Arbëri

Në QKMF e as në ISHP në Pejë s’do të ofrohen testime serologjike

“Nuk do të ofrojmë teste serologjike. Nuk e kemi bërë e as nuk do ta bëjmë në shëndetësinë primare. Përderisa Instituti i Shëndetit Publik i mbulon komplet nevojat e testimeve, pse me investua na në diçka kur nuk është e nevojshme. Pra nuk e shohim të nevojshme. Më të arsyeshme e shoh që ne të mbesim të koncentruar në ofrim të shërbimeve ndaj pacientëve për aplikim të terapisë për Covid-19, e cila është për ne ma vitale, sesa të harxhojmë energji me u marr me testime serologjike”, tha drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci

Pejë, 22 dhjetor – Drejtuesit e shëndetit primarë në Pejë kanë vendosur që në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë definitivisht nuk do të kryhen as tash e as më vonë teste serologjike për përcaktimin e pranisë së antitrupthave të Covid-19.

Këtë vendim e ka konfirmuar të martën për KOHËN, drejtori i Shëndetësisë Petrit Loci, megjithëse në kjo komunë ka qenë ndër të parat që kishte kërkuar që të kryhen këto teste në qendrat e shëndetit primarë, pasi Ministria e Shëndetësisë, në mesin e muajit gusht përmes një udhëzimi administrativja kishte lejuar edhe komunave që ti kryejnë testet serologjike në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Nuk do të ofrojmë teste serologjike, as nuk e kemi bër e as nuk do ta bëjmë në shëndetësinë primare. Përderisa Instituti I shëndetit Publik i mbulon komplet nevojat e testimeve, pse me investua na në diçka kur nuk është e nevojshme. Pra nuk e shohim të nevojshme. Më të arsyeshme e shoh që ne të mbesim të koncentruar në ofrim të shërbimeve ndaj pacientëve për aplikim të terapisë paranterale për Covid-19 në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5 në Fidanishte, ku gjendet edhe qendra për dhënien e kësaj terapie për të gjithë pacientët e komunës tonë dhe e cila është për ne ma vitale, sesa të harxhojmë energji me u marr me testime serologjike”, tha Loci. Ai konsideron se këto analiza më mirë është të koncentrohen në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, pasi aty sipas tij nuk merren me trajtime shëndetësore por vetëm me analiza laboratorike. “Nuk mundemi të sfidohemi edhe me testime serologjike në QKMF e mi lanë keq shërbimet tjera që po duhet te jepen gjatë 24 orëve”, thotë Loci.

Mirëpo as në këtë institut nuk do të ofrohen testime serologjike për pacientë, pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë ua ka siguruar aparaturën për kryerjen e këtyre testeve.

“Në QKMF duhet të fillohet me teste serologjike. Komuna e Pejës e para ka kërkua me i bë këto teste e tash nuk janë të interesuar, kurse në komunat tjera po i bëjnë teste serologjike në QKMF për pacientë. Ne e kemi aparaturën për testet serologjike, por nuk është për diagnostifikim. Është vetëm për hulumtim dhe këto testime për momentin jemi duke i punuar vetëm për stafin e spitalit që kanë qenë direkt të kyçur me pacientë. Ne kemi vetëm një numër të kufizuar të testeve serologjike vetëm për staf medicional. Teste serologjike për pacientë nuk do të kryejmë”, thotë drejtoresha e këtij instituti, Adnora Nurboja.

Testimet serologjike në këtë qytet po kryhen vetëm në disa laboratorë private. Ndryshe, si Ajo tregoi se në këtë institut do të kryhen për pacientë vetëm testimet molekulare PCR për virusin COVID-19, të cilat janë pritur të nisin këto ditë, por aparatura për kryerjen e këtyre testimeve ende nuk është montuar në hapësirën e përgatitur në këtë laborator.

“Aparaturën e kemi, stafi është trajnuar, veç po presim që aparatura të instalohet. A shkon edhe një javë a deri pas vitit të ri, nuk e di, por besoj që më së largu prej janarit kemi me nis me testet PCR. Veç po presim tash me ardh eksperti nga Kroacia me na instalua aparaturën. Ai eksperti ka qenë një herë, e ka demonstrua aparaturën por në një ambient tjetër, pasi hapësira ku ka pas të vendoset aparatura nuk ka qenë gati. Tash krejt është rregulluar vendi. Komuna na ka ndihmuar me infrastrukturën e laboratorit ku ka mu punua testi PCR, por nuk e dimë se a vjen tash eksperti serish pasi janë edhe festat e fundvitit”, thotë Nurboja. Ditët e fundit në këtë komunë është shënuar rënie e numrit të infektuarve me Covid-19. “Gjendja në Pejë tash është më e qetë se dy javët e fundit. Kemi rënie të numrit të pacientëve dhe si fakte bazohemi në numrin e pacientëve që marrin terapi për Covid-19 në QMF numër 5. Aty është barometri kryesor ku bazohemi. Dje ka pas mbi 40 për qind më pak pacientë se ditët e kaluara. Prej 230 trajtimeve ditore numri ka rënë në rreth 130”, tha Loci, i cili pas festave të funditit, pret që të ketë serish rritje të numrit të infektuarve.

Prej që ka nisur pandemia në muajin mars e deri tash, në këtë komunë janë diagnostifikuar mbi 2 mijë e 100 persona me Covid-19, prej të cilëve 83 kanë vdekur.