Tre vjetët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet janë kritikuar nga deputetë opozitarë e nga njohës të çështjeve politike, teksa në këtë parti shprehën gatishmëri për shkuarje në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit. Qeverisja aktuale u akuzua se i shkaktoi dëm të madh Kosovës, si në rrafshin e jashtëm dhe atë të brendshëm politik. E kryeministri Kurti u lavdërua për jetësimin e dy premtimeve të bëra - punësimin e drejtësinë
Teksa në Lëvizjen Vetëvendosje e shprehën gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, tre vjetët e qeverisjes së saj, sipas opozitarëve e analistëve politikë, nuk e përcaktojnë këtë si opsion për ta siguruar edhe një mandat të dytë.
Sipas qëndrimit të tyre, bilanci i këtij mandati udhëheqës është më i dobëti nga të gjitha qeveritë që Kosova i ka pasur që prej pavarësisë.
Analisti politik, Shkodran Ramadani, thotë se Qeveria aktuale i ka shkaktuar dëm të madh Kosovës, veçanërisht në skenën ndërkombëtare.
“Edhe në rrafshin ndërkombëtar, performanca diplomatike e Kosovës ka lënë shumë për të dëshiruar. Gjatë gjithë këtyre vjetëve nuk ka ardhur asnjë njohje, asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, është anëtarësuar në disa të tjera shumë të vogla por jo të rëndësisë shumë të lartë. Raportet me shtetet kryesore, aleatët më të mëdhenj të Kosovës janë dëmtuar, janë në pikën më të ulët në historinë e tyre. Ka sanksione Kosova”, tha Ramadani.
Kritika ndaj Qeverisë ka edhe në rrafshin e brendshëm politik. Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se ekzekutivi ka gjeneruar pasoja politike e zhvillimore me efekte afatgjate.
“Janë katër vite pothuajse, ose tri vite e ca, të humbura për Kosovën; fatkeqësisht në secilin sektor që njeriu prek sot qoftë në ekonomi, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi, qoftë në drejtësi, në drejtimin e infrastrukturës. Në çdo aspekt Kosova ka pasur stagnim total, në fusha të caktuara edhe regres të madh”, tha Selmanaj.
Por, kryeministri Albin Kurti, në një konferencë shtypi për prezantimin e fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale, foli për zhvillim ekonomik në secilën sferë të jetës.
Tha se Qeveria e vet, ashtu sikurse premtoi, ka sjellë realitet të ri ekonomik që është përkthyer në vende të reja pune për qytetarët.
“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4-vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë”, tha Kurti.
Qeveria i mbushi tre vjet mandat në mars të sivjetmë. Dy nga partitë opozitare, LDK-ja e AAK-ja, i kërkojnë kryeministrit dorëheqje në funksion të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, porse forma e vetme me të cilën ai është pajtuar është shpërndarja e Kuvendit.