Noterët në Shqipëri kanë hartuar një draft ku propozojnë që divorcet kur ka marrëveshje mes çiftit, të mos përfundojnë në gjykatë, por të bëhen me akte të thjeshta noteriale. Iniciativa është marrë nga drejtuesja e qendrës së trajnimit, noterja Elona Saliaj, e cila argumenton se për këtë nismë është nxitur nga numri i lartë i stokut të dosjeve në gjykata, por edhe ristrukturimit të sistemit të drejtësisë që po bëhet së fundmi në Shqipëri. Për këtë propozim, thuhet se është marrë shembull nga Greqia, Spanja, Letonia, Rumania, e vende të tjera ku zgjidhja e martesës bëhet te institucioni i noterit.
“Ajo çka kemi propozuar është një projekt marrëveshje që bëhet te noteri kur bashkëshortët kanë pëlqim reciprok, por ligji aktualisht kërkon që ndarja të jetë e miratuar në gjykatë. Nëse ka konflikt shërben gjykata dhe është e pazëvendësueshme, por në momentin kur nuk ka konflikt, ata mund të arrijnë një marrëveshje të shkruar dhe përcaktojnë zgjidhjen e martesës, mund të bëhet për një ditë, nuk ka afate të tejzgjatura”, deklaroi Saliaj.
Sipas saj, nëse çiftet me fëmijë janë dakorduar se cilit t’i lihen për rritje dhe edukim, atëherë të caktohet nga noteri një psikolog.
“Natyrisht që në çdo kohë nëse prindi tjetër nuk është dakord me këtë mënyrë mund të kërkojë në gjykatë në çdo kohë heqjen e përgjegjësisë prindërore”, thuhet në draft propozimin.
Sipas Saliajt, derisa zgjidhjet e martesave në të shumtën e rasteve janë rreth personave që jetojnë jashtë vendit, në kohën kur vijnë ne Shqipëri, siç tha noteria, kostot për kryerjen e procedurave rriten.
“Natyrisht emigrantët presin edhe me ditë të tëra. Çfarë sjell kjo në fakt? Fakti që gjatë kohës që presin të divorcohen nuk blejnë dot një pronë në emrin e tyre sepse do duhet të regjistrohen në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve sepse vazhdon bashkësia ligjore. Ose në rastet kur duan të marrin një kredi personale, nuk mund ta bëjnë sepse do duhet bashkredimarrës dhe bashkëshorti tjetër, ndërkohë ato janë në procedura divorci. Për të shmangur këto problematika të panevojshme do duhet të mos ketë një shtesë akoma më tepër për gjykatën, por të thjeshtohen procedurat dhe shteti t’ua japë këtë mundësi qytetarëve që ta zgjidhin martesën me marrëveshje”, sqaron drejtuesja e qendrës së trajnimit të noterëve.
Ky draft, sipas Saliajt, do të sillte ulje të kostove financiare dhe volumit të punës së gjykatave. Ajo njoftoi se kërkesat për divorc në Shqipëri janë në rritje.