Pas arritjes së fletëvotimeve, në shkollën “Dardania” në Prishtinë po vazhdon votimi i qytetarëve pas mbylljes së vendvotimit në ora 19:00. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, drejtori i shkollës, Isak Bregaj.
“Procesi i votimit është duke vazhduar. Aktualisht janë rreth 15 persona që po presin për të votuar”, ka thënë Bregaj.
19:19- Në shkollën “Ismal Qemaili” arrijnë fletëvotimet pas orës 19:00
Në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë qytetarët po vazhdojnë të presin për të shfrytëzuar të drejtën e votës.
KOHA ka mësuar se fletëvotimet kanë arritur në këtë qendër pas orës 19:00.
Në shumë qendra votimi, sidomos në Prishtinë në dy-tri orët e fundit ka pasur mungesë të fletëvotimeve, për çka edhe është krijuar tollovi e madhe.
Kjo është konfirmuar edhe nga KQZ-ja, sipas të cilës ka pasur mungesë të materialit vetëm për votat me kusht.
19:05 - Mbyllen qendrat e votimit, të drejtë vote pas orës 19:00 kanë vetëm ata që ishin brenda qendrave
Në orën 19:00, janë mbyllur qendrat e votimeve në Kosovë.
Të drejtë vote pas kësaj kohe, kanë vetëm ata votues që ishin në pritje për të votuar dhe janë brenda qendrave.
Të tillë, sipas raportimeve të fundit, ka në disa shkolla, sidomos në Prishtinë, pasi në dy orët e fundit kishte mungesë të fletëvotimeve.
18:45 - Në shkollën “Dardania” në kryeqytet dërgohen fletëvotimet
Shkolla “Dardania” në kryeqytet është furnizuar me fletëvotime, kjo pasi shumë qytetarë kanë qenë duke pritur për të votuar.
Me mungesë të fletëvotime janë duke u përballuar edhe disa qendra të tjera në Prishtinë për të cilat ende nuk është njoftuar nëse është dërguar materiali.
18:17 - Konfirmohet mungesa e fletëvotimeve
Një zyrtar i lartë në KQZ ka konfirmuar mungesën e fletëvotimeve në disa qendra votimi në Prishtinë.
Sipas tij, mungesa të tilla janë evidentuar vendvotime ku është votuar me kusht.
Burimi i KOHËS ka thënë se numri i votave me kusht është i paparashikueshëm. Ai shtoi se fletëvotimet janë duke u dërguar në qendrat ku mungojnë.
KOHA ka kontaktuar edhe zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, mirëpo ai nuk ka dhënë një përgjigje për këtë çështje.
Ndërkohë, edhe në Fakultetin Teknik është tollovi e madhe. Qytetarë që ka intervistuar KOHA thonë se tash e dy orë janë në pritje për të votuar.
“Tash e dy orë jam në pritje, ndërkohë tash e gjysmë orë nuk ka fletëvotime. Ky është sabotazh”, ka thënë për KOHËN, Jusuf Thaçi, profesor.
18:10- Tollovi në disa qendra të votimit në Prishtinë për shkak të mungesës së fletëvotimeve
Në disa qendra të votimit në Prishtinë janë krijuar grumbuj njerëzish të interesuar për të votuar. Në disa prej tyre po mungojnë edhe fletëvotimet.
Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë po vazhdon të ketë numër të madh të njerëzve të cilët duan të votojnë. Në korridoret e shkollës shihet fluks i madh i njerëzve, në më pak se një orë prej sa ka mbetur të mbyllen zyrtarisht votimet.
Shumë qytetarë janë duke pritur edhe në shkollën “Dardania” për shkak të mungesës së fletëvotimeve. Disa prej tyre, në shenjë revolte janë duke u kthyer edhe pa votuar.
17:15 - Për tri orë ka pasur mungesë të zarfeve në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në kryeqytet duke bërë që të ketë tollovi të qytetarëve që donin të votonin me kusht.
Zyrtari i KKZ-së nga kjo qendër votimi ka thënë për KOHËN se moti i ligë shkaktoi vonesa në këtë proces.
Sipas tij, mungesa ka qenë prej orës 12 e 45 deri në orën 15 e 50.
16:46 - Vdes një 81-vjeçar në Kaçanik, iu keqësua gjendja gjatë votimit
Një 81-vjeçar ka vdekur pas votimit në një qendër të votimit në fshatin Biqec të Kaçanikut.
Policia e rajonit të Ferizajt ka bërë të ditur për KOHËN se të njëjtit i është keqësuar gjendja pas votimit dhe pastaj është dërguar me emergjencë në spitalin e Kaçanikut ku më pas edhe ka vdekur.
“Deri tash krejt çka kemi informata është se pas votimit i është keqësuar gjendja, është dërguar me emergjencë në spital dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi.
16:30 - Kelani: Situata është e qetë, deri tani janë hapur dy raste për cenim të votimit
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka deklaruar se aktualisht situata është e qetë dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhore po shkon siç duhet.
Ai në një prononcim për KTV-në ka thënë se deri më tani janë hapur dy raste, një në Rajonin e Prishtinës dhe një në atë të Prizrenit, ku ka të bëjë me cenim të votimit.
“Policia ka ndërmarrë veprime të nevojshme, është koordinuar me prokurorët dhe dy persona më pas janë liruar në procedurë të rregullt. Jashtë qendrave të votimit janë regjistruar edhe dy raste por nuk lidhen me procesin e votimit”, ka thënë Kelani.
Lidhur me disa raste që është raportuar se janë shitur votat online, Kelani ka thënë se janë në dijeni dhe ndaj dy personave janë hapur rastet.
15:20 - Deri në orën 15:00, kanë votuar 32.26 për qind e qytetarëve me të drejtë vote
Deri në orën 15:00 në qytetin e Ferizajt kanë votuar 32.26 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kështu ka deklaruar zyrtari i lartë komunal zgjedhor për Ferizaj, Shaban Rexha.
Përderisa zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se deri në këtë orë nuk është shënuar asnjë incident.
15:52 - Në Drenas deri në ora 15:00, kanë votuar rreth 29 për qind të qytetarëve
Në Komunën e Drenasit deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 29 për qind të qytetarëve, që është nën mesataren e Kosovës, që është afro 32 për qind.
Nga qendra e votimit në shkollën “Halil Bajraktari”, numri i votuesve ka qenë mjaft i ulët. Është njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar vetëm rreth 15 qytetarë në këtë qendër, apo rreth dy për qind. Ndërsa aktualisht numri është 165, por se po shihet një fluks më i madh.
15:40 - Në Gjakovë deri në ora 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve
Sipas zyrtarëve të KQZ-së në Gjakovë deri në ora 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 33 mijë qytetarë, nga rreth 105 mijë sa janë.
Armir Rexhaj nga KKZ-ja ka thënë se kanë vendim nga KQZ-ja që të mos u lejohet deklarimi drejtorëve të shkollave, ndërsa ka thënë se nuk e di arsyen pse.
15:15 - Voton një 107-vjeçare në Ferizaj
Xhyzide Aliu, 107 vjeçare nga fshati Dardani e Ferizajit ka votuar edhe në zgjedhjet e këtij viti në qendrën e votimit në shkollën “Dituria” në këtë fshat.
Ajo tha se pret që me këto zgjedhje të vijnë kohë më të mira për të rinjtë.
“Prej që e mbaj në mend se ka filluar votimi, unë kam votuar. Të rinjtë shpresoj që marrin rrugë të drejtë. Pres ndryshim për të rinjtë, të rriten, gëzohen e të përparojnë. Të rinjtë të dalin në dritë dhe kryetari i ri t’i kënaqë të gjithë”, tha ajo në një intervistë të shkurtë për KTV-në.
Bashkë me të, për të votuar ka ardhur biri i saj i cili jeton në Zvicër por që në këto zgjedhje ka ardhur veçanërisht për të votuar.
“Nuk kam lënë asnjëherë pa votuar”, u shpreh 107-vjeçarja.
14:54 - Suhareka i kthen mbrapshtë votuesit me letërnjoftim të skaduar, KQZ-ja vendos t’i lejojë
Qytetarët me letërnjoftim me afat të skaduar nuk po lejohen të votojnë në qendrën e votimit në shkollën teknike “Skënder Luarasi” në Suharekë.
Menaxheri i kësaj qendre Arbnor Kuqi tha për KTV-në se i vetmi problem që u është paraqitur deri tani është që një numër i qytetarëve kanë dashur të votojnë me kartë identiteti me afat të skaduar.
Mirëpo sipas tij, ata janë kthyer mbrapshtë pasi me rekomandimin e KQZ-së nuk mund t’i lejojnë ata të votojnë.
“Një numër i vogël i qytetarëve kanë qenë me dokumente me afat të skaduar të cilët sipas ligjit i kemi kthyer mbrapshtë pasi nuk kanë pasur të drejtë vote. Deri në ora 11:00 kanë votuar rreth 145 qytetarë, pas orës 11 ka filluar fluksi të rritet dhe tani kemi një fluks më të madh të qytetarëve që duan të votojnë”, ka thënë ai.
Ndërkohë para pak çastesh përfaqësuesi i LVV-së në KQZ Sami Kurteshi ka shkruar në facebook se KQZ-ja ka marrë vendim që të lejohen të votojnë qytetarët me letërnjoftim me afat të skaduar.
“NJOFTIM ME RËNDËSI! KQZ posa mori vendim për lejimin e qytetarëve për të votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Të gjithë ata që janë në listën e votuesve në Kosovë mund të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar”, ka shkruar Kurteshi.
Edhe Arlind Manxhuka nga LVV-ja ka shkruar në facebook se KQZ-ja mori vendim për të lejuar votimin me afat të skaduar.
“Njoftim: KQZ posa mori vendim për lejimin e qytetarëve për të votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Të gjithë ata që janë në listën e votuesve në Kosovë mund të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar”, ka shkruar edhe ai njëjtë si Kurteshi.
14:30 - Në shkollat e Gjakovës u ndalohet mediave të incizojnë në klasa
Në shkollat e Gjakovës, të kthyera në qendra votimi, është ndaluar incizimi për media nëpër klasa ku po votohet.
Drejtorët e shkollave nuk kanë folur para kamerave, por kanë thënë se vendimi për të ndaluar incizimin vjen nga Komuna e Gjakovës.
14: 28 - Procesi zgjedhor në Kamenicë po ecën mirë vetëm se nuk po respektohen masat anti-COVID
Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Kamenicë, Agim Kastrati ka thënë se deri tani procesi zgjedhor ka ecur mirë.
Kastrati është ankuar se nuk po respektohen masat dhe se nuk po e kupton se përse po ndodh kjo.
14:20 - Mohohet se djali i Hashim Thaçit nuk është lejuar të votojë për shkak se mbante simbole partiake
Menaxherja e qendrës së votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë ka thënë se secili qytetar me të drejtë vote që ka shkruar në këtë qendër për të votuar është lejuar që të votoj nëse ka pasur kartë identiteti.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë për KTV-në kur është pyetur se a është e vërtetë që djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi nuk është lejuar të votojë pasi mbante simbole partiake.
“I gjithë procesi ka filluar në ora 7 të mëngjesit, çdo gjë ka shkuar me rregull dhe tek ne të gjithë votuesit që kanë pasur letër identifikuese kanë votuar”, ka thënë ajo.
14:05 - Mërgimtari që erdhi nga Amerika për të votuar në zgjedhje
Kushtrim Shala është një qytetar i Pejës i cili ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Shala tha për KTV-në se ai me disa shokë kanë ardhur nga atje për të votuar me shpresën se do të bëhet më mirë në Kosovë.
“Ne atje jemi me trup me mendje. Vendosëm me u nis dhe me ardhë, ishalla bëhet një ndryshim më i mirë dhe me pas një vend tonin që të kthehemi një ditë. Ka 16 vjet që jetoj në Amerikë. Presim një fitore mi dhanë punë rinisë, jo korrupsion, mos me i pa tanët duke hequr keq, të mos kenë nevojë për ndihmën tonë. Të kenë punën së pari”, ka thënë ai.
Për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë mbërritur në Kosovë ditëve të fundit një numër i madh i mërgimtarëve nga vendet si Gjermania, Zvicra, Belgjika, Suedia etj.
14:00 - Grumbull njerëzish edhe në Banjë të Malishevës në pritje për votim
Numër i madh i njerëzve pa respektuar distancën mes vete, janë duke pritur për të votuar në Malishevë.
Votuesit janë grumbulluar në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Banjë të Malishevës dhe po presin ta hedhin votën e tyre.
KOHA ka vërejtur shkelje të masave anti-COVID edhe në qendra të tjera votuese në komunat e Kosovës. Më herët u raportua se në Graçanicë ka fluks të madh votuesish, ashtu si në Prishtinë, Fushë-Kosovë, veri të vendit e komuna të tjera.

13:47 - Në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë s’po respektohen masat anti-Covid
Numër i madh i qytetarëve më të drejtë vote mesditën e së dielës ia kanë mësyrë shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Masat anti-Covid nuk respektoheshin, duke u krijuar radhë të gjata.
Me kësaj qendre të votimit nuk ka pranuar të flasë para kamerës.

13:42 - Në Graçanicë, po vërehet një fluks më i madh i qytetarëve, ka shkelje të masave anti-COVID
Në Graçanicë është vërejtur një fluks më i madh i qytetarëve në qendrat e votimit në këtë periudhë.
Në qendrën e votimit në shkollën “Mbreti Millutin”, që është prej qendrave më të mëdha në Graçanicë, është vërejtur fluks i qytetarëve e herë pas here janë shkelur edhe masat anti-COVID, njofton KOHA.
Ka pasur raste kur nuk është mbajtur distanca.
Menaxheri i kësaj qendre ka thënë se gjitha qendrat në Graçanicë, ku janë mbi 20 mijë votues, janë hapur me kohë, ndonëse është krijuar vështirësi shkaku i kushteve atmosferike.

13:04 - Policia në disa qendra votimi në Ferizaj s’lejon mbajtjen e maskave që simbolizojnë logo të partive
Policia e Kosovës në disa qendra votimi në Ferizaj, nuk është duke lejuar të mbahen maska që simbolizojnë logo apo ngjyra të partive.
Një person fillimisht kishte maskë të kuqe, por pasi e kuptoi se po e kërkon policia e ndërroi atë me një maskë të thjeshtë, raporton KOHA.
12:29 - Vetëm 10,28 % e qytetarëve me të drejtë vote në Prishtinë kanë votuar deri në ora 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 në Prishtinë kanë votuar 10.28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i votuesve në të gjithë Kosovën deri në ora 11:00 ka qenë 8,3 për qind apo rreth 1 për qind më pak se deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019.
Numri më i madh i votuesve është në komunat me shumicë serbe Zveçan me 33,22 për qind, Leposaviqi 27,07 për qind dhe Mitrovica e Veriut me 26,29 për qind e qytetarëve që kanë dalë për të votuar.
13:30 - Qendra e votimit në Lisock të Kamenicës nuk hapet në kohë, shkak reshjet e borës
(KosovaPress) Një qendër votimi në fshatin Lisock të Kamenicës nuk ka arritur të hapë dyert në orën 07:00 për qytetarët të cilët kanë shprehur vullnetin për të votuar në këto zgjedhje. Një gjë e tillë ka ndodhur si shkak i reshjeve të dendura të borës, por që me një orë vonesë ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve kanë filluar pastrimin dhe është vijuar me procesin zgjedhor.
Deri në orën 11:00 në Kamenicë kanë votuar vetëm 7,8 për qind e qytetarëve, përqindje kjo që po konsiderohet jo e kënaqshme. Një gjë të tillë ka bërë të ditur, zyrtari i KKZ-së në Kamenicë, Agim Kastrati i cili thotë për KosovaPress se 28 qendrat e votimit të tjera janë hapur me kohë.
"Për shkak të reshjeve atmosferike të borës në qendrën e votimit në fshatin Lisock kanë shkuar deri në Hogosht, pastaj kemi thirrur personat për mirëmbajtjen e rrugës, e kanë përgatitur terrenin, dhe bashkë me ta kanë dalë. Më vonë, diku në orën 08:00 kemi depërtuar dhe është hapur edhe ajo qendër votimi. Mund të konstatojmë se të gjitha qendrat e votimit në Kamenicë, 28 janë hapur në kohën e duhur", tha Kastrati.
Kastrati bën të ditur se në disa qendra ka pasur edhe mungesë të zarfeve te votimeve me kusht, e të baterive ultravioletë.
"Kemi pasur dy qendra votimi ku kanë munguar zarfet me kusht. Ekipet tona kanë intervenuar shpejt dhe ato dy qendra votimi janë furnizuar me ata zarfe. Eventualisht ndonjë bateri, llamba ultravioletë ka munguar edhe ai material ka shkuar në kohën e duhur", tha Kastrati.
Ai tregon se numri i personave që kanë votuar deri orën 11:00 nuk është i kënaqshëm.
"Deri në orën 11:00 nga trupat votuese e 33, 104 votues kanë votuar 7,8 për qind. Gjë që është nën mesataren për votimet që kanë ndodhur deri më tani. Ose për shkak të motit të keq ose njerëzit hezitojnë, dikush e lë pasdite e kështu me radhë", tha ai.
12:37 - Mërgimtari erdhi nga Suedia për të votuar, nuk e gjeti veten në listë
Mërgimtari Frashër Oseku ka ardhur nga Suedia për të votuar në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Mirëpo, ai nuk e ka gjetur veten në listën e votuesve.
Nga qendra e votimit në “Faik Konicë” në Prishtinë, Oseku, ka thënë se ai nuk gjendet në asnjë listë, ndonëse nuk është invalid i luftës.
“Rregullisht votoj nga diaspora, kam ndihmuar diasporën me apliku. E pash që në listë nuk më doli emri. Kam kërkuar edhe të marrë letërnjoftim të Kosovës. Kam telefonuar edhe në KQZ pasi nuk më doli emri. Kam telefonuar në numrin që është caktuar, por asgjë. Tash të vijë të votojë këtu. Këtu jam zhdukur fare, thuajse jam i zhdukur, i vdekur. E kam certifikatën e lindje, por asgjë. Kam apliku për letërnjoftim të Kosovës në ambasadë gati dy muaj, por sërish asgjë. Më thanë shko në MPJ, shkova. Nga atje shkova në Ministri të Punëve të Brendshme e pastaj edhe në vendin ku jepen letërnjoftimet, por kot. Nuk kam as letërnjoftim e as nuk kam mundur të votoj nga jashtë. Konfiguroi si i zhdukur. Këtu më thanë se nuk ekziston në asnjë listë. Thuajse jam i vdekur, kjo është më e keqja. Planifikoj të iki nesër nga këtu. Kam ardhur vetëm për zgjedhje. Jetoj qe 32 vjet në Suedi. Jam invalid i luftës, që është konfirmuar, por nuk figuroj prapseprapë. Kjo është Kosova sot”, ka thënë Oseku për KTV.
12:14 - Fluks i madh i qytetarëve në pritje për të votuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë
Një numër i madh i qytetarëve është parë duke pritur për të votuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Menaxheri i kësaj qendre Ekrem Rudari ka thënë për KTV-në se deri tani gjithçka ka shkuar mirë dhe numri i votuesve po shkon duke u rritur.
“Deri tash ka qenë në rregull, kanë filluar të vijnë më shumë votues, masat i kemi marrë të gjitha për COVID-19 sivjet e kemi edhe ngrohjen e kryeqytetit dhe nuk ka ftohtë brenda”, ka thënë Ruda
12:13 - Rreth 8 për qind e gjilanasve kanë votuar deri në orën 11:00
7.85 për qind e gjilanasve kanë votuar deri në orën 11:00, ku mbi 94 mijë të qytetarëve kanë të drejtë vote.
Zyrtari i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan, Ferid Shabani ka thënë për KosovaPress se deri në këtë orë kanë votuar 7405 qytetarë prej 94923 votuesve.
Tutje, menaxheri i shkollës "Abaz Ajeti”, në Gjilan, Arsim Bejtullahu tregon për KosovaPress se sa është numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën qytetare deri në orën 11:00 në këtë qendër votimi.
"Deri më tani në orën 11:00 kanë votuar 1100 votues, prej 16 mijë votuesve që kanë të drejtë votimi në këtë qendër. Duke krahasuar me orët e njëjta të zgjedhjeve të kaluara mund të themi se trendi i daljes në zgjedhje është pothuajse i njëjtë", tha ai.
Bejtullahu tregon se në zgjedhjet e vitit 2019, në këtë qendër kanë votuar mbi 7 mijë persona.
"Procesi i votimit deri më tani është duke shkuar shumë mirë. Duke filluar nga dita e djeshme deri më sot ku përfshihen pranomet e materialeve të ndjeshme. Gjithçka është duke shkuar deri më tani mirë", tha ai.
Ai potencoi se në korridoret e shkollës po ka më shumë grumbullime, ndërkaq në klasat ku edhe votohet, janë duke respektuar masat anti-COVID.
Ndryshe, në Komunën e Gjilanit janë 34 qendra votimi dhe 118 vendvotime.
Të drejta vote kanë 94,923 votues, ndërsa 8100 votues janë më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara për shkakun e pastrimit të listës së votuesve që kanë pasur dokumente UNMIK-ut, të vdekurit dhe për votuesit që kanë aplikuar për të votuar përmes postës. /KSP
12:11 - Në Ferizaj, në një qendër votimi nuk funksiononte llamba
Në Ferizaj, në qendrën e votimit në shkollën e mesme teknike nuk ka funksionuar në një periudhë llamba e dorës, dhe votuesit në dy-tri raste kanë hyrë për të votuar pa u kontrolluar me të, raporton KOHA.
11:55 - Vetëm një klasë për votime me kusht në një shkollë në Fushë-Kosovë, qytetarët presin me orë
Në pikën e votimit me kush në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, qytetarët po ankohen për pritje të gjatë.
Kryesuesi i kësaj pike, Fisnik Sllamniku, për KTV-në ka thënë se për shkak të procedurave po shkaktohen vonesa.
“Votimi ka filluar me rregull. Është vetëm një klasë për votime me kusht, por për shkak se procedurat duhet të shkojnë ligjërisht, kemi radhë të gjatë njerëzisht që po presin”, tha ai.
Ndërsa, bëri të ditur se deri tash kanë votuar me kusht 210 qytetarë.
Një qytetar është shprehur i revoltuar në këtë pikë, pasi thotë se po pret për disa orë para saj dhe nuk po mundet të votojë.
Një tjetër qytetar i ka thënë KTV-së se organizimi nuk është aspak i mirë dhe se po pret prej dy orësh aty.
“Organizimi është katastrofë, nuk ka distancë. Jemi duke pritë dy orë e më tepër”, tha ai.
Derisa radhë njerëzish janë krijuar aty, kujtojmë se Kosova si në gjithë botën po bashkëjeton me pandeminë me COVID-19. Rekomandimet e institucioneve të shëndetësisë janë që të respektohet distanca, të mbahen maskat e higjiena që të mbrohet shëndeti nga virusi.
11:10 - Votimi në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë po vazhdon në mënyrë të rregullt
Në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë ka nisur procesi i votimit me kohë.
Sipas udhëheqësve këtu, i gjithë materiali për votim dhe për masat anti-Covid ka arritur me kohë.
Derisa tani vërehet një fluks më i madh i qytetarëve për të votuar, krahasuar me orët e mëhershme.
Këtu janë edhe zyrtarë policorë të cilët po u kërkojnë të gjithë qytetarëve të vendosin maskën.
Në këtë qendër janë mbi 6 mijë persona që kanë të drejtë vote, derisa në tërë komunën e Gjakovës janë mbi 105 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Qytetarët këtu janë shprehur se duan ndryshim dhe se për ta është e veçantë data e sotme shkaku i zgjedhjeve që përkon edhe me Shën Valentinin.
Në këtë qytet ka dalë të votoj edhe Ferdonije Qerkezi, e cila ka dy djem të vrarë, dy të tjerë dhe burrin të zhdukur.
Ajo tha se pret që qeveria e re të angazhohet më shumë për çështjen e të pagjeturve
10:51 - Sipas KKZ-së, në Podujevë po vazhdon procesi zgjedhor normalisht
Nexhat Tovërlani
Asnjë paregullsi nuk është raportuar deri tash në Komisionin Komunal Zgjedhor në Komunën e Podujevës për procesin zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme paralamentare. Kryesuesi i KKZ-së, Islam Demolli, ka thënë se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet, pavarësisht kushteve atmoferike që po mbretërojnë që nga dita e shtunë.
“Asnjë vendvotim nuk është vonua për shkak të kushteve që i kemi pasë. Dhe të gjitha vendvotimet 105 sa janë gjithsej në 45 qendra votime janë hapur me kohë. Deri tash nuk është raportuar për asnjë parregullsi në asnjë qendër të votimit”, ka thënë Islam Demolli.
Sipas tij, në Komunën e Podujevës janë 79 mijë e 245 votues, ose rreth 8 mijë më pak se në zgjedhjet e kaluara.
Demolli ka thënë se kjo shifër është pas heqjes nga lista e votuesve të atyre që janë ende me dokumente të UNMIK-ut, të vdekurit dhe ata që kanë aplikuar nga mërgata.
“Nëse diksuh ka aplikuar suksesshëm, e ka thirrë KQZ-ja edhe i është kthyer e-maili se ka të drejtë të votojë jashtë Kosovës, ai mund të votojnë vetëm jashtë Kosovës, nuk mund të votojë në Kosovë, as me kusht”, ka theksuar kryesuesi i KKZ-së.
Demolli thotë se rreth orës 12:00 do të dalin me numrin e atyre që kanë votuar deri në atë kohë.
09:00 - Mungesë e dezinfektuesve në një qendër votuese të Prishtinës
Shkolla fillore “Dardania” në Prishtinë është hapur në kohën e rregullt për qytetarët të cilët kanë të drejtë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në këtë qendër.
Isak Begaj, menaxher i kësaj qendre votuese, në KTV ka thënë se qytetarët kanë pritë qysh para orës 07:00 në radhë për të votuar.
Ai tregon se materiali zgjedhor ka arritur aty dy orë para hapjes zyrtare të qendrës votuese, porse shpreh se ka mungesë të dezinfektuesve që duhet të sigurohen nga KQZ-ja.
“Qysh para orës 07:00 kanë qenë disa persona që kanë pritë për të votuar. Është ën rritje fluksi I qytetarëve për të votuar. Qendra është hapur me kohë dhe çdo gjë është në rregull. Materialet zgjedhore kanë ardhur në ora 05:00. Është detyrë e KQZ-së që t’i pajisë qendrat dezinfektues, I kanë sjellë disa maska e doreza, por dezinfektues nuk kishte”, tha Bregaj.
08:10 - Lista Serbe me një grumbull njerëzish i drejtohen qendrës së votimit në veri
Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, zyrtarë të tjerë të Listës të shoqëruar nga shumë qytetarë serbë po votojnë në qendrën e votimit të veri.
Sipas informatave, Lista Serbe i ka grumbulluar qytetaret tek sheshi “Car Lazar” dhe prej atje kanë ardhur të votojnë në grumbull.
Të gjithë janë futur në qendrën e votimit në shkollën teknike pa respektuar masat anti-COVID.
Rakiq pasi ka votuar u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë duke respektuar masat anti-COVID edhe pse një gjë të tillë nuk e respektoi as vet ai.


08:00 - Përkundër vështirësive rrugore në Ferizaj e Lipjan hapen të gjitha qendrat e votimit
Në Ferizaj e Lipjan që nga 07:00 e mëngjesit janë hapur të gjitha qendrat e votimit, madje edhe ato në viset malore përkundër vështirësive rrugore pas reshjeve të borës.
Në komunën e Ferizajt pas pastrimit të listave të votuesve në krahasim me vitin e kaluar, sivjet janë 13 qendra më pak të votimit.
Shaban Rexhaj, shef i KKZ-së në Ferizaj ka thënë për KOHËN se gjithçka ka nisur për së mbari përkundër vështirësive në komunikacion.
“Në komunën e Ferizajt të drejtë vote kanë gjithsejtë 104 mijë e 566 votues, të cilët do të mund të votojnë në 134 vendvotime të cilat janë të vendosura në 44 qendra. Përkundër vështirësive në komunikacion pas reshjeve të borës janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit, madje edhe në vendet e thella malore si Jezerci etj”, ka thënë Rexha.
Ndërkaq, Hamëz Kadriu, shef i KKZ-së në Lipjan ka thënë se në këtë komunë të drejtë vote kanë gjithsejtë 57 mijë e 720 votues.
“Gjendja më e rëndë e rrugës ishte në drejtim të fshatit Brus, por edhe atje janë hapur vendvotimet. Pra gjithsejtë në komunën e Lipjanit janë hapur me kohë 34 qendra dhe 78 vendvotime”, ka thënë Kadriu.
Edhe në këtë komunë për shkak të pastrimit të listave në këto zgjedhje janë tri qendra më pak të votimit.
07:48- Kamerat nuk janë në funksion në qendrat e votimit në Skenderaj
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dje ka bërë të ditur se kishte kërkuar që kamerat nëpër klasë të jenë funksionale si në çdo ditë tjetër në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e zgjedhjeve.
Mirëpo Jashari ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte pranuar diçka të tillë.
Menaxheri i qendrës më të madhe të votimit në komunën e Skenderajt, Agron Istogu ka bërë të ditur për KTV-në se në këtë qendër nuk janë funksionale kamerat ashtu siç ka kërkuar kryetari Jashari.
“Kamerat sot nuk janë në funksion është paralajmëruar edhe nga ana e komunës që ti përmbahemi rregullave të KQZ-0sëkështu që kamerat janë të fikura”, ka thënë Istogu menaxher në qendrën e votimit në shkollën e mesme “Anton Qeta”.
Në Skenderaj të drejtë vote kanë 51 mijë e 341 qytetarë në 35 qendra të votimit dhe 74 vendvotime.
07:38 - Me 20 minuta vonesë nis votimi në një nga qendrat kryesore në Gjakovë
Me rreth 20 minuta vonesë ka nisur procesi i votimit në njërën nga qendrat më të mëdha në komunën e Gjakovës.
Sipas udhëheqësve këtu, kjo vonesë është bërë për shkak se në ora 0:7:00 të mëngjesit u ka ardhur materiali zgjedhor.
07:30 - Nis votimi në lagjen e Boshnjakëve, kërkohet kufizimi i personave brenda qendrës për shkak të pandemisë
Në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës është hapur qendra e votimit me kohë, megjithatë për shkak të hapësirës së ngushtë ku po votohet është kërkuar që të kufizohet numri i atyre që hyjnë.
Kryesuesi i kësaj qendre u ka kërkuar vëzhguesve që të kufizohet numri i atyre që hyjnë brenda qendrës dhe gjithashtu vëzhguesit e partive duhet që me rend të hyjnë brenda qendrës.
Në dy qendra ku kanë të drejtë vote shumica e banorëve shqiptarë, kanë të drejtë vote mbi 13 mijë banorë.
Ndërsa në katër komunat veriore numri i atyre që kanë të drejtë vote është mbi 43 mijë në 44 qendra të votimit. E veçanta e këtyre zgjedhjeve parlamentare është se po mbahen për herë të parë pa praninë e OSBE-së, ndërsa qytetarët në veri mund të votojnë vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës.
Në qendrën e votimit në shkollën teknike në veri është parë që pavarësisht se nuk ka pasur numër të madh votuesit, nuk është respektuar distanca e paraparë me rekomandimet për mbrojtje nga COVID-19.
07:01 - Nis procesi zgjedhor, kryetarja e KQZ-së, Daka voton
Ka nisur procesi zgjedhor në Kosovë. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e para ka votuar.
Pasi ka votuar Daka është deklaruar për media. Ajo ka ftuar gjithë qytetarët të respektojnë masat anti-COVID, po ashtu edhe partitë politike. Madje subjektet politike i ka ftuar që të respektojnë edhe rregullat e KQZ-së, Ligjin mbi zgjedhjet dhe Kushtetutën në këtë ditë.
“Unë posa e kryva obligimin tim kushtetues, votova, dhe si kryetare e KQZ-së mund të ju konfirmojë, se KQZ-ja ka përfunduar gjitha përgatitjet dhe obligimet e vet a kushtetuese e ligjore. Sot ia dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve. Sot, KQZ-ja do ta bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Gjitha detyrat e obligimet tona i kemi përfunduar. Ftoj qytetarët të respektojnë gjitha rregullat anti-COVID. I ftoj ata që gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre kushtetuese, të respektojnë masat anti-COVID. Po ashtu ftoj edhe subjektet politike që të respektojnë masat anti-COVID. I ftoj gjitha subjektet politike që gjatë ditës së sotme të respektojnë rregullat e KQZ-së, ligjin mbi zgjedhjet dhe Kushtetutën”, ka thënë Daka.
Ajo ka folur edhe për votimin e personave me COVID-19, e veçanërisht ata që janë të hospitalizuar.
“Edhe ata të hospitalizuar do të vizitohen nga ekipet mobile, nëse kanë shprehur dëshirën të votojnë. Tek ne votimi nuk është obligues, është e drejtë kushtetutese që qytetarët zgjedhin ta ushtrojnë apo jo. Gjithë ata që janë lajmëruar do të vizitohen nga ekipet mobile”, ka thënë Daka.