Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka dallime të theksuara në punën dhe angazhimin e mjekëve në sallat operative. Raportet që ka siguruar KOHA për periudhën janar-shtator të këtij viti tregojnë se disa prej mjekëve realizuan qindra operacione brenda nëntë muajve e të tjerë asnjë. Në QKUK paralajmëruan se do të ndërmerren veprime, pas analizimit të raportev
Dy mjeke në Klinikën e Syve të QKUK-së prej janarit e deri në shtator nuk e kryen as edhe një intervenim të vetëm kirurgjikal te pacientët.
Një koleg i tyre i të njëjtës Klinikë i realizoi deri në 838 operacione për periudhën e njëjtë, bazuar në raportet për numrin e intervenimeve nëpër klinika që posedon KOHA.
Dallime të theksuara në punën dhe angazhimin e mjekëve në sallat operative ka edhe në klinika të tjera të QKUK-së, sipas analizave të 15 raporteve që iu ofruan KOHËS nga QKUK.
Në Ortopedi, që është një nga klinikat me më së shumti pacientë në listë të pritjes, për nëntë muaj janë kryer 1 mijë e 424 operacione.
Bazuar në statistikat e operimeve dhe asistimeve, njëri nga ortopedët nuk ka kryer asnjë operim dhe asnjë asistim. Shumica kryen nga 30 deri në 95 intervenime. Ndërkaq katër mjekë realizuan mbi 100 intervenime secili, njëri prej të cilëve më së shumti, 124 sosh.
Një kirurg vaskular realizoi 138 operacione në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare e një tjetër vetëm 12.
Në Klinikën e Kardiokirurgjisë një mjek kreu më së paku intervenime, zero operime dhe 13 asistime, e një tjetër priu me numrin e intervenimeve, në total 37 operime e 51 asistime.
Në Klinikën e Urologjisë u realizuan gjithsej 562 operacione. Nga 20 mjekë të kësaj klinike, njëri kreu vetëm 13 operacione, ndërsa mjekët e tjerë realizuan deri 43 sosh.
Klinika e ORL-së ka 14 mjekë që gjatë periudhës janar-shtator kanë realizuar 1 mijë e 39 operacione. Brenda nëntë muajsh dy mjekë kryen vetëm nga një operacion, tre kryen mbi 100 operacione secili, kurse një tjetër 254.
Situatë e ngjashme nëpër klinika ka qenë edhe gjatë viteve të kaluara. Zyra e përgjithshme e auditorit në raportin e fundit të performancës konstatoi se në së paku katër klinika angazhimi i mjekëve nuk ishte i njëjtë.
“Njëri nga 17 kardiologët gjatë vitit 2022 kishte kryer më së shumti koronografi 260 sosh, ndërsa një doktor tjetër kishte kryer vetëm 16 koronografi. Në Kirurgjinë Vaskulare, gjatë viteve 2019-2023, njëri prej mjekëve ka kryer më së shumti operime 259 sosh, kurse një tjetër ka kryer më së paku operime, vetëm 18. Në Klinikën e Oftalmologjisë, gjatë 2019-2023 një mjek kishte kryer 1.671 operacione të kataraktit. Në anën tjetër janë 10 mjekë të cilët kishin kryer më pak se 10 operacione të kataraktit gjatë pesë vjetëve të fundit”, thuhet në raportin e Auditorit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, tha se do të kërkohet përgjegjësi nga secili menaxhment i klinikës.
“Do të ketë përgjegjësi secili drejtor i klinikës ose secili përgjegjës i sektorit, duke rritë konsideroj vigjilencën, duke iu dhënë dhe duke i bërë përgjegjës edhe drejtorët e klinikave, edhe secilin staf. Konsideroj që kemi me e rritë vetvetiu... Si të them, disiplina krijon edhe një lloj motivi për të punuar më shumë”, ka thënë Hajdari.
Në QKUK, përmes një përgjigjeje me shkrim, thanë se menaxhmenti është në fazën e analizës së raporteve që i janë ofruar KOHËS për performancën e secilës klinikë dhe secilit mjek specialist. Pas saj, janë paralajmëruar të ndërmerren veprime.