Arbëri

Në Shtime pushteti e opozita përplasen për shpenzimin e buxhetit

Pushteti e opozita janë përplasur në Kuvendin Komunal të Shtimes të enjten në momentin kur në Asamble po shqyrtohej shpenzimi i parasë publike për periudhën janar-mars të këtij viti dhe bartja e mjeteve të pashpenzuara nga viti i kaluar. Për opozitën, qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje ka dështuar ta menaxhojë paranë publike “duke bërë shpenzime të luksit e duke mos e subvencionuar asnjë klub sportiv gjatë periudhës janar – mars të këtij viti”. Me shumicë të votave, të enjten ka dështuar aprovimi i shpenzimit të buxhetit dhe bartja e mjeteve të mbetura nga viti i kaluar në vlerë prej mbi një milion euro.

Kjo komunë gjatë tre muajve ka shpenzuar 15.90 për qind të buxhetit ose një milion e 392 mijë euro. Ndërkaq buxheti total i kësaj komune është mbi 4 milion e 966 mijë eurosh. Sipas opozitës, qeverisja lokale po synon që edhe mjetet e mbetura gjatë vitit të kaluar të barten për blerje të veturave dhe shpenzime të tjera të luksit. Opozita në këtë komunë derisa e përbën shumicën, ka adresuar varg kërkesash në Komunë për asfaltim të rrugëve, ndërtim të monumenteve për periudhën e luftës dhe projekte të tjera me arsyetim se paraja publike nuk mund të shpenzohet për qëllime të tjera të luksit si blerje të veturave luksoze, inventar e të tjera.

Lumni Amrushi, kuvendar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në shtator të vitit të kaluar nuk ka qenë pjesë e votimit të buxhetit për vitin 2023 shkaku i disa projekteve që janë planifikuar mbi “bazë të ngjyrimeve politike”.

“Uroj që të shpenzohet buxheti komplet dhe mos të teprojnë mjetet sikur ka ndodhur në vitin e kaluar mbi një milion eurosh. Ndërkaq, shpenzimi i buxhetit për këta tre muaj ka filluar keq sepse janë shpenzuar shumë pak mjete në krahasim me buxhetin final”, ka kritikuar Amrushi.

Reshat Mujota, kuvendar i pavarur, ka thënë se bartja e mjeteve prej 352 mijë e 849 euro nuk mund të ndodhë pa u shqyrtuar kërkesat e opozitës për shpenzim të buxhetit të përgjithshëm.

“Në mbledhjen e kaluar kemi diskutuar dhe kam propozuar që të barten këto mjete për projekte kapitale dhe të korrigjohet apo të analizohet buxheti. Ndërkaq, tek Administrata prapë ka ardhur kërkesa me vlerë prej 10 mijë euro për blerje të veturave dhe unë kam jam kundër sepse edhe më herët e keni ndarë buxhetin për blerje të veturave dhe prapë po i keni kërkoni 10 mijë euro shtesë. Këto mjete mund të dërgohen diku tjetër. Prandaj është keqmenaxhim i drejtorive dhe i ekzekutivit”, ka thënë Mujota. Sipas tij, nga bartja e buxhetit janë planifikuar 30 mijë euro për subvencione, kurse brenda 3 muajve të parë të vitit nuk janë përkrahur klubet sportive me subvencione. “Subvencionet 25 mijë dhe 5 mijë nga bartja e buxhetit nga viti i kaluar duhet ta dimë se ku i keni destinuar dhe duhet të specifikohet, prandaj nuk i keni shqyrtuar sugjerimet tona. Pra unë kam kërkuar dhe kërkoj që mjetet e bartura duhet të shkojnë për projekte kapitale dhe jo ku preket luksi i zyrtarëve komunalë dhe i administratës. Në QPS nuk kemi as gjenerator, nuk ka as veturë aty, kurse Komuna kërkon me ble vetura për administratë. Mua më vjen interesant se e shohim një veturë para Komunës që paguajna qira dhe nuk shfrytëzohet, ndërkaq drejtorët po kërkojnë vetura më luksoze sepse nuk po i vozitin veturat e mëhershme”, ka thënë Mujota.

Perparim Ramusa nga PDK-ja ka thënë se raporti i shpenzimit të buxhetit për tre muaj nuk duhet të kalojë derisa është keqmenaxhuar dhe nuk janë përkrahur klubet sportive. Sipas tij, ekzekutivi po kërkon që edhe mjetet e bartura nga viti i kaluar të shpenzohen për luks.

“Ekzekutivi ka pasur kohë për një muaj t’i thërret mendjes për t’i shqyrtuar kërkesat tona dhe kemi kërkuar takime me juve për të biseduar se ku të alokohen këto mjete, por nuk jeni të interesuar që të barten mjetet. Në mandatin e kaluar me këto vetura ka funksionuar administrata dhe një veturë ua kemi dhënë falas Policisë sepse kemi pasur shumë, por tash i keni mjetet për 2 vetura të reja dhe tash po doni edhe një tjetër”, ka thënë midis të tjerash Ramusa.

Në anën tjetër, Bujar Ferati, zyrtar financiar në Komunën e Shtimes, ka thënë se kjo periudhë raportuese e shpenzimit të buxhetit është shumë e shkurtër pasi që muaji janar dhe gjysma e muajit shkurt, komunës i kalon koha në Departamentin e Financave për marrjen e qasjeve, ndërtimin e marrjes së “kesh-it” të shpenzimeve dhe ndërtimin e planit të shpenzimeve i cili shkon në Thesar dhe pastaj kthehet në bazë ë shifrave në sistemin SIMFK për të filluar procedurat e shpenzimeve.

“Pas këtyre procedurave niset shpenzimi i buxhetit dhe procedurat për shpenzimin e subvencioneve. Për këtë periudhë kohore nuk pritet të ketë shpenzime të larta sepse si financier do ta kontrolloja më shumë raportin financiar me shpenzime të larta se sa një shpenzim të tillë sepse atëherë do të kisha ngritur dyshime se si është shpenzuar kaq shpejtë buxheti”, ka thënë shkurt Ferati.