Arbëri

Në rritje depresioni, ankthi dhe stresi. Interneti shihet shkaktar kryesor

Psikologë e psikiatër kanë alarmuar për dëmin që është duke e shkaktuar qëndrimi i tepërt në rrjete sociale. Ata kanë treguar se depresioni, ankthi dhe stresi janë në rritje

Profesori i psikologjisë, Musa Musai, ka drojë se depresioni shumë shpejt mund të kthehet në sëmundjen numër një të çrregullimit të shëndetit mendor. E burim i kësaj, ai ka thënë të jetë koha të cilën të rinjtë e kalojnë nëpër rrjete sociale.

“Marrja e informacioneve të panevojshme, rrotullimi i një videoje 100 herë, sot brenda një minute kemi 100 milionë klikime në TikTok në nivel botëror apo kemi 18 milionë mesazhe në Whatsap, kemi mbi 2 milionë hyrje të reja në rrjete sociale, në minutë kemi mbi 3 milionë klikime në Youtube”, ka thënë ai.
E, Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve, ka treguar se problemet psikologjike prekin çdo moshë dhe se stresi dhe ankthi janë shqetësimet më të përhapura psikologjike.

“Mënyra se si ne jetojmë përfshin komplet edhe faktorët psiko-socialë, duke filluar nga gjendja jo e mirë ekonomike, nga mungesa e punës pastaj nga digjitalizimi, përthithja e informacioneve jo të duhura janë të gjitha këto që ndikojnë te individi”, ka bërë të ditur Havolli.

Edhe neuropsikiatri, Ferid Agani, ka theksuar rolin e internetit dhe të rrjeteve sociale në problemet me shëndetin mendor, e nga të cilat ai ka thënë se më së shumti po preken fëmijët.

“Po i shihni zhvillimet që i pamë ditëve të fundit, 19 vajza të cilat me përpjekjet e tyre për të tejkaluar problemet emocionale nëpërmjet një identifikimi të gabueshëm kolektiv nëpër rrjete sociale, kanë ardhur deri te vetëlëndimi”, ka theksuar Agani.

Marie Culaj ka 42 vjet që e ushtron profesionin e psikologes. Tek e ka bërë dallimin në mes kohës kur ka nisur punën dhe asaj tani, ajo ka thënë se ka parë shenja vetëdijesimi të qytetarëve, për t’iu drejtuar psikologut.

“Në atëkohë ka pasur paragjykime për të shkuar te psikologu se nëse shkon te psikologu ti qenke e çmendur, por te psikologu nuk shkojnë njerëzit e çmendur, duhet të vetëdijesohemi se te psikologu edhe unë, edhe ti, dhe çdokush ka nevojë të shkojë me rrëfye një problem që njerëzit e kanë. E vetëdijesimi për të shkuar te psikologu ka filluar pas lufte”, ka theksuar Culaj, psikologe klinike.

Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor të dhënat kanë treguar se në botë vuajnë nga shëndeti mendor rreth 1 miliard njerëz, ose 1 në 8 persona.