Arbëri

Në Shqipëri konsiderojnë se bashkimi kombëtar nuk po merret me seriozitet

Në televizionin “OraNews” në Shqipëri është zhvilluar një debat me temë “Bashkimin Kombëtar”.

Të ftuarit në emision, analisti Ilir Kulla, diplomati i njohur Agim Nesho, regjisori Laert Vasili, gazetari Dritan Hila e gazetarja Sonila Meço nën udhëheqjen e Artur Zhejit, dhanë mendimet e tyre rreth kësaj çështjeje.

Në emision, analisti Kulla zbuloi për herë të parë se kush e përzgjodhi Hashim Thaçin për të qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje.

Ndërsa Zheji tha se Thaçi ka qenë i përzgjedhur i Madeleine Albrightit, Kulla tha: “Thaçi nuk ka qenë asnjëherë komandat i UÇK-së. Ka qenë i përzgjedhuri i Fatos Klosit dhe Rexhep Mejdanit. Kryeministri le të pyes Arkivat e Shtetit dhe Shërbimin Informativ. Zt. Thaçi është Presidenti i Kosovës”.

Analisti Ilir Kulla renditi disa arsye se pse shqiptarët janë larg Evropës, teksa i konsideron për të qeshur deklaratat për bashkim me Kosovën.

“Do presim që kjo Evropë të na japë leje të bashkohemi...”, tha Vasili, ndërsa Kulla ia ktheu: “Më emocionove sikur të të shihja në Teatër”.

“Kjo Evropë me këtë agjendë, ta harrojmë...o shoku, qytetarët e Kosovës me këtë agjendë ta harrojnë se do të lëvizin pa viza. Ato 5 shtete që nuk e njohin Kosovën në BE dhe ata të tjerët me agjenda ultranacionaliste, harroje se do të kemi përmirësim të marrëdhënieve. Qytetarët e Shqipërisë anëtarësimin në BE ta shikojnë siç shikonin Kinën dikur. Nëse e kanë seriozisht le të mbarojnë ca rrugë që të çojnë në Bathore pastaj le të flasin për këto gjërat e mëdha”, tha Vasili.

Diplomati i njohur, Agim Nesho, thotë se qëndrimet e qeverisë shqiptare gjatë këtyre 5 viteve janë pa strategji dhe vizion, ndërsa i konsideron aventureske deklaratat e kryeministrit Rama.

“Ky shekull është shekulli i bashkimit të shqiptarëve, por nuk shikoj një seriozitet që ky është momenti. Për të qenë momenti duhet të përkojnë disa kushte. Faktori i jashtëm dhe faktori i brendshëm, duhet të harmonizohen brenda një strategjie të caktuar. Mendoj një qeveri që bën hapa aventureske në këtë skenar për t'i përdorur në shpëtimin e asaj situate ekonomike të rënduar të vendit por edhe të një protagonizmi që nuk i mungon. Gjatë këtyre 5 vjetëve nuk ka pasur asnjë strategji dhe asnjë vizion. Kemi bërë gabime trashanike për të cilat ka një kosto. Këto janë lëvizje sporadike të Ramës”, deklaroi Nesho.

Analisti Kulla i përcjell me ironi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Pejë për bashkimin mes dy shteteve, duke deklaruar se kryeministri “duhet të bashkojë Bathoren me qendrën e Tiranës”.

“Kur të bënte të mundshëm bashkimin e Bathores me qendrën e Tiranës, pastaj të fliste për Drenicën dhe Kurveleshin. Ai është ‘one men show’. Gjen këto terma për të krijuar lajme. Sigurisht ai e ka të qartë që kjo histori as nuk fillon dhe as nuk mbaron tek kryeministri i Shqipërisë. E dyta, nuk besoj që qyteti i Pejës për shumë arsye, nuk është qyteti i duhur për ta dhënë këtë mesazh. Aty është patriarkana. Patriarkana e Pejës dhe ajo e Deçanit në Paketën e Ahtisarit janë edhe eksperimenti i parë i një ekstra-territorialiteti brenda një shteti që duhet të linte si i pavarur. Unë mendoj që kjo është punë qoftesh dhe qebapësh”, theksoi ai.

Gazetari Dritan Hila, duke folur për bashkimin midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, tha se Edi Ramës i është lënë detyrë vetëm pjesa e shout.

“Në këtë moment, në qoftë se i është lënë diçka zt. Rama, i është lënë vetëm për të bërë show brenda kufijve. Jashtë kufijve, janë të tjerë ata që do të vendosin. Ata do të vendosin edhe kushtet. E lëmë Mitrovicën, e marrim Mitrovicën. E lëmë Preshevën, e marrim Preshevën”, tha Hila, ndërsa Zheji e pyeti nëse ky lloj shou a e dëmton seriozitetin e politikës.

“Unë besoj që na është vënë viza. Ramës i është lënë detyra t’ua bëjë shqiptarëve të Kosovës të ‘përtypshëm’ ndonjë modifikim të kufijve. Dihet që Tirana ka gjithmonë një ndikim te shqiptarët jashtë kufijve. Si dhe ndihmon edhe pak Thaçin. Ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lëmë jashtë Mitrovicën. Them që i kanë lënë vetëm pjesën e shout, nuk pjesë e vendimmarrjes Ramës dhe Haradinajt”, shtoi Hila.

Gazetarja Sonila Meço u përfshi në debate me regjisorin Laert Vasilin për bashkimin me Kosovën.

“Në vitin 2013, me të ardhur në pushtet, ka pasur një nismë të kryeministrit Rama që unë e kam mbështetur. Zhvillimi i mbledhjeve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të krijuar një hapësirë mbarëshqiptare që numerikisht sot ekziston por nuk funksionon si e tillë. Në 5 vite më thuaj cili projekt përvijon bashkimin ekonomik, arsimor dhe kulturor midis dy vendeve”, tha Meço.

“Në kulturë funksionon. Sapo është zhvilluar festivali mbarëkombëtar”, tha Vasili.

“Arti dhe Kultura nuk është vetëm teatri”, u shpreh Meço.

Kurse udhëheqësi i emisionit, Artur Zheji, përmendi edhe “Rrugën e Kombit”.

“Edhe në festivale kam dëgjuar kritika për nivelin e përfaqësimit. Bashkimi kombëtar bëhet kur ka politika dhe jo marrëveshje. Kur ka strategji institucionale të funksionimit mbi ligje. Nuk bëhet bashkimi kombëtar as me hartim. Nga viti 21013-2018, të mos kesh lejuar pataten e Kosovës të gjej vendin e vet. Bizneset e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk gjejnë dot bashkimin”, theksoi Meço.