Në Prizren është gjetur një alternativë për t’i zëvendësuar tekstet shkollore, për nxënësit që nuk janë pajisur me to. Drejtues shkollash treguan se me kopjet e njësive mësimore dhe të detyrave po mundohen të shmangin humbjen e orëve në këtë fillimvit shkollor.
Me mungesë tekstesh, ka nisur viti i ri shkollor edhe në Prizren. Shumica e shkollave hapën dyert për nxënësit, e drejtorët thanë se humbje orësh nuk do të ketë, pasi në javën e parë do të punohet me kopjet e njësive mësimore e edhe të detyrave.
“Përbrenda shkollës kemi formuar një ekip mobil i cili është duke përgatitur modalitete të ndryshme lidhur me njësitë mësimore. Për shembull i kemi linqet nga shtëpitë botuese, përzgjedhjen që e kemi bërë të librave dhe kemi filluar të bëjmë kopje të detyrave dhe njësive mësimore që së paku java e parë derisa të bëjmë një zgjidhje definitive dhe derisa të furnizohen prindërit ne të jemi të gatshëm si shkollë t’ju ofrojmë burime të njësive mësimore”, ka thënë Vlora Karavidaj nga shkolla fillore “Lekë Dukagjini”.
Edhe autoritetet lokale thanë se sfidë kryesore në fillim të vitit shkollor është furnizimi me tekste mësimore.
“Ne si Drejtori e Arsimit në bashkëbisedim me drejtuesit e shkollave po krijojmë ekipe mobile brenda shkollave që t'u dalim në ndihmë prindërve që po kanë në vazhdimësi vështirësi për t’u regjistruar në platformën eKosova”, tha Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit.
Shaqir Totaj, kryetar i Komunës, ka bërë të ditur se nga drejtuesit e shkollave është informuar se problemi kryesor mbetet mungesa e teksteve shkollore, e për të cilën nuk shprehu pritje të zgjidhet brenda muajit.
“Urojmë që edhe kjo çështje të tejkalohet edhe të zgjidhet në mënyrë që nxënësit ti kenë tekstet shkollore. Por me sa u informova unë muaji shtator ndoshta do të kalojë pa tekste”, ka thënë ai.
Me sfidën e njëjtë, viti i ri shkollor ka filluar edhe në Komunën e Suharekës dhe të Dragashit. Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës së Dragashit, ka theksuar se nxënësit udhëtarë më nuk do të paguajnë për transportin e tyre.