Arbëri

Në Prishtinë janë 60 raste aktive me koronavirus

Me rezultatet e sotme, janë fiks 60 raste aktive me koronavirus në Komunën e Prishtinës.

Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, tha se rastet janë të shtrira në 11 lagje.

Të enjten, nëntë raste pozitive me COVID-19 nga 28 gjithsej, ishin nga Prishtina.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Gashi tha se që nga fillimi i pandemisë, në kryeqytet janë regjistruar 135 raste.

Gashi vlerësoi se pas një periudhe stabile, gjendja ka nisur të përkeqësohet si pasojë edhe e relaksimit të masave, por ai nguli këmbë se situata ende është e menaxhueshme.

“Relaksimi i masave, që është diskutuar edhe nga ekspertët, ka ndikuar në rritjen e numrit. Nga 4 maji, kur filloi relaksimi pati një vrull, pati një relaksim të tepruar. Lëvizjet e mëdha, moszbatimi i masave dhe rekomandimeve bazë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, e që janë mbajtja e maskave dhe distanca, por edhe pastrimi i duarve, kanë ndikuar të krijohet kjo gjendje që është tash”, tha ai.

Gashi është i bindur, bazuar edhe në studimet e fundit, se virusi po e humb fuqinë dhe se do t’i dilet në fund kësaj pune.

“Situata është e menaxhueshme, për këtë duhet falënderuar qytetarët, por edhe mekanizmat tjerë, shpresoj që do të arrijmë fundin dhe të përfundojmë këtë luftë, duket se virulenca është zvogëluar”, u shpreh Gashi.

Gashi thotë se në Prishtinë do të nisë projekti për vizita me termine në QKMF

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se javëve në vazhdim do të lansohet projekti për vizitat me termine në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Sipas tij, kjo formë është lehtësim për stafin mjekësor gjithashtu edhe për qytetarët.

Ai ka thënë se pas lirimit të masave, kërkesa për shërbime e qytetarëve është rritur.

Gashi ka thënë termini do të bëhët falas përmes numrave të telefonit që i ka siguruar komuna.

“Kemi siguruar 20 numra që do të jenë falas për kontakt. Edhe në të kaluarën ka pasur tentativa por që numrat që kanë qenë në dispozicion kanë qenë me pagesë dhe për këtë nuk kanë gjetur shumë zbatim. Unë mendoj që kjo e rregullon çështjen edhe më mirë sesa që është tani. Kjo do ta bëjë një rangim të vizitave. Do të ketë kohë edhe më të madhe mjeku që t’i kushtojë pacientit. Sipas konceptit të mjekësisë familjare, pacientit duhet t’i kushtohet së paku 15 ose 30 minuta”, ka thënë ai.

Duke folur për kryerjen e testeve për Covid-19 në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ai ka thënë se në fillim të pandemisë ka pasur rënie të numrit të pacientëve që kërkonin shërbime në këto qendra.

Ai ka thënë se asnjë qytetarë që ka pasur shenja që është i infektuar nuk është futur brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare, duke shtuar se asnjë nga punëtorët shëndetësorë nuk është infektuar.

“Ligji për mbrojtjen e konfidencialitetit duhet të respektuar, këtë e ka bërë edhe IKSHPK-ja. Sa i përket lagjeve, ne vërshonim nga kërkesat e qytetarëve që të dinë se cilat lagje janë. Lagjet janë bërë të ditura çdoherë sa herë e kemi ditur. Tani i kemi 60 raste në përafërsisht 10 lagje të shpërndara, bëhet fjalë për lagjen Ulpiana, Kalabria, Kodrën e Diellit, Emshirin, Kroin e Njelmët, Arbëria, Kolovica, Sofalia, por është pothuajse i përfshirë është i gjithë qyteti”, ka thënë ai.