Arbëri

Në Spitalin e Pejës lirohen pesë reparte që ishin të dedikuara për COVID

Pas rënies së numrit të pacientëve të hospitalizuar me Covid-19, drejtoria e Spitalit të Pejës ka kthyer në normalitet repartet që ishin vënë në shërbim për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Sa ka qenë ky vendim i rëndësishëm për pacientët e tjerë, vërehet në Repartin Psikiatrik, në të cilin brenda tri ditëve, 70 për qind e kapacitetit është mbushur me pacientë

Nga vera e kaluar, kur kishte nisur të rritet numri i pacientëve të hospitalizuar me Covid-19, drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, krahas Repartit Infektiv, kishte vënë në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve edhe repartet e Pulmologjisë, Internos, Dermatologjisë, Neurologjisë dhe atë të Psikiatrisë.

Por me rënien e numrit të të hospitalizuarve me koronavirus, drejtoria e Spitalit ka vendosur që këto reparte të mbyllen për këta pacientë.

Sipas drejtorit të spitalit, Skënder Dreshaj, vështirë ka qenë të përcaktohet momenti i duhur për këtë vendim, më të cilin nga dita e mërkurë vetëm Infektivja dhe njësia e përkujdesjes intensive në pulmologji, do të trajtojnë pacientët me Covid.

“Kërkesat e pacientëve pa Covid ishin vazhdimisht në rritje, përkundër asaj që ne kemi pas hapësira të dedikuara për trajtimin e atyre pacientëve, megjithatë numri i shërbimeve ka qenë i reduktuar dhe tani me kalimin në normalitet veç kemi shenjat e para të rritjes së numrit të kërkesave të pacientëve për shërbimin e tyre”, ka deklaruar Dreshaj.

Drejtoria e spitalit nuk e përjashton riaktivizimin e ndonjërit prej reparteve, në rast të rritjes së numrit të të infektuarve.

Por, sipas infektologut Zenel Shatri, kurba e lëvizjes së infektueshmërisë është në rënie.

“Besoj që rastet do të zvogëlohen dhe njëherësh edhe koha e pandemisë gati është me skadu. Sepse e dimë se në librat shkencorë thuhet se një pandemi mund të zgjatë 18 muaj, por raste sporadike mund të paraqiten edhe pas 18 muajve”, ka thënë Shatri.

Sa ka qenë i nevojshëm kthimi në normalitet të punës në këto reparte, vërehet veçmas në Repartin Psikiatrik, në të cilin për dy-tri ditë veç është mbushur afër 70 për qind i kapacitetit.

Shefi i këtij reparti, psikiatri Muhamet Haliti, tregoi se kthimi në normalitet i repartit ka qenë një lehtësim edhe për pacientët, të cilët gjatë kësaj periudhe, përjashtuar rastet urgjente, nuk kanë pasur mundësi trajtimi në këtë repart.

“Duke bërë krahasimin me pacientë të cilët janë të shtrirë dhe me pacientë ambulatorë, të cilët marrin tretmanin ditor, vërehet një rritje shumë ma e madhe e pacientëve me ngarkesa psikike të cilët e kanë kaluar Covidin”, është shprehur Haliti.

Aktualisht në këtë spital janë duke u trajtuar 21 të sëmurë me Covid-19 dhe prej tyre katër janë në gjendje të rëndë.