Arbëri

Në Sferkë të Klinës krijohet moçali i ujërave fekale nga bllokimi i kanalizimit

Qe një vit banorët e fshatit Sferkë të Komunës së Klinës janë duke u përballur me kundërmimin e ujërave fekale, që kanë dalë në sipërfaqe dhe kanë krijuar një moçal të ujërave të zeza në luginën e fshatit, e quajtur “Lugina e përroit”. Kjo luginë është mbushur në tërë gjatësinë e saj mbi 100 metra me ujëra që kanë rrjedhur mbi sipërfaqe nga bllokimi i gypave dhe pusetave të kanalizimit.

Erërat kundërmuese nuhaten deri lart në fshat që ka mbi 400 shtëpi dhe për banorët janë bërë të padurueshme. Banorët tregojnë se disa herë e kanë njoftuar Komunën e Klinës për këtë problem, por deri tash nuk ka intervenuar. “Problemi është shumë i madh nga ujërat e zeza që kanë vërshuar këtë pjesë të fshatit. Komuna duhet ta zgjidhë këtë problem sa më parë për disa arsye. Jo vetëm për shkak të kundërmimit”, ankohet Adem Gashi, banor i fshatit Sferkë. Ky moçal i ujërave fekale, sipas tij, po paraqet rrezik për helmim të bagëtisë dhe banorëve, për arsye se vendi ku kanë shpërthyer ujërat e zeza frekuentojnë shumë fëmijët dhe blegtorët me bagëtinë e tyre.
“Bagëtia kullosin lugjeve përreth këtij moçali kundërmues. Për këtë edhe e kam ngritur shqetësimin më të madh. Bagëtia aty edhe pinë ujë. Nga ky ujë mund të helmohen dhe mund të ketë probleme me shëndetin e bagëtisë e po ashtu edhe në shëndetin e qytetarëve, meqenëse nga kafshët marrim qumështin dhe mishin”.

Kjo gjendje, sipas tij, është krijuar për shkak se komuna nuk e ka mirëmbajtur rrjetin e as nuk i ka pastruar pusetat e bllokuara.

“S’po them si është ndërtuar, por sikur të ishte mirëmbajtur mirë, me siguri se ky problem nuk do të ishte shfaqur. Kjo pjesë është gjithashtu e preferuar edhe prej banorëve që dalin e shëtisin gjatë ditës dhe në mbrëmje shkaku i ajrit të pastër, por tash nuk ka mundësi nga ky kundërmim i fekaleve”, shton Gashi. Në komunë pohojnë se kanalizimi është mirëmbajtur çdo vit, e pa faj nuk i lë as banorët, të cilët siç thotë drejtori i Shërbimeve Publike, Iber Elezaj, kanë qenë të pakujdesshëm se çka hedhin në kanalizim.

“Ne jemi në dijeni për problemet që janë me kanalizim, jo vetëm në fshatin Sferkë, por edhe në disa fshatra të tjera të Klinës. Dhe me zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve edhe prishjet janë më të shpeshta. Ne gati për çdo vit kemi intervenuar, mirëpo kjo e fundit në Sferkë është goxha një prishje e madhe dhe se në rrjetin e kanalizimit në Sferkë ka edhe prishje të tjera, për shkak të gypave të shtruar të kualitetit jo të mirë”, pohoi Elezaj.

Ai tregon se kanalizimi në fshatin Sferkë është ndërtuar në disa faza dhe se para dhjetë vjetësh, sipas tij, është ndërtuar pjesa më e madhe e kanalizimit. Rrjeti i kanalizimit në fshatin Sferkë nga lart përfundon poshtë buzë pyllit, ku edhe derdhën ujërat e zeza, të cilat pastaj rrjedhin në një përroskë dhe derdhën në lumin Mirushë.

Lugina ku kanë dalë në sipërfaqe ujërat e zeza nuk është as 100 metra larg vendit ku përfundon gypi i kanalizimit buzë pyllit.

Këtë problem, Elezaj tha se do ta eliminojnë me një projekt në vlerë prej 180 mijë eurosh, me të cilin parashihet ndërtimi i impiantit biologjik për pastrimin e ujërave të zeza, me të cilin projekt parashihet edhe sanimi i të gjitha prishjeve në rrjetin e kanalizimit në fshat.

“Pas fshatit Volljakë, Sferka do të jetë fshati i dytë që do të pajiset me impiant për pastrimin e ujërave të zeza. Ky impiant do të ndërtohet në fund të fshatit Sferkë, dhe në të do të kyçet edhe kanalizimi i fshatit Dush. Aty do të lidhen bashkë Dushi dhe Sferka, dhe pastaj uji i cili kullon poshtë nuk do të derdhet më si uji i zi në pjesën ku është edhe Ujëvara e Mirushës. Ne e kemi pasur parasysh këtë se është edhe për mbrojtje të ambientit dhe mbrojtjes së ujëvarës”, tha Elezaj.

Procedurat tenderuese për këtë projekt, Elezaj tha se kanë përfunduar dhe se është përzgjedhur tashmë edhe operatori. Sipas Elezajt, pritet që në ditët në vijim të nisin edhe punimet për ndërtimin e impiantit, nga i cili sipas Elezajt uji pas trajtimit do të dalë deri në 95 për qind i pastër.