Konsumatorët e ujit të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit rajonal të Pejës “Hidrodrini”, në Pejë, Istog, Deçan, Klinë dhe Junik, nuk do të paguajnë tarifa më të larta për ujë deri në fund të vitit 2024. Kështu u vendos sot në një diskutim publik nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) bashkë me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, të organizuar për përcaktimin e tarifave të shërbimeve të ujit për periudhën një janar të vitit 2022 deri me 31 dhjetor të vitit 2024.
Në këtë diskutim publik, ndër të tjerë të pranishëm kanë qenë kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidrodrini”, Agron Tigani dhe analisti i tarifave në ARRU, Hysni Feka, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
“Në këtë diskutim publik u konkludua se plani tarifor i shpenzimit të ujit, në periudhën e ardhshme tre vjeçare në tërë zonën e mbulueshmërisë, në komunën e Pejës, Istogut, Deçanit, Klinës dhe Junikut, nuk do të ketë rritje çmimi nga tarifat aktuale të vitit 2021. Ky vendim është rezultat i performancës dhe qëndrueshmërisë financiare të KRU- ‘Hidrodrini’”, thuhet në njoftim.