Tregimi i Arben Mehmetit e i Diamant Hetemit nis natën e 6 tetorit të vitit të kaluar, pasi kishin përfunduar zgjedhjet.
Tri ditë më vonë ishte raportuar në KTV për rastin e tyre, dhe fillimisht KOHA kishte takuar Arbenin, që ishte i shtrirë në QKUK, me lëndime trupore e me një nofull të thyer në katër vende.
Ishte në pritje të operacionit në Klinikën Maksillofaciale.
Lëndimet i kishte marrë në një institucion, që në kushte normale, ofron siguri. Por ky nuk ishte një rast i tillë.
Për këtë temë është raportuar të hënën mbrëma në emisionin Raport në KTV.
Sipas raportit zyrtar fillestar, Ademi e Hetemi ishin arrestuar për vozitje të rrezikshme dhe sulm ndaj tre zyrtarëve policorë, duke u caktuar për ta ndalimi prej 48 orëve.
“Kemi dal me festu si krejt dyjaja, kem te ni mik, na kan nal policia e Shtimes, pa kurfar sinjalizimi, veç na kan thon hajde mas meje në stacion. Qitu si pe shihni edhe ktu, si e kem nal veturën, si kom dal prej veture, ka nis sulmi, pa kurfar arsyeje, pa kurfar motivi, as vet s’e dijn per çfarë arsye. Deri sa kan ardh mjekt prej Shtime, 2 ore e gjys pa nal hiç”, ka treguar Diamanti.
“Jena shku te stacioni, ju ka ofru policve, ju ka thon sha kini o burra, ja kan nis me i godit me grushta, i kan hyp permi dy polic, mka kap stres, kom dal kom nderhy, kom desht me nxjerr prej grushtave policve, mu ka kthy njoni m’ka ra pendrek”, ka treguar Arben Ademi, qytetar i Shtimes.
Dhuna, siç pretendojnë ata, kishte vazhduar për mbi dy orë, edhe në hapësirat brenda stacionit, sa ishin të prangosur.
Pasi Prokuroria në Ferizaj i kishte parë xhirimet e rastit, të dy ishin liruar në procedurë të rregullt dhe ishte autorizuar Inspektorati Policor për ta hetuar rastin, me dyshimet për tejkalim të autorizimeve nga ana e policëve.
Nga të dyshuar, Hetemi e Mehmeti ishin kthyer në viktima të dhunës policore.
Fillimisht dy, e më vonë edhe një zyrtar i tretë i policisë nga stacioni i Shtimes, ishin suspenduar deri në përfundim të hetimeve.
Rasti nga Prokuroria e Ferizajt i ishte bartur në kompetencës asaj të Gjilanit.
“E konsideroj të arsyeshme, sepse policët kanë qenë polic hetues në stacion e Shtimes dhe shumë raste kanë qu në prokurorinë e Ferizajt, dhe kanë pasur kontakte/raport bashkëpunues, dhe edhe prokuroria ka ardhur në përfundim që të bartet në Gjilan”, ka thënë avokati Selman Bogiqi.
Kjo e fundit, në ditën e fundit të vitit të kaluar, kishte ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve policorë.
Ata i akuzonte për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare, lëndim të rëndë trupor dhe lëndim të lehtë trupor.
“Si përfaqësues i autorizuar, me ju thon të drejtën, me rastin e pranimit të kësaj lande, pasi kam shiku dokumentacionin dhe fotografitë e lëndimeve, vet si mbrojtës me një përvojë të gjatë, gjyqtar që kam punu përpara, e kam ni veten shumë rëndë, sepse forma dhe veprimet dhe lëndimet që u janë shkaktuar janë një keqpërdorim i detyrës zyrtare. Sepse janë rregulla se si duhet te sillet me një të dëmtuar, pavarësisht edhe nëse ai reziston. Mirëpo është shumë indikativë dhe shumë shqetësuese, si brenda në objekt, në stacion të policisë me i marr gjithë ato lëndime të rënda, aty kanë qenë edhe 5 policë të tjerë, e kanë pa ngjarjen si është zhvillu. Nga aktakuza, të njëjtit janë dëgjuar, kanë dhënë deklaratat dhe prokurori ka fillu një bindje, një ekzistim të dyshuar mirë, se kta kanë kry veprat e cekura ma nalt”, ka shtuar avokati Bogiqi.
Megjithatë, derisa pritej nisja e gjykimit, një tjetër zhvillim kishte ndodhur.
Të tre zyrtarët e suspenduar, me të përfunduar hetimet nga IPK-ja, ishte rekomanduar të ktheheshin në punë, pavarësisht aktakuzës ndaj tyre.
Kjo, siç thonë Ademi e Mehmeti, nuk ishte një sinjal i mirë për ta.
“Kanë dalë në rrugë mem ndal me makinë, qat natë e kam ditë që janë kthy në punë, se kanë dalë në rrugë mem ndal, kur ma kan qit stopin kur më kanë pa mu sem kan nal jon tërhekun, prej qati momenti e kom pa që këta janë kthy në punë edhe prej qati momentin nihem i kërcënum skam kurrëfarë sigurie… te vetmit ju qe po i jepni zor me zbardh qet sen, se gjyqi e krejt kanë shku zhag shume. Nihem i kërcënum shumë, pot kallxoj jom ish-ushtar i UÇK-së e me u ni i kërcënum prej një polici shumë shumë keq, ne venin ku ke hek mund. Shumë keq, kom pas qef me pas drejtësi dikun, me dalë mu përball me qat njerz, me ditë me çfarë motivi e kanë ba qat njerz me ma gerdit shtetin tem, per te cilin kam ba mund dy vjeçar të luftës, për cka për motive të veta politike. Kam pas qef me pa drejtësi, ose të na kallxojnë që ska dretjësi na munjna drejtësinë edhe vet, se ma ka gërdit shtetin, ska met ma siguri as për mu as për familjen. Derisa i kthejnë qata kriminel po i quaj në punë ska kurrfarë sigurie në këtë shtet”, ka thënë Diamant Hetemi.
“Kanë ngrit aktakuzë për tretë për dy vepra penale, njani për keqtrajtim të rëndë trupor, i dyti për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ma e keqja është që këta i kanë kthy në punë, në statcion, ditën që i kanë kthy në punë kam marrë vesh që I kanë kthy në stac. Të Shtimes, vetën ma sjam tu e nit ë sigurt, sa herë dal nëpër Shtime duhet mi ra rrugicave që mos mu zatet me ta, se po nihem shumë i kërcënum i poshtërum . Shtei nuk është tum mbrojt, spo di ka me kërku ndihmë, pos të gazetarët”, thotë Ademi.
Me pasojat e përjetimeve të asaj nate të 6 tetorit ende vazhdon të ballafaqohen si Arbeni edhe Diamanti.
Në takimin tonë të fundit nuk arritëm ta takonim fare Arbenin, që nuk ishte në gjendje të fliste më për rastin.
“I kom pas 5 brij të krista. Lëndime trupore bajagi shume, edhe psiqike..ku e dijm qe kan deklaru policia tjerë, qysh na kan rreh...kom pas qef me bo ni lutje qe me na thir gjyqi, me na kallxu arsyen pse na kan rreh, pse na kan bo ne keete gjendje“, thekson Diamant Hetemi. “Arbeni, nuk osht n’gjendje me bo kurgjo, as pune as kurgjo. Jom veteran i dy luftave...me m’rreh njerzt e mi pa kurfar arsye”.
“Kanë përdor shuplakë, grusht shkelm, i kanë prangosur, i kanë dërguar në zyrat e stacionit në shtime. Edhe aty kanë fillu goditjet pandërpre. Është fakt se në rast se kemi të bëjmë me ndonjë shkelje të mos-respektimit te dispozitave ligjore për trafik urban, atëheërë ata polic osht dasht me kërku dokumentacionin e duhur, për me i shqiptu masën e kundërvajtjes. Këta në një formë i kanë urdhëruar që nga rruga të shkojnë në stacion të policisë dhe atje përniher ka fillu sulmi ndaj tyre, që deri tani nuk ka ndodh. Ndaj tyre është përdor dhunë e rëndë”, thotë avokati.
Gjykata Themelore në Ferizaj, ku qëndron lënda e tyre, edhe pas më shumë se 6 muajsh ende nuk ka arritur të caktojë një seancë fillestare për këtë rast.
Sipas Diamant Hetemit, kjo situatë i ka vënë në pozitë të vështirë.
“Dy here jemi kon ne inspektorat, gjykata s’na ka thirr kurr as s’dijm. Vec po dojm me na thirr gjykata, ja kemi lon drejtësisë, gjykatës. Nëse ska drejtësi, gjykate, duhet me u marr vet me kanun. Nëse sna thirrin qi vit. Naj kan mërzit edhe jetën. Skem siguri. T’gzum qe jon polict tont ...po”.