Rreth 6 milionë euro i kanë tepruar Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2023, buxhet ky i planifikuar për blerjen e barnave për sëmundje të rralla. Ka ndodhur kjo, për shkak që Agjencisë së Barnave iu deshën disa muaj të sqarojë një dilemë ligjore për tenderët që lidhen me blerjen e këtyre medikamenteve.
Pacientët me sëmundje të rralla nuk kanë pasur mundësi të marrin falas medikamentet që shtetit ka obligim t’ia sigurojë. Ka ndodhur kjo, për shkak se Agjencisë kosovare për Produkte Mjekësore i janë dashur disa muaj kohë për të vendosur nëse barnat e tilla kanë nevojë për Autorizim Marketing apo jo.
Siç ka mësuar KOHA, kjo ka bërë që tenderët e planifikuar për barnat për këtë kategori të pacientëve nuk janë finalizuar me kontratë. Për pasojë, burimet thanë se 6 milionë euro kanë përfunduar të pashfrytëzuara gjatë vitit 2023.
Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë përgjegjësinë që të bëjë blerjen e këtyre barnave, e të cilat janë shumë të kushtueshëm. Ka pacientë që terapia mujore i kushton deri në 5 mijë euro.
Ligji nuk parasheh certifikatë të cilësisë për një numër barnash për sëmundje të rralla. Por, Agjencia e Produkteve dhe Pajisjeve Mjekësore ka lëshuar disa sosh. Pas kësaj, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender për të tilla produkte dhe kriter ka vendosur edhe Autorizim Marketingun, ndonëse kjo nuk kërkohet me ligj. Pas kësaj, kompani të caktuara kanë bërë ankesa nën pretendimin se kushtet e tenderit janë në kundërshtim me ligjin.
Derisa AKPM-ja ka sqaruar këto dilema, viti është përmbyllur pa iu mundësuar pacientëve qasja në terapi.
Për këtë, KOHA nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.
E, kryeshefi i Agjencisë së Barnave, Sejdë Tolaj, tha se tashmë është sqaruar situata dhe se prej këtij muaji mund të vazhdojnë procedurat e blerjes së këtyre barnave.
“Janë krijuar pak vonesa, mirëpo tash jemi marrë vesh, kështu që Ministria e Shëndetësisë i ka lenë shumë aktivitete në janar që mos me u vonu. Ishte krijuar një lloj konfuzioni a me e çitë apo mos me e çitë Autorizim Marketingun ose si kriter për furnizim. Është qartësuar tash. E qartë është për të gjithë”, ka thënë Tolaj.
Sipas normave ndërkombëtare, barnat për sëmundje të rralla, për shkak të sasisë së kufizuar, nuk u nënshtrohen kushteve të njëjta sikurse barnat e rregullta.
Këtë e parasheh edhe Ligji për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në Kosovë.
“Gara” formale për miliona eurot e dedikuara për sëmundje të rralla, me precedentin që do të krijohej para vendimit përfundimtar të AKPM-së, do të mund të kufizohet vetëm te disa kompani.