Arbëri

Në Prizren vjet u hapën 879 biznese, derisa 129 u shuan

Kërkesat për regjistrimin e bizneseve të reja në Komunën e Prizrenit gjatë vitit të shkuar kanë qenë shumëfish më të mëdha sesa ato për shuarjen e veprimtarive. Numri më i madh i kërkesave, sipas zyrtarëve komunalë, është regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2022. Mirëpo përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Prizren e kanë cilësuar si mjaft sfidues edhe vitin e shkuar, shkaku i inflacionit

Numri i bizneseve të regjistruara gjatë vitit 2022 në Komunën e Prizrenit është afro shtatëfish më i madh se i atyre që janë shuar. Sipas të dhënave zyrtare, vjet në këtë komunë janë hapur 879 biznese, derisa 129 sosh janë shuar.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu, ka theksuar se shumë biznese që kishin pushuar veprimtarinë gjatë kohës së pandemisë, janë riaktivizuar më 2022.

“Mendoj se gjatë kohës së pandemisë shumica e bizneseve, të cilat kanë funksionuar në qytetin e Prizrenit janë shuar. Ndërsa me të kaluar pandemia një pjesë dërrmuese e tyre kanë kërkuar përsëri që ato biznese të funksionalizohen. Diçka çka vlen të theksohet në këtë drejtim është se në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pasur më së shumti kërkesa për regjistrim të bizneseve të reja, pra gjatë periudhës janar, shkurt dhe mars është numri më i madh i bizneseve që kanë kërkuar të regjistrohen në ARBK”, ka thënë Shehu.

Kryetari i shoqatës së biznesmenëve dhe zejtarëve “Esnaf”, Varis Xhejlani, ka thënë se përkundër aktivizimit të shumë bizneseve, edhe viti i shkuar ishte sfidues për afaristët. Ai përmend rritjen e çmimeve pas fillimit të luftës në Ukrainë, krizës energjetike, sikur edhe mungesën e investimeve kapitale nga fondet publike si arsye për këtë.

“Dhe krejt kjo tregon se ishte një vit turbulent, por besojmë se do ta përballojmë edhe këtë sfidë. Për disa lëmi ishte vit i suksesshëm, e për disa vazhduan dhe ende vazhdojnë vështirësitë dhe rikuperimi ende vazhdon në sektorë të ndryshëm”, ka thënë Xhejlani.

Komuna e Prizrenit gjatë viteve të përballjes me pandeminë COVID-19 kishte subvencionuar financiarisht mbi 1100 biznese. Po ashtu, kishte marrë vendim për heqjen e taksave komunale për periudha të caktuara, sikurse edhe për lirimin nga pagesa për shfrytëzimin e hapësirave publike dhe lokaleve.