Arbëri

Në Shtërpcë po respektohen vendimet e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit

Shumë lëvizje ka pasur të martën në qendër të Shtërpcës, me gjithë thirrjet për qëndrim në shtëpi si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit

Disa nga banorët këtu janë parë me masa mbrojtëse, si maska e dorëza, por për mosrespektim të orës policore janë ndaluar tre persona, raporton KOHA.

Qytetarët thonë se janë të shqetësuar me gjendjen e pandemisë.

“Frikësohem nga virusi, sepse nuk mbaj mend që kishim diçka të këtillë. Kishte tifo e kolerë, por as atë nuk e mbaj mend. Tani COVID-19 po na frikëson se nuk ka ilaç dhe nuk po dal nga shtëpia. Tani dola se kisha punë në postë”, ka thënë një qytetare e Shtërpcës.

Në Komunën e Shtërpcës, e banuar me shumicë serbe, aktualisht nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare thonë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe se me kohë Ministria e Shëndetësisë i furnizoi me pajisje mbrojtëse.

“Dy herë deri tash kemi kryer dezinfektimin e hapësirave, zyrave e Shtëpisë së Shëndetit. Sa i përket situatës ende nuk kemi raste pozitive, kështu që situata është stabile. Sa iu përket pacientëve që vijnë rregullisht, them se qarkullimi i tyre është pakësuar. Vijnë vetëm ata me sëmundje akute ose raste emergjente. Kemi marrë mjete mbrojtëse nga Komuna dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Sasha Kërstiçiq, Drejtor i QKMF-së në Shtërpcë.

Policia e Kosovës ka thënë se në Komunën e Shtërpcës po zbatohen dhe respektohen vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë si në çdo qytet.

Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Agim Gashi, ka konfirmuar se gjatë kohës së ndalimit të lëvizjes janë iniciuar 3 raste dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin e Shtetit personat janë liruar në procedurë të rregullt.