puna në vreshta, Mirsad Mazreku dhe familjarët pushojnë në hijen poshtë pullazit-flamur. Jo fort larg Milaim Vuçiterna lodron gishtat nëpër vrimat e fyellit duke i shëtitur me melodi të ndryshme. Por Mirsadit i qesh fytyra dhe i këndon shpirti kur i këndohet rrushit të Rahovecit

Milaim Vuçiterna kujdeset jo vetëm për bagëtinë e tij anash vreshtave të rrethinës së Rahovecit. Duke zgjedhur melodi të bukura të trevave të ndryshme shqiptare, ua ëmbëlson ditën vreshtarëve që kullojnë djersë nëpër vreshtat gjithandej. Fyellin e bart me vete derisa kullot lopët.

“Grapeland” është shenja që rrok syrin e mysafirëve shqiptarë e të huaj që përshkojnë rrugët e vreshtave gjatë festivalit të rrushit “HardhFest”. Me këta flamuj, Mirsad Mazreku e ka veçuar vreshtin. Tradita familjare po vazhdon ndër breza.

“Mirë se keni ardhë në Rahovec, Rahovecin e rrushin, në tokën e rrushit”, thotë Mazreku në vreshtin me rrush të bardhë e të zi. “Rrushi është frutë që e ka veçu edhe Zoti për shkak të vetive, mineraleve që i ka. Prej frutave më të vlefshëm është rrushi”, thekson ai. Ai kultivon shtatë lloje të rrushit, që prej të parit që nis të vilet në korrik e deri te i fundit në dhjetor.

Image

Vreshtarët në borxhe

Edhe kryetari i shoqatës së vreshtarëve “Vreshtari”, Hamid Makshana, thotë se vreshtaria është jetike për ekonomitë familjare dhe për qytetin e Kosovës qendrore.

“Qytetarët e Rahovecit, fermerët e Rahovecit kanë traditë të lashtë të punimit të hardhisë së rrushit”, thekson Makshana. Ai thotë se fermerët si Mazreku e bëjnë punën me pasion. “E punon ky, ndoshta edhe gjenerata pas tij, por gjeneratat e reja janë duke u ftof prej kësaj kulture, sepse janë shumë faktorë”, shton ai, duke iu referuar sfidës së shitjes, grumbullimit të rrushit në bodrume dhe importi i rrushit të jashtëm që ul çmimet e vreshtarëve vendës. “Ne si shoqatë po mundohemi sado kudo me iu ndihmu me disa kërkesa”.

Ministria e Bujqësisë ka filluar sivjet t’i ndajë subvencionet më herët se vitin e kaluar. Vreshtarët thonë se ngritja e çmimit të naftës dhe inflacioni kanë vështirësuar punën e tyre.

Mirsad Mazreku nuk ka tjetër punë për të mbajtur familjen e tij. “Nuk është ndonjë leverdi e madhe, por një jetesë normale e çojmë. Para tri-katër vjetësh kemi qenë të dëmtuar komplet prej breshrit, por e kaluam edhe atë. Është një fitim mesatar”, thotë ai.

Për shkak të mungesës së shitjes së sigurt në bodrume verërash, Mazreku është detyruar t’i shkulë hardhitë, duke i zëvendësuar me hardhi rrushi tryeze.

Sfidë e madhe vazhdon të jetë shitja e rrushit, sidomos në kohën kur importuesit i detyrojnë vreshtarët të ulin çmimin me futjen e rrushit të sjellë nga vendet e huaja. “Nuk është çmimi kushedi çka, por prapëseprapë po e mbulojmë disi kur ka shitje”.

Makshana thotë se vreshtarët kanë borxhe për derivate, pesticide e sisteme të ujitjes.

Vuçiterna vazhdon t’i bjerë fyellit anash vreshtave të Mazrekut. Të ndryshme janë meloditë.

Image

E mira e së keqes

Ndryshe prej viteve të kaluara, sivjet dielli përvëlues ka pjekur rrushin në Britani më shpejt se asnjëherë më parë. Jo të gjithë i shijuan valët e të nxehtit të korrikut e gushtit në Mbretërinë e Bashkuar, por për vreshtat ishin të mirëseardhura, ka raportuar agjencia e lajmeve AP.

Përmbajtja e sheqerit në fruta po rritet, që do të thotë cilësi më e qëndrueshme e verës dhe përmbajtje më e lartë alkooli. Studimi i Rezistencës Klimatike në Sektorin e Verës në Mbretërinë e Bashkuar, i botuar së fundmi në një revistë të industrisë, paraqet parashikimet e klimës gjatë 20 vjetëve të ardhshëm. Aty thuhet se temperaturat në rajonet e rritjes së verës në Mbretërinë e Bashkuar mund të vendosen të rriten me 1.4 gradë deri në vitin 2040. Studimi parashikon se rajonet më të mira për rritjen e rrushit “Pinot Noir” dhe “Chardonnay” do të jenë ato të Britanisë veriore.

“Pinot Noir” dhe “Chardonnay” janë dy nga varietetet kryesore për prodhimin e shampanjës. Profesor Stephen Dorling thotë se tani është koha që prodhuesit e verës të investojnë në hardhitë e tyre për të përfituar nga temperaturat e rritura gjatë dy dekadave të ardhshme.

Temperatura të larta si Britania e Madhe përjetoi edhe Franca, ku zjarrfikësit luftuan me flakët e egra të zjarreve.

Peizazhi në vreshtat prestigjioze të Bordos duket si gjithnjë, me kalaveshë rrushi të shëndetshëm dhe të pjekur në vreshtat e gjelbra. Por këtë vit diçka është krejtësisht ndryshe në një nga rajonet më të njohura të verës në Francë. Zakonisht vjelja e rrushit fillon në mes të shtatorit.

Por këtë herë u vol më herët se kurrë - në mes të gushtit - si rezultat i thatësisë së madhe dhe përshtatjes së industrisë ndaj efekteve të paparashikueshme të ndryshimeve klimatike, ka shkruar AP-ja në dy reportazhe të ndara për ndikimin e thatësisë rekorde në 500 vjetët e fundit në Evropën Perëndimore.

Në mënyrë paradoksale, sezoni i valëve të të nxehtit dhe i zjarreve të egra prodhoi rrush të shkëlqyer, pavarësisht rendimenteve më të ulëta. Në rajonin e Bordos, si në shumicën e Francës, nuk ra shi nga fundi i qershorit deri në mes të gushtit. Vjelja e këtij viti mund të jetë më e mirë se kurrë, thanë ekspertët për AP-në, sepse rrushi është i shëndetshëm dhe i ekuilibruar. Moti i nxehtë dhe i thatë parandaloi gjithashtu hardhitë nga sëmundje të tilla si myku.

Image

“Myshterinjtë e kërkojnë rrushin me kokërr të madhe”

Kosova ka pasur sivjet verë me temperatura të larta dhe me reshje shiu, nganjëherë me stuhi e breshër, por fatmirësisht jo edhe në rajonin e Rahovecit, të njohur për klimë të thatë në muajt e verës.

“Si të ketë shi, ose nëse e ujit, kualiteti është tjetër. Por në Rahovec klima është e mirë, por nëse thatësia është më e madhe, atëherë kokrra mbetet më e vogël”, thekson Mazreku derisa ecim përgjatë hardhive me rrush të bardhë. Në duar mban një kalavesh rrush të zi. Ai ka vendosur sistemin pikë-pikë me qëllim që rrushi i tryezës të ketë kokrrën sa më të madhe, sepse, sikur përsërit ai, “myshterinjtë e kërkojnë rrushin me kokërr të madhe”.

“Klima për hardhinë e rrushit në Komunë të Rahovecit është shumë e mirë, shumë e fortë, kështu që rrushi te ne, vetëm kur është thatësi tepër e madhe, nuk mundet me përballu, se me shumë pak shi, me shumë pak reshje, e përballon”, ka theksuar Makshana, kryetari i “Vreshtarit”. “Shikojeni çfarë rrushi, çfarë cilësie rrushi është”, kthehet djathtas ai me shikimin nga vreshta e Mazrekut.

Mazreku thotë se duhet të ketë mbështetje më të madhe të institucioneve për promovimin e rrushit dhe verërave të Kosovës jashtë vendit. “Besoj se mjaftueshëm nuk ka promovim, sepse ka kualitet edhe këtu, nuk besoj se ka më shumë kualitet në vendet e Bashkimit Evropian. Me këtë sistem V, me sistem pikë-pikë të ujit, besa jo që me livdu veten, por është edhe më i mirë se rrushi i Evropës”, ngulmon Mazreku.

Flamuri i mirënjohjes së madhe

Dhe në kohën kur Kosova po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, derisa të rinjtë po mësyjnë me viza pune vendet perëndimore, edhe Mazreku po e ka të vështirë të gjejë punëtorë në sezonin e punëve të mëdha. Krejt punën po e mbështet në fuqinë punëtore familjare.

“Fëmijët po vazhdojnë traditën, por çfarëdo drejtimi do të marrin, por nëse kemi përkrahje, nëse kemi leverdi për me shit rrushin, atëherë besoj se edhe ata do ta vazhdojnë traditën”, thotë ai.

Mazreku nuk e ka ndërmend ta lëshojë Kosovën, pavarësisht sfidave të vazhdueshme. “Patriotizëm nuk është vetëm me e lëshu Kosovën, me dalë jashtë”, thekson ai. “Për një arsye jemi këtu të lindur, në Rahovec, a Ferizaj, a në një vend në Kosovë, e Zoti nuk na ka lind në Kosovë”, thekson ai.

Mirsadi qëllimisht e lë për fund rrëfimin për arsyen e mbishkrimit anglisht “Grapeland” dhe flamujt kuqezi, të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara mbi pullazin në krye të vreshtit. Anash atij amerikan shkruan UÇK.

“E bana të Kosovës, që jemi në Kosovë, këtë le të dihet që jemi shqiptarë, 90 për qind shqiptarë, dhe atje të Amerikës për ndihmën që i ka dhënë shqiptarisë dhe që Amerika e përkrah gjithë shqiptarinë anembanë Ballkanit”, thekson Mazreku poshtë flamujve në krye të vreshtit.

Dhe kur djersa kullon nga puna në vreshta, Mirsadi dhe familjarët e tij pushojnë në hijen poshtë pullazit-flamur. Jo fort larg, Milaim Vuçiterna lodron gishtat nëpër vrimat e fyellit duke i shëtitur me melodi të ndryshme. Por Mirsadit i qesh fytyra dhe i këndon shpirti kur i këndohet rrushit të Rahovecit.