Arbëri

Në rastin e Remzi Shalës, palët s’i paraqesin fjalët përfundimtare

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka aprovuar propozimin e mbrojtjes së Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile, për dëgjimin e dy dëshmitarëve në këtë proces penal. Kësisoj, palët në këtë seancë nuk i kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe shqyrtimi kryesor do të vazhdojë më datën 20 prill

Është miratuar të enjten nga trupi gjykues propozimi i mbrojtjes së Remzi Shalës për dëgjimin edhe të dy dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Shalën për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, e në këtë seancë ka qenë e paraparë që palët të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare, por pala mbrojtëse ka arsyetuar se si pas seancës së fundit janë paraqitur rrethana të reja.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Blerim Mazreku, ka theksuar se Ymer Gashi, që pretendon se ka qenë ish-ushtar i UÇK-së dhe se ka njohuri për faktet e rëndësishme lidhur me këtë çështje penale, ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë në këtë proces, meqë konteston deklaratat e disa dëshmitarëve, derisa Gashi ka thënë se edhe Blerim Kuçi ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë në këtë rast.

“I propozojmë trupit gjykues që sot të mos vazhdohet me fjalën përfundimtare, por t’i ftojë këta dëshmitarë për t’u dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, ngase është tejet e rëndësishme për neve si mbrojtje e besoj edhe për tërë procesin penal”, ka thënë avokati Mazreku.

I akuzuari është pajtuar me propozimin e avokatit të tij.

“Pasi që i kemi dëgjuar mbi 100 dëshmitarë, i kisha dëgjuar edhe këta çka kanë me thënë”, ka thënë i akuzuari Shala.

Prokurori special, Haki Gecaj, ka vlerësuar se kërkesa e mbrojtjes është paraqitur me vonesë, por në të njëjtën kohë ka shfaqur besimin se prokuroria dhe gjykata janë të interesuara për të vënë drejtësinë në vend.

“Unë nuk e kundërshtoj propozimin që të dëgjohen edhe këta dëshmitarë meqë, sipas mbrojtjes, ata kanë njohuri shumë të rëndësishme për rastin dhe mund të ndihmojnë në ndriçimin e gjendjes faktike për marrjen e një vendimi të drejtë në këtë çështje”, ka thënë prokurori Gecaj.

Por avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, ka kundërshtuar hapjen e procedurës së provave.
“Konsideroj se propozimi nuk është i arsyetuar dhe është jo i plotë. Nuk është cekur rrethanë konkrete në të cilën do të dëshmojnë këta dëshmitarë”, ka thënë avokati Hoxha.

Pas dëgjimit të palëve trupi gjykues ka aprovuar propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e këtyre dy dëshmitarëve, ndërkaq 20 prilli është caktuar si datë për seancën e radhës.

Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, ka njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale: krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vjet burg. Por, pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë aktgjykim duke zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e ka kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës, në fshatin Duhël.