Televizioni turk TRT në bashkëpunim me shoqatën Gerçek, kanë prezantuar në Prishtinë filmin dokumentar, ‘Rrjeti: Ana e Errët e Gyelenistëve’.
“Dokumentari kishte për qëllim që t’ua hapë kosovarëve sytë për rreziqet që kanosen nga organizata e Fetullah Gylenit”, tha ambasadori turk në vend, Çağrı Sakar.
Dokumentari është shfaqur në prag të shënimit të 3-vjetorit të grusht-shtetit në Turqi. Më 15 korrik 2016, grusht-shteti u tentua kundër institucioneve dhe vetë presidentit Recep Tayyip Erdogan. Grusht-shteti ishte kryer nga një fraksion brenda Forcave të Armatosura turke, për çka qeveria turke akuzon si përgjegjës klerikun, Fetullah Gylen, dikur aleat i Erdoganit e tani armiku numër një.
Ambasadori turk tha se i vjen mirë që në shtetin aleat të Turqisë organizohen ngjarje të këtilla, e që kanë rëndësi për raportet mes dy vendeve.
“Kjo organizatë e rrezikshme me veprimtari të rrezikshme brenda dhe jashtë vendit. Me këtë dokumentar do të informoheni të gjithë në Kosovë se kë e kemi përballë. Ashtu si deri më tani, është detyrë e rëndësishme që të përsëris sugjerimet që të bashkëpunoni me Turqinë në luftimin e terrorizmit”, ka thënë Çağrı Sakar, ambasador i Turqisë në Kosovë.
Rrëzimi i qeverisë së Erdoganit në korrik 2016, ishte parandaluar nga vetë turqit, ithtarë të tij. Ata kishin dalë masivisht në rrugë për të parandaluar tanket e ushtarët nga sulmet drejt institucioneve. Në këtë natë të përgjakshme, më shumë se 250 njerëz ishin vrarë e mbi 1 mijë janë plagosur.
Që nga ajo kohë, Erdogani me ngulm ka kërkuar ekstradimin e Gylenit i cili jeton në azil në SHBA, në Turqi, por kërkesës së tij nuk i është përgjigjur Departamenti amerikan i Shtetit. Amerikanët arsyetohen se nuk ka ende dëshmi të mjaftueshme nga turqit që ndërlidhin Gylenin me grusht-shtetin.
Përpos kësaj, Erdogani filloi fushatë të ashpër të qërimit të hesapeve me kundërshtarët e tij, duke arrestuar mijëra ushtarë, policinë, mësues, shërbyes civilë e të tjerë. Gjatë aksioneve të këtilla të policisë, e që ende vazhdojnë, janë shënuar mijëra raste të shkeljes së të drejtave të njeriut nga organizatat e huaja. Shumica nga ata që u ndoqën penalisht në raste që ndërlidhen me grusht-shtetin, janë dënuar me burgime të përjetshme, e Erdogani nuk e ka përjashtuar mundësinë as të kthimit të dënimit me vdekje.
E raportet mes Kosovës e Turqisë u përmirësuan edhe më shumë kur spastrimi i Erdoganit kishte filluar. Duke ndjekur shembullin e disa shteteve, kryesisht të varfra e të përfshira në konflikte të ndryshme të cilat varen nga ndihma humanitare turke, por edhe retorika islame e presidentit turk në Kosovë, Turqia kishte kërkuar disa njerëz që i karakterizoi si gylenistë.
Presidenti Hashim Thaçi, në mars të 2018-s vendosi në mënyrë shumë të fshehtë e brenda natës, të dëbojë 6 shtetas turq që jetonin në Kosovë.
Kjo u bë e mundur pasi paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme u kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Të arrestuarit ishin pjesë e stafit menaxhues dhe mësimdhënës në Kolegjin “Mehmet Akif”.
Ky operacion i policisë kishte shkaktuar reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.
Për këtë rast, ishte formuar edhe një Komision Hetimor parlamentar, i cili kishte gjetur shumë shkelje në procesin e dëbimit, derisa pritet që Prokuroria të hetojë gjetjet e raportit.